Pranvera ruse në dimër

Agjencia ruse Interfax njofton se rreth 2,000 njerëz janë tubuar të mërkurën në qendër të Moskës, në përpjekje për të mbajtur protestën, për të cilën s’kishin leje nga policia.
Në kumtesën zyrtare të Ministrisë së Brendshme të Rusisë thuhet se, nga mbrëmja e së martës janë arrestuar 300 njerëz, dhe 17 të tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Përfaqësuesi i lëvizjes Një Rusi Ndryshe, Aleksandar Averin, deklaron se janë arrestuar edhe 45 aktivistë të kësaj lëvizjeje opozitare.
Në një prononcim për shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë, anëtari i lëvizjes Solidariteti, Mikhael Schneider, tregon për tubimet e reja në sheshin kryesor të Moskës.
“Për herë të parë kam parë një turmë të tillë. Ishin fytyra krejtësisht të reja, një detaj ky që është vërejtur nga secili gazetar. 10,000 të rinj patën forcë të dinin në rrugë”, tha ai.
Sipas gazetave të pavarura nga e hëna, përkatësisht pas protestës së parë, në Kremlin janë mbajtur disa mbledhje të jashtëzakonshme. Në shesh thuhet të jetë dërguar menjëherë ekipi i Kanalit të Parë Televiziv, i cili pastaj ka transmetuar raportin pa thirrjet (e prera) anti-qeveritare: “Rusia pa Putinin”.
Organizata Human Rights Watch ndërkohë ka akuzuar autoritetet ruse për arrestimin e pjesëmarrësve në demonstratat paqësore.
“Një gjë e tillë nuk flet mirë për qeverinë, sepse arrestimet janë të papranueshme”, thuhet në deklaratën e HRW.
Mirëpo, përkundër gjithë kësaj, kryeministri aktual rus, Vladimir Putin, të enjten ngriti akuza të rënda kundër SHBA’ve, duke i akuzuar se po i mbështesin protestuesit në Moskë dhe Shën Petrsburg.
Madje, në komentin e tij të parë publik që nga shpërthimi i protestave, Putin deklaroi se është sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ajo që iu dha sinjal “kundërshtarëve të Krelmlinit”.
"Ajo krijoi disponimin e aktivistëve të caktuar opozitarë, pra iu dha sinjalin të cilin ata e dëgjuan, dhe filluan të veprojnë aktivisht”, tha Putin.
Paraprakisht, SHBA’të kritikuan mënyrën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Rusi, ndërsa sekretarja Clinton deklaroi se “zgjedhjet për Dumën Shtetërore nuk ishin të lira e as të drejta”.