E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshe me Shkolollin

Pas punës disa mujore si drejtor i Galerisë së Arteve të Kosovës, Erzen Shkololli, shpalos idetë dhe planet e tij, me të cilat synon të rregullojë Galerinë e Arteve, me punë, përkushtim dhe bashkëpunim edhe me ndërkombëtarët.

Erzen Shkololli, i cili tashmë drejton Galerinë më të madhe të Artit në Kosovë, në një intervistë për Express, nuk flet se si e ka gjetur Galerinë, por më shumë preferon të flasë se çfarë ka ndërmend të bëjë me këtë institucion gjatë 4 viteve të mandatit të tij.

Shkololli menjëherë ka treguar zotësinë e tij dhe lidhjet me artistët ndërkombëtarë. Që tani ka ftuar Rene Block-un, njërin nga kuratorët më të mëdhenj në botë dhe koleksionistin e famshëm të arteve bashkëkohore.

Ndërkohë që në fazën e konkurrimit pati prezantuar një program ambicioz, ndonëse një nga qëllimet kyçe për fillim ka qenë gjetja e ilaçit për problemet e grumbulluara. Duke mos hezituar të flasë për planet dhe ndryshimet e tij, ai citon “Qëllimi i GAK-ut duhet të jetë përkrahja e artit vizuel kombëtar, të ketë bashkëpunim cilësor me Shqipërinë, por edhe të krijojë ura lidhëse në mes artistëve, kuratorëve dhe menaxherëve kulturorë, në mënyrë që arti ynë të njihet jashtë kufijve por edhe kosovarët të kenë mundësi të përfitojnë nga zhvillimet botërore”.

Express sjellë intervistën e plotë me Erzen Shkolollin, pas disa muajve punë si drejtor i Galerisë së arteve të Kosovës.

Express: Z. Shkololli, në çfarë gjendje e keni gjetur Galerinë e Arteve?

Shkololli: Unë kam ardhur në pjesën e dytë të vitit dhe ketë vit do t’i krijojmë themelet e punës së madhe që na pret në vitet në vijim. Qe tani arritëm të ftojmë Rene Block-un, njërin nga kuratorët më të mëdhenj në botë dhe koleksionistin e famshëm të arteve bashkëkohore, i cili ka sjellë grafikat e veprave më të mira të bienaleve të kaluara rajonale dhe evropiane. Lista e artistëve që prezantohen me grafika është me të vërtetë e shkëlqyer, ndërsa shpresoj që edhe vitin e ardhshëm do të arrijmë të bëjmë ekspozita të mira në kontinuitet.

Express: Veç kanë filluar të shihen disa ndryshime, çfarë synoni të bëni gjatë mandatit tuaj? Çka e pret Galerinë katër vitet e ardhshme?

Shkololli: Unë kam konkurruar për drejtor me një program ambicioz dhe Bordi e ka vlerësuar atë. Qëllimi është që të gjejmë ilaçe për problemet e grumbulluara por edhe të kemi zhvillim, program sa më cilësor dhe këmbime me botën. Sa i përket problemeve janë dy shumë urgjente; i pari është shpëtimi dhe vendosja adekuate e fondit të galerisë. I dyti ka të bëjë me hapësirën, me rikonstruktimin dhe zgjerimin e objektit ekzistues. Për këtë të dytën kemi gjetur mjete për konkurs ndërkombëtar për projektin, por për realizimin e projektit duhet të kërkojmë mjete, nga ministria por edhe nga burimet tjera. Sa i përket programit dhe këmbimeve, së shpejti do të dalim me kriteret dhe idetë konkrete.

Express: E përmendet fondin e GAK-ut, në çfarë gjendje është aktualisht?

