E Diel, 1 Nëntor 2026

Fadil Kraja sjell dramën e familjes shqiptare me Midis dy Dhimbjeve

Dramaturgjia shqipe pushton skenën në teatrin Migjeni


Në teatrin "Migjeni", publiku ka qenë i shumtë dhe arsyeja ka qenë e mjaftueshme për të mbushur plot një gjigand kulture si ky teatër, i cili është në dekada një monument i vërtetë i artit shkodran. Dramaturgu Fadil Kraja, është paraqitur me një punë të fundit të tij, që e ka titulluar "Midis dy Dhimbjeve". Kjo ka qenë një nga arsyet që teatri ka qenë plot, por ajo që

mund të themi është se në fund drama ka bërë punën e saj. "Midis dy Dhimbjeve" është një temë aktuale që bie në teatër momentet e familjes shqiptare. Kraja ka gjetur një familje katolike shkodrane, e cila ka një çift të moshuarish të luajtur qartësisht nga Agron Dizdari dhe Merita Smaja në një dashuri për njeri tjetrin dhe fëmijët e tyre. Problemi i madh janë veshkat e babait të katër fëmijëve dhe bashkëshortit model, që nuk funksionojnë më. Duhet bërë një transplant. Këtu fillon edhe drama. Kjo është njëra dhimbje e madhe fizike por dhe morale për bashkëshorten dhe vetë babain i katandisur në karrocë invalidi. Por në kalim të tregimit dramatik, dalin një nga një personazhet dhe figurohet vajza murgeshë e luajtur mjaft mirë edhe pse jo në modelin e saj komik të zakonshëm nga Drande Xhai. Por, është edhe djali "badyguard" i një ministri i luajtur nga Simon Shkreli, kësaj radhe më i qartë dhe i drejtpërdrejtë se në një pjesë tjetër, duke qenë se është një prurje e re në dramë. Djali tjetër i shtëpisë Sandri me profesion "topograf-gjeometër" dhe këtu duket qartë se Kraja ka qejf të lidhë kohën e sotme me profesionet e djeshme, e luan debutuesi Ergys Bamçi prurje e re në "Migjeni" në rolin e një burri që i bindet shumë gruas së tij, e luajtur mjeshtërisht nga Marie Qyrsaqi. E fundit është vajza e vogël, e cila në dramë e nis prezantimin e saj si një prostitutë nga akuza e vëllait Sandër i cili ka shkuar deri në dhe të huaj për ta kërkuar, dhe aty e ka parë në një foto si një vajzë të përdalë. Rolin e kësaj vajze e luan Rajmonda Marku, dhe kështu mbyllet një ansambël i arritur interpretuesish i një drame tipike "alla Kraja" për sa i përket transmetimeve të emocionit. Por ka një diçka që në çdo dramë përbën kulmin dhe kësaj radhe edhe pse është kapur shumë qartë nga prof. Kraja, nuk arriti maksimumin e madh, sepse skenari apo edhe mendimi regjisorial nuk kanë dashur që dhimbja e veshkave të babait të ishte në ballafaqim me dhimbjen e marrjes vesh të vajzës prostitutë...akoma më e lartë. E në fakt vajza prostitutë, e cila thotë më shumë herë se sa duhet "unë do të bëhen një juriste dhe avokate" vetëm akuzohej, sepse nuk ishte një prostitutë dhe në shikimin e parë ulet disi "drama përballë dhimbjes së veshkave". Kraja me mjeshtëri ndërton dialogjet dhe skenat e  batutave të llogaritura me vend nga regjisori Kadria, por askush nga fëmijët normal të babait, as murgesha, as bodygardi dhe as topografi, nuk japin veshkën për jetën e babait. Këtë veshkë me shumë gëzim e jep pikërisht vajza "prostitutë", që në fakt nuk është një prostitutë. Mbase do të ishte akoma më lart....drama në realitetin e vajzës prostitutë...!! Por edhe me këtë ulje në lartësi të dramës dhe konfliktit, gjithsesi shfaqa është pëlqyer dhe respekti i spektatorit për lojën e aktorëve dhe dy realizuesit të moshuar, por me energji Fadil Kraja dhe Elez Kadria ka qënë i madh. I guximshëm realizimi i dy roleve të fortë dhe me aktoret e ndryshme. Bie fjala Drande Xhai në lojën e një murgeshe tepër gazmore dhe në dashuri për njerëzit e saj dhe pasion për zotin, dhe Monda Markun për një të akuzuar prostitutë, por që del një vajzë tepër e ndershme. Kjo dramë e Krajës është pritur mirë dhe teatri "Migjeni" arrin të vendosë drama të reja dhe premiera të tilla, që tërheqin spektatorin.


Drama shqipe është në krizë
Që drama është në krizë, këtë gjë e pranojnë të gjithë dhe në mënyra të ndryshme arrijnë të "justifikojnë një diçka të tillë", por faji shpërndahet kaq shumë, sa që në asnjë moment nuk ka një fajtor të vërtetë. Ka probleme me të shkruarit e dramës dhe koherenten. Ka probleme të mëdha me teatrin klasik dhe atë modern, ose trandjen midis tyre. Ka probleme të mëdha me spektatorin dhe nivelin e tij, por edhe biletën dhe nivelin e saj. Ka probleme me fondet dhe pagesat, por ka probleme edhe me konceptet e sotme të përballjes me tregun e kësaj gjinie në Shkodër. Më tepër kanë sukses "komeditë" qoftë edhe të një niveli të ulët, ku qeshura shkaktohet edhe nga banalja... por që qeshet. Kurse drama!! Drama që ka një identitet në Shkodër, ashtu sikundër edhe komedia, e ka të vështirë me sa duket të veprojë sot te njerëzit që "nuk kanë kohë të mendojnë dhe vuajnë ato një apo dy orë, në sallën e Migjenit". Mungojnë guximtarët e vërtetë që të arrijnë të fusin të renë teatrore në "Migjeni" edhe në saj të kushteve të vështira të mbijetesës në art. Mungojnë ato, apo është në mungesë vetë koha...!!  Nejse, disa kohë më përpara Stefan Çapaliku në modelin e  tij të dramave, vuri në skenë një të tillë, duke  i qëndruar risisë që e bën të guximshëm këtë dramaturg dhe kësaj radhe është Fadil Kraja, që vazhdon guximin për të shpalosur klasicizmin dramaturgjik të tij edhe në vitin 2010. Mbase nuk është temë për këtë shkrim por ama është një temë e rëndësishme kjo, sidomos në Shkodër. Kohët e fundit teatri ka pasur rritje edhe në dramën e  kërkuar, padyshim që edhe kujdesi i Bashkisë ka qenë më i madh, por mbetet problemi i futjes së elementeve dekor dhe realizime moderne apo efekte teatrore në skenë të cilat kanë lidhje me buxhetin e dramave. Akoma mbetet problem futja e teatrit të ri dhe bashkëkohor me drame të tilla që kalojnë konceptet e viteve 80-90 në Shqipëri. Është e vështirë sigurisht, por aspak e pa mundur dhe sidomos në një nga qytetet që konsiderohet konservator, por gjithashtu edhe i guximshëm në art dhe kulturë.


Nga Besi Bekteshi

Last Updated on E Marte, 20 Prill 2010 19:40

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›