E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mançester e Barcelona, me një këmbë në gjysmëfinale

Mançester Junajted dhe Barcelona kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve. "Red Devils" mposhtin 2-0 Romën në Itali, ndërsa skuadra e drejtuar nga Frenk Rajkard fiton minimalisht falë golit të Krkiç në Gjermani.

Roma dhe Mançester Junajted ndeshen për të dytin vit radhazi në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Në sfidën e luajtur në "Olimpiko", skuadra e drejtuar nga Spaleti duhej të largonte fantazmat e sezonit të kaluar, kur fituan 2-1 takimin e parë në shtëpi, por u shkatërruan me rezultatin 7-1 në "Olld Traford". Gjatë këtij edicioni skuadrat janë përballur edhe në fazën e grupeve: kampionët e Anglisë fituan 2-1 sfidën e parë dhe barazuan 1-1 në Romë. Takimi fillon me ritëm të lartë, me të dyja skuadrat që tentonin të sulmonin, por gjithmonë duke treguar kujdes të mos pësonin gol. Pas 39 minutave, pa ndonjë rast vërtet të rrezikshëm, miqtë gjejnë golin e avantazhit me lojtarin e tyre kryesor, Kristiano Ronaldo. Portugezi dërgon në rrjetë një kros perfekt të Skolls, duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi Donit. Roma tenton të reagojë dhe ka shansin më të mirë me Vuçiniç, por nga një pozicion i favorshëm, malazezi nuk arrin ta dërgojë topin në rrjetë. Pjesa e dytë fillon me vendasit në kërkim të barazimit: Vuçiniç, Toneto e Panuçi tentojnë pa gjetur kuadratin. Junajted nuk zhbalancohet, e fillimisht rrezikon me Karrik, ndërsa në të 66-ën dyfishon shifrat me Runin. Sulmuesi përfiton nga gabimi i Donit dhe e dërgon sferën në rrjetë. Pak sekonda më vonë është Ronaldo që mund të shënojë golin e tretë, megjithatë portieri verdhekuq e devijon mjaftueshëm topin, që pasi përplaset në shtyllë përfundon jashtë. Në "Arena Aufshalke", Shalke dhe Barcelona kanë luajtur për herë të parë kundër njëra-tjetrës, që prej vitit të largët 1958/‘59. Megjithëse pa Ronaldinjon, kualiteti i katalanëve ka qenë dukshëm superior në krahasim me skuadrën e drejtuar nga Mirko Slomka. Inesta jep sinjalin e parë të rrezikshëm, ndërsa pas 12 minutave lojë, Bojan Krkiç përshëndet rrjetën. Sulmuesi i talentuar nuk e ka të vështirë të shënoj pas asistit të Henri, pas topit të kthyer nga pritja e portierit Neuer. Vendasit provojnë pafundësisht për të marrë të paktën një barazim, por Viktor Valdes e ka mbajtur të paprekur portën e tij, duke frenuar tentativat e Kuranji, Vesterman, Pander e Asamoah.

Liga e Kampioneve

ÇEREKFINALET

DJE

Roma-Mançester 0-2

K.Ronaldo 39‘, Runi 66‘

Shalke-Barcelona 0-1

Krkiç 12‘

SOT

Fenerbaçe-Çelsi

Arsenal-Liverpul



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›