Fagu: Në Shqipëri nevojitet Institucioni i anti-dopingut
Presidenti i KOKSH-it e shikon si problem emergjent kontrollin e sportistëve shqiptarë në lidhje me përdorimin e substancave të ndaluara
Shqipëria është një nga vendet e pakta në Europës që nuk ka një agjenci anti-doping për sportin. Sipas presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Agim Fagu, krijimi i institucionit që do të kontrollojë përdorimin e substancave të ndaluara nga sportistët renditet në vendin e parë të listës së objektivave të KOKSH. Fagu shprehet se një tjetër synim jo më pak i rëndësishëm është krijimi i ligjit të ri të sportit, që do të ndihmonte në rritjen e përfaqësimit të atletëve shqiptar në arenën ndërkombëtare. "Duhet të ngremë autoritetin kombëtar antidoping, që është shumë i rëndësishëm. Është një nga detyrimet që kemi nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe nga lëvizja olimpike botërore, sepse në Shqipëri nuk ekziston një autoritet i tillë. Kam përshtypjen se duhet të punojmë më tepër në një bashkëpunim ku KOKSH të ketë mundësi të ndërtojë institucionet e tij dhe bazën e tij sportive, e cila do t’i shërbejë të gjithë sportistëve shqiptarë për pjesëmarrje sa më të mirë në lojërat olimpike botërore", tha Agim Fagu, president i KOKSH. Institucionet ndërkombëtare e kanë cilësuar dopingun si “sëmundjen” më të madhe të sportit botëror, ndërkohë që nuk kanë munguar akuzat por edhe rastet ku sportistët shqiptarë kanë rezultuar pozitivë në përdorimin e substancave dopuese.