Tentativa; Grabitje me armë në lokal, plagoset një prej pronarëve
Kanë tentuar të grabisin me armë lokalin, por kanë hasur në rezistencën e pronarëve, duke plagosur me pistoletë një grua 43-vjeçare. Autorët e ngjarjes janë arrestuar pak orë më vonë nga policia. Ngjarja ndodhi në orët e vona të së enjtes në Mamurras. Dy persona të maskuar janë futur në një lokal, ku pas përplasjes fizike kanë plagosur me pistoletë 43-vjeçaren Hafije Ruka, gruaja e pronarit të lokalit. Dëmtime mori edhe i shoqi i saj, Skënderi, i cili u përlesh me dy grabitësit. Policia shkoi menjëherë në vendngjarje, ku pas hetimeve identifikoi dhe vuri në pranga autorët.
Ngjarja
Rreth orës 23.00 të së enjtes, dy persona të maskuar janë futur në lokalin në pronësi të Skënder Rukës. Ata ishin të armatosur me pistoletë. Brenda në lokal ndodhej edhe bashkëshortja e 48-vjeçarit, si edhe dy fëmijët. Grabitësit kanë kërkuar të gjitha paratë që mbaheshin në lokal dhe kanë kërcënuar personat që ishin brenda. Ndërsa ata ishin duke shkuar tek banaku për të marrë lekët, 48-vjeçari ka nisur përleshjen me dy grabitësit. Për ta ndihmuar ka shkuar edhe gruaja, si edhe fëmijët. Gjatë përleshjes janë dëgjuar dy krisma. Njëri prej plumbave ka kapur 43-vjeçaren Hafije Ruka në trup, duke e plagosur. Ndërkohë që edhe i shoqi i saj ka marrë një dëmtim në kokë, pasi është qëlluar me qytën e pistoletës. Gjatë përleshjes, 48-vjeçari ka rritur t’u heqë nga koka maskat dy grabitësve, duke i njohur ata. Por, ata kanë arritur që të largohen me shpejtësi nga vendngjarja. Policia nisi hetimet në lidhje me këtë grabitje, ndërkohë që mori edhe dëshmitë e para. Uniformat blu kanë sekuestruar si provë materiale edhe dy gëzhoja, të dala nga arma e përdorur nga dy grabitësit, maskat dhe dy pistoletat. Pas disa orësh, uniformat blu arrestuan autorët e ngjarjes. Sipas burimeve nga policia, ata janë 27-vjeçari Gjergji Ndoji dhe 16-vjeçari A. Ndoji. Policia shoqëroi dy grabitësit në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë para gjykatës për të marrë masën e arrestit.