E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fadil Hoxha sipas Murtezait

Në kinemanë ABC, në organizim të Shoqatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, u promovua libri “Fadil Hoxha, siç e njoha unë” i autorit Ekrem Murtezai.

“Fadil Hoxha, siç e njoha unë” titullohet libri i akademikut dhe filozofit Ekrem Murtezai, i cili i kushtohet njërës prej figurave më të njohura të periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë. Ky libër, i botuar nga ‘Libri shkollor’, u promovua të enjten në kinemanë ABC në organizim të Shoqatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare të Kosovës.

Duke folur për autorin e librit, kritiku letrar Vehap Shita tha se Akademik Ekrem Murtezai është emër i njohur në letrat tona në fushën e kulturës, të arsimit dhe të shkencës, veçmas të filozofisë, sociologjisë e psikologjise, fusha shkencore këto në të cilat ka fituar edhe disa tituj akademikë, mirënjohje e shpërblime të çmueshme.

Ndërkaq, për librin tha se ka një karakter krejt tjetër.

“Ky është një libër monografik-romanesk i shkruar me nervin e shkrimtarit, me saktësinë e shkencëtarit dhe me hulumtimin e publicistit të spikatur, e mbi të gjitha me dashurinë e sinqertë e respektin e madh të autorit ndaj protagonistit e veprës se tij”, tha Shita.

Për analistin Belul Beqaj, Fadil Hoxha është lider që ka përvetësuar ithtarët në saje të aftësive integrale me synim të udhëheqjes drejt realizimit të misionit dhe vizionit të caktuar për interesa të përbashkëta.

“Nga vlerësimet e autorit shihet se pak a shumë, çdo veprim i rëndësishëm është kalkuluar me probabilitet të madh për epilogun dhe pasojat e mundshme, që e karakterizon veçmas shkollën politike gjakovare, mungesa e të cilës ndihet shumë seriozisht edhe sot. Atë e ka karakterizuar aftësia për ta fituar respektin dhe besimin e oponentit”, tha Beqaj.

Ndërsa, shkrimtari Ramiz Kelmendi, duke perifrazuar titullin e autorit, u shpreh se e ka mbiquajtur titullin ‘Akademik Ekrem Murtezai, siç e lexova unë’.

Ai shtoi se librin e Ekrem Murtezait e ka lexuar me një frymë.

“Që nga faqja e parë e deri te faqja 214, me atë të veçantën e tij, shkrim rrëfimin që të pushton dhe të bën për vete ta ndjekësh, ta lexosh e të mos pushosh se lexuari derisa t’i dalësh në fund, sepse e shkroi dhe e rrëfeu duke e ndjekur parimin e Aristotelit ‘Amicus Plato, sed magis amica veritas’, e në rastin e tij ‘Më është i dashur Fadil Hoxha, por edhe më i dashur më është e vërteta’”, tha Kelmendi.

Vet autori i librit, Ekrem Murtezai, i cili për katër vite ka punuar pranë ish udhëheqësit komunist, foli për vijën gjakovare, të cilës i ka prirë Fadil Hoxha, e cila, sipas Murtezait, kauzën kombëtare e ka pasur në radhë të parë.

“Fadil Hoxha të gjitha interesat e tij politike i ka pasur në funksion të interesave kombëtare”, tha ai.

Më tutje ai foli edhe për nacionalizmin e majtë apo nacionalizmin komunist, që e ka veçuar Fadil Hoxhën, që sipas Murtezait, përkundër nacionalizmit shovinist, ka të bëjë më mbrojtjen e interesave të kombit pa urrejtje për kombet tjera.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›