Fabregas s’mund të jepte më tepër

Plejmejkeri elegant spanjoll mori një barrë të madhe të kritikave dhe ishte akuzuar për braktisje të anijes në Emirates, kur Barcelona e riktheu në Nou Camp me një ofertë prej 40 milionë funtesh.
Fabregas u është përgjigjur kritikave. “Dhashë gjithçka për Arsenalin. Luajta me këmbë të thyer, kam luajtur edhe kur më vdiq gjyshi. Kam dhënë gjithçka, por kur arrini në një moment, ju thoni: nuk mund të jap më tepër”, tha Fabregas për tabloidin britanik The Sun.
24 vjeçari theksoi se e kishte të vështirë të largohej nga Arsenali pas tetë viteve në klub. “Dëshiroj të kisha fituar diçka. Njerëzit thonë se kam shfrytëzuar opsionin më të lehtë. Mendoj se ishte më i rëndi. Duhet të punoj dyfish më tepër për të zënë vend në ekip. Kur gjërat shkojnë keq, tifozët shpalosin faculetat e bardha pas vërshëllimës së fundit. Ju shkoni në shtëpi dhe nuk dilni nga shtëpia. Në Londër humbnim dhe prapë dilja për të ngrënë”, përfundoi ai.
Fabregas ka shkëlqyer pas rikthimit në Barcelonë duke realizuar shtatë gola në 11 paraqitje të deritashme në La Liga.