E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fabregas ëndërron finalen e Champions

Çesk Fabregas ëndërron që së bashku me Arsenalin të luajë në finalen e Ligës së Kampioneve: lojtari kryesor i "topçinjve" nuk ka ndonjë preferencë për kundërshtarin e takimit që do të luhet në Moskë. Mesfushori spanjoll dhe e gjithë skuadra duhet të marrin maksimumin nga përballjet me Liverpulin gjatë 7 ditëve të ardhshme. Sfidat do të fillojnë sot, me çerekfinalen e parë në Champions, ndërkohë që përpara takimit të kthimit, dy skuadrat do të përballen edhe një herë në Premiership. Kualifikimi për në gjysmëfinale nuk është aspak i thjeshtë, por Fabregas e ka hedhur shikimin më tej. Duke folur për radion spanjolle EFE, ai deklaroi: "Është më se normale që të gjithë njerëzit të ëndërrojnë, megjithatë duhet të punosh shumë për t‘i shndërruar ëndrrat në realitet. Nëse qëndron pasiv, atëherë nuk ke për t‘i realizuar asnjëherë ato. Personalisht ëndërroj që të luaj një tjetër finale të Ligës së Kampioneve. Nëse ajo ndeshje do të jetë kundër Barcelonës do ta kemi shumë të vështirë, pasi ata kanë një skuadër fantastike. Gjithçka që dëshiroj është të kem shansin të luaj një finale tjetër, pak rëndësi ka emri i kundërshtarit që do kemi përballë. Nëse do të triumfonim në këtë trofe prestigjioz, pas pesë viteve askush nuk do ta vriste mendjen se cili ishte kundërshtari". Në rast se kualifikohet në finale, Arsenali mund të gjejë në rrugën e tij Çelsin ose Mançester Junajted. Skuadra që nuk janë mes kundërshtarëve të preferuar të Fabregas. Megjithatë, edhe Liverpuli si kundërshtar në çerekfinale, nuk ka qenë në krye të listës së tij të dëshirave. "Do të kisha preferuar që të luaja kundër një skuadre evropiane", tha mesfushori. "Dëshira ime ishte që në Ligën e Kampioneve të luanim kundër Barcelonës, Realit të Madridit ose një skuadre italiane, pasi me skuadrat angleze luajmë në kampionat ose ndeshjet e tyre i ndjekim nëpërmjet televizorit. Megjithatë, ky ishte verdikti i shortit dhe nuk mund të bëjmë asgjë, përveçse ta pranojmë dhe të luajmë për të fituar". Ndërkohë, shoku i skuadrës së Fabregas, Kolo Ture, këmbënguli se Liverpuli do të zbresë në fushë i trembur. "Është një përballje që të stimulon, tha ai. Sezonin e kaluar luajtëm katër herë kundër ‘Reds‘ (përveç dy ndeshjeve të kampionatit dhe në FA Cup e Carling Cup) dhe fituam tre herë. Do të jetë një ndeshje e barabartë dhe shumë e vështirë, por ne kemi kualitetin që të fitojmë. Mendoj se ata janë të trembur që luajnë kundër nesh. Duhet të tregojmë se jemi përmirësuar dhe se jemi më të fortë se vitin e kaluar".

Një përballje e vështirë është parashikuar edhe nga trajneri Arsen Venger. Sipas tij, në sfidën e sotme do të shihet një stil futbolli evropian, i cili do të jetë i ndryshëm nga një përballje klasike ndërmjet dy skuadrave britanike. "Më shumë sesa një ndeshje angleze, unë do ta cilësoja një sfidë tipike të Ligës së Kampioneve. Jemi në raundin me eliminim dhe dëshirojmë të vazhdojmë aventurën në këtë aktivitet", tha trajneri francez. "Në ndeshjet ku një skuadër do të eliminohet, skuadrat janë më të kujdesshme. Rritmi i lojës do të ketë thyerje. Nuk është njësoj si përballjet në kampionat, ku mund të pësosh një gol, por vazhdon të luash deri në fërshëllimën e fundit. Në takime të tilla çdo gol i shënuar është jetik, për këtë arsye duhet më shumë përqendrim dhe intensitet".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›