Porto në hetim, rrezikon rënien nga kategoria
Skuadra e Portos rrezikon të bjerë në kategorinë e dytë, pasi është lajmëruar zyrtarisht se ky klub bashkë me presidentin Pinto Da Kosta, janë nën hetim për manipulimin e ndeshjeve në sezonin 2003/04. Në atë vit erdhi edhe suksesi më i madh i Hoze Murinjos, i cili e drejtoi këtë skuadër drejt fitores në Ligën e Kampioneve. Një lajmërim i shkurtër në faqen e internetit të klubit bëri të ditur situatën aktuale. "FC Porto dhe presidenti i saj janë lajmëruar nga Liga e Futbollit Profesionist Portugez për akuzat dhe hetimet që kanë lidhje me ndeshjet Porto-Estreja Da Amadora dhe Beira Mar-Porto". Takimi i parë u fitua nga kampionët e Portugalisë me rezultatin 2-0, ndërsa i dyti përfundoi në barazim pa gola. Në të dyja rastet, ka dyshime se Porto ka korruptuar gjyqtarët e ndeshjeve. Çështja "Bilbili i Artë" është në shqyrtim prej katër vitesh, si bashkëpunim mes Ligës Portugeze dhe autoriteteve ligjore. Sipas asaj që raportohet në mediat portugeze, drejtuesit e Portos ua kanë paraqitur çështjen avokatëve të tyre dhe brenda 5 ditësh duhet të bëjnë gati tezën mbrojtëse. Klubi rrezikon sanksione shumë të rënda nëse vërtetohet fajësia, duke filluar nga heqja e pikëve në sezonin aktual, për të përfunduar me rënien nga kategoria. Ndërsa presidenti Da Kosta mund të përballet me një pezullim nga 2 deri në 10 vjet, nëse provohet se ka korruptuar gjyqtarët, apo nga 6 muaj në 2 vjet për tentativë korrupsioni. Ai u dënua për këtë në vitin 2005, por më pas iu shmang dënimit për mungesë provash.