E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçi: S’ka mandat shtesë për shefin e UNMIK-ut

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i ka dërguar të premten mesazh shefit të UNMIK-ut në Kosovë se nuk ka mandat ta përfaqësojë Kosovën, dhe se Kosova nuk do t’i jap mandat të ri. Ai i bëri këto komente, në një deklaratë për media, i pyetur lidhur me deklaratat e shefit të UNMIK-ut, Farid Zarif, i cili ka thënë se propozimi i ndërmjetësit në bisedime Robert Kuper për menaxhimin e integruar të kufijve me Serbinë, është i bazuar në planin gjashtëpikësh të Ban Ki Munit.

Kuçi nuk ka dashur të flas për vërtetësinë e deklaratës, por ka thënë se kjo është një deklaratë e një njeriu që momenalisht nuk ka asnjë funksion kushtetetues në Kosovës.

“Shefin e UNMIK-ut e ftoj që ta bëjë tranzicionin sa më shpejtë që të jetë e mundur për detyrën e tij, të mos kërkojë të merr mandat të ri, sepse nuk i japin dhe nuk ka të drejtë kushtetuese dhe të tentojë ta transformojë misionin e tij në një zyre të OKB-së e cila mendojmë se do të jetë pikë lidhëse mes Kosovës dhe OKB-së. Përndryshe ai s’ka mandat të ri, nuk ka mandat ta përfaqësojë Kosovën dhe veprimet e tij duhet të jenë në përputhje me kushtetutën tonë”, ka thënë Kuçi.

Ai po ashtu ka pohuar se Qeveria ka njohuri për prezencën e MUP-it në Serbi, i pyetur nëse ka informacion se në veri ka hyrë një batalion i xhandarmërisë nga stacioni i Nishit, gjë që dëshmon se deklaratat e ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq për luftë nuk janë vetëm deklarata, por edhe veprime.

“Ne kemi informacione që ka pjesëtarë të MUP-it serbë atje dhe këto informacione janë të vërtetuara. Natyrisht në këtë drejtim besoj se do të jemi të pakompromis edhe ne. Në një mënyrë apo një tjetër është agresion i Serbisë që ndodhë mbi atë pjesë të territorit, por ne do t’i marrim masat tona ligjore. Ndërsa në anën tjetër, deklaratat e Daçiqit janë ato të Millosheviqit. Unë kam pas menduar se duke u rritur ai ndryshon, por duket që ka qenë i njëjti që ka qenë fëmijë”, është shprehur Kuçi.

Sido që të jetë, ai ka shprehur bindjen e thellë se në veri të vendit do të vihet rendi dhe ligji, në koordinim ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve ndërkombëtare, KFOR-it dhe EULEX-it dhe të gjithë shkelësit e rendit dhe ligjit do të vihen para drejtësisë. (Kosovapress)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›