Fabricio Mikoli akuzon Luçiano Moxhin
Fabricio Mikoli nuk ka kursyer akuzat ndaj Luçiano Moxhit, gjatë procesit mbi kompaninë GEA që po zhvillohet në Romë. Sulmuesi i Palermos ka treguar disa prapaskena rreth së kaluarës së tij me Juventusin, duke u shprehur se kishte pësuar edhe kërcënime nga Moxhi, i cili kërkonte që lojtari të menaxhohej nga i biri, Alesandro Moxhi. Pas refuzimit, për sulmuesit filluan problemet. "Unë kam pasur gjithmonë si menaxher Françesko Kaliandro. Në vitin 2004, kur isha i huazuar te Peruxhia, por në pronësi të Juventusit, me telefonoi Antonio Konte, i cili në atë periudhë luante me bardhezinjtë. Ai më tha të kaloja nën menaxhimin e Alesandro Moxhit, pasi vitin tjetër do të luaja te Juventusi dhe ai mund të më ndihmonte të qëndroja te kjo skuadër. Unë e refuzova dhe mbajta menaxherin tim", shpjegoi futbollisti. Mikoli tregoi se pikërisht kjo çështje e komplikoi qëndrimin e tij te bardhezinjtë në vitet pasardhëse. "Me Moxhin kisha probleme që në fillim. Ai më detyroi të hiqja vëthët, të cilat sipas rregullores së brendshme nuk duheshin mbajtur, por kjo masë nuk u mor ndaj lojtarëve të tjerë. Ai më injoroi dhe nuk më lejonte të flisja, ndërsa kisha një raport të shkëlqyer me shokët e skuadrës. Më pas mora vesh nga gazetat se lojtarë të tjerë si Amoruso dhe Grabi kishin pasur të njëjtat probleme me Luçiano Moxhin. Kur isha te Fiorentina, në bashkëpronësi me Juventusin, dhashë një intervistë ku thashë se dëshiroja të qëndroja në Firence, pasi në Torino ishte Moxhi. Për mua, kjo u shndërrua në një tragjedi. Juvja ribleu kartonin, shkova në grumbullim me skuadrën dhe në fillim askush nuk më tha gjë për intervistën. Por kur shkuam të festonim titullin me kryetarin e bashkisë, mua më detyruan të rrija në autobus të prisja pjesën tjetër të ekipit", tregoi Mikoli. Më pas, ai ka treguar edhe kërcënimet direkte që i bënte ish-drejtuesi bardhezi. "Isha në grumbullim me Juventusin dhe Moxhi më ftoi në një takim bashkë me menaxherin, ku më tregoi se kishte arritur akordin me Portsmuthin. Unë e refuzova, pasi kisha një fëmijë të vogël dhe nuk doja të shkoja në Angli. Atëherë Moxhi më tha se do të më detyronte të mos luaja më futboll, duke shtuar se në Itali nuk më dëshironte askush, pasi kisha një karakter të vështirë dhe se Juventusi nuk dëshironte të humbte kot 2 milionë euro në vit", përfundoi ish-sulmuesi i bardhezinjve.