E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse duhen shtuar financimet për Qarkun e Vlorës



Ne 2 deputetët e PDU-së – jemi deputetë të Qarkut Vlorë, gjë që na obligon të shohim me shumë vëmendje fondet e akorduara për këtë qark. Ne sugjerojmë që, së bashku me pushtetin lokal, shoqërinë civile, të përpunohet një strategji e qartë, që do të jetë profili ekonomik i Qarkut Vlorë, e ku të harmonizohen qartë: potencialet turistike me kapacitetet aero–portuale dhe zonën industriale të Vlorës. Një strategji e tillë dhe bërja e një profili ekonomik për Qarkun e Vlorës, është një domosdoshmëri për zhvillimin e harmonizuar dhe pa kontradikta midis këtyre komponentëve turizëm-aeroport-port–zonë industriale... Nga 5 projekte të depozituara në Ministrinë e Arsimit për shkollat, janë akorduar fonde vetëm për 2 të tilla. Akoma më e pakuptimtë duket gjendja për 8 projekte të depozituara nga Bashkia e Vlorës pranë Ministrisë së Brendshme. Nga 9 projekte të depozituara janë financuar vetëm 4 prej tyre dhe ato në masën 10 për qind të tyre. E thënë ndryshe, vlera e 9 projekteve për infrastrukturën e kërkuar për financim është 3.4 miliardë lekë dhe janë miratuar vetëm 37.8 milionë lekë.

I nderuar Kryeministër!

Ne, si deputetë të Qarkut të Vlorës, insistojmë dhe kërkojmë mirëkuptimin tuaj për të paktën financimin e njërit nga projektet, i cili është shumë i rëndësishëm dhe shumë i çmuar për kthimin e qytetit të bukur të Vlorës në një qytet me tipare të një vendi turistik, e kam fjalën për ndërtimin e sistemimin e rrugës Skelë – Uji i ftohtë, apo ajo që quhet rruga bregdetare. Projekti i zbatimit është gati, e pritet vetëm financimi. Unë e kam parë personalisht këtë projekt dhe është nga më bashkëkohorët, në formën e një shëtitoreje, siç i ka hije një qyteti bregdetar bashkëkohor. Ne jemi në dijeni të nismës suaj për bërjen e gjurmës, si vazhdim i rrugës nacionale për segmentin Vlorë–Tragjas, që do ta lehtësonte shumë trafikun e turistëve drejt bregut dhe Sarandës. Kjo është një nismë, që duhet përshëndetur dhe ne gjejmë rastin ta bëjmë këtë sot. Kërkesa tjetër ishte për akordimin e fondeve për varrezat masive të fshatit Kllogjer, ku dergjen eshtrat e mbi 2.600 viktimave çame, kryesisht pleq, gra, fëmijë, të cilët vdiqën nga lodhja, etja, uria me të hyrë në territorin e shtetit shqiptar, pasi kishin lënë pas gjatë një javë në qershorin famëkeq të vitit 1994, mbi 2.500 të vdekur nga pastrimi etnik, apo genocidi i bandave të famëkeqit Napolon Zerva. Ata s’kishin bërë asnjë faj. Ata u vranë e u përzunë thjesht, sepse ishin shqiptarë. Z. Kryeministër! Komuniteti ynë dhe PDU janë të gatshëm që ta financojnë vetë këtë varrezë dhe memorialin përkujtimor. Por, ne mendojmë që, nderimi i tyre, e pasja dhe për ta, si për çdo njeri që lë këtë botë, i një banese të fundit e dinjitoze është detyrim dhe i bën nder jo vetëm çamëve, por të gjithë shqiptarëve. Për këtë arsye, ne u jemi drejtuar juve nga kjo foltore e Parlamentit të Shqipërisë, si Kryeministri i shqiptarëve. Komuniteti ynë do të bashkëfinancojë këtë projekt. Besoj se kërkesa jonë do të merret parasysh nga ju në mënyrë që shpirtrat e tyre të trazuar të prehen në paqe.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›