Majkëll Felps, "Sportisti i vitit 2008"
Notari amerikan Majkëll Fepls fitoi dje nga revista "Sports Illustrated" trofeun e "Sportistit më të mirë të vitit 2008", çmim që për herë të parë e fiton një notar. 8 medaljet e arta të fituara në Olimpiadën e Pekinit flasin qartë për madhështinë e këtij notari, që hyri në historinë e sportit si sportisti që fiton 8 të arta në një olimpiadë të vetme. Madje, Felps është sportisti që ka fituar më shumë medalje të arta se kushdo tjetër në historinë e lojërave olimpike, plot 14. Ky çmim, që ka mbërritur në edicionin e 54-t të tij, ka pasur si protagonistë mjaft basketbollistë, tenistë apo futbollistë, por kurrë një notar. Megjithatë, sukseset dhe trofetë e shumta nuk e kanë ndryshuar djaloshin nga Baltimora, që shprehet: "Ndershmërisht, ndihem po ai djalë që isha edhe para se të fitoja 8 medalje të arta. Bëj atë që dua më shumë, pra të notoj. Arrita të kap objektivat që i kisha vënë vetes dhe nuk dua të ndryshoj asgjë nga ajo që ka ndodhur gjatë këtij viti," - tha notari amerikan Majkëll Felps. Ndërsa drejtori i revistës "Sports Illustrated" u shpreh se fitorja e Felps ishte unanime, pasi ishte njeriu i vitit në sport. "Ishte diçka e lehtë të zgjidhje fituesin e këtij viti, pasi Felps ndryshoi historinë e sportit, panoramën e Olimpiadave," - tha drejtori i revistës Terri McDonnel.