Shkololli: Është në gjendje shumë të keqe, në kushtet jo të përshtatshme që tashmë i kanë dëmtuar disa vepra. Duhet medoemos ta kyçim sektorin privat filantropist dhe donatorët. Është turp që tash e disa dekada nuk kemi pasur prurje të reja në fondin e veprave, ndërsa ato që i kemi janë të mbyllura në depo të GAK-ut. Por nuk është problem vetëm vendosja por edhe ekspozimi i veprave. Do të krijojmë program afatgjatë që sistematikisht dhe me koncept e jo shkel e shko, të ekspozojmë fondin e veprave të GAK-ut. Nëse shikoni Turqinë dhe tërë rajonin, ku ka pasur zhvillim të hovshëm të galerive dhe artit në këto 5 vitet e fundit, kjo ka ndodhur për shkak të futjes së sponsorëve e jo për shkak të rritjes së buxhetit nga shteti.

Express: Kush do të mund të ekspozojë në GAK, a do të duhej të plotësohej ndonjë kusht për të ekspozuar në GAK?

Shkololli: Është me rëndësi fundamentale që GAK të përdorë standarde të larta të punës, sepse vetëm ashtu ngritët reputacioni në Kosovë dhe jashtë Kosovës. Nuk mund të kemi më dhjetëra ekspozita në vit sepse thjesht nuk ka as hapësirë e as art kualitativ në Kosovë, ndërsa ekspozitat e mira kolektive janë të kushtueshme. Mendoj se duhet të funksionalizohet edhe Galeria e Ministrisë së Kulturës në Qafë, të kemi bashkëpunim me galeritë e qyteteve dhe të krijojmë programin, i cili synon shfaqjen e produksionit më të mirë vendor, dhe pastaj të kemi edhe ekspozita të yjeve të mëdha të artit botëror. Por, GAK duhet të ketë edhe programe ku do të mund të shfaqen autorët e rinj që kanë nevojë për promovim.

Express: A do të mundoheni të krijoni ndonjë urë bashkëpunimi me galeritë ndërkombëtare, sa konsideroni se ndikojnë ato në zhvillim të mëtutjeshëm?

Shkololli: GAK nuk mund të vazhdojë të operojë si ishull i ndarë nga ngjarjet dhe tendencat evropiane dhe botërore. Qëllimi i GAK duhet të jetë përkrahja e artit vizuel kombëtar, të ketë bashkëpunim cilësor me Shqipërinë, por edhe të krijojë ura lidhëse në mes artistëve, kuratorëve dhe menaxherëve kulturorë, në mënyrë që arti ynë të njihet jashtë kufijve por edhe kosovarët të kenë mundësi të përfitojnë nga zhvillimet botërore.

Express: E dimë qe ka pasur shumë ekspozita gjatë vitit, ndoshta edhe shumë më shumë që ka pasur kapacitet galeria. Sa ekspozita do të ketë gjatë vitit dhe a do të ketë edhe organizime tjera?

Shkololli: Numri i ekspozitave do të varet edhe nga buxheti. Por, unë jam i mendimit, dhe e kam edhe përkrahjen e Bordit, se nuk duhet të bëjmë garë me numra, të kemi sa më shumë ekspozita, edhe nga dy në muaj, në dëm të cilësisë. Në vetë objektin e GAK-ut do të kemi maksimum 12 ekspozita, kurse në objektet tjera që po i negociojmë do të mund të organizojmë edhe disa ekspozita tjera. Sa, kjo varet nga mjetet që do të kemi në dispozicion.

Express: Si do të organizohen dhe kush do t’i kurojë ekspozitat anuale siç janë ‘Muslim Mulliqi’, ‘Gjon Mili’ apo edhe bienalen e vizatimit? A do të provoni me qenë ndërkombëtare dhe me sjellë artistë të njohur?

Shkololli: Për programin nuk do të flisja sepse ende jemi në fazën e përgatitjeve dhe konsultimeve. Thash më herët se nuk e kemi as kornizën e buxhetit për planifikime më konkrete. Por, që tani jemi në negociata me disa ambasada për sjelljen e ekspozitave cilësore nga vendet me skenën e zhvilluar artistike, që edhe do të financoheshin nga këto ambasada, pra pa e ngarkuar shumë fondin modest të GAK-ut.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›