Rama: Berisha të dëgjojë kambanat e FMN, të mos bëjë si në vitin ‘96
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje në një konferencë për shtyp se kryeministri, Sali Berisha, duhet të pranojë rënien ekonomike në vend dhe duhet t’u përgjigjet kambanave të alarmit të lëshuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për të mos rrezikuar ekonominë shqiptare.
“Unë i bëj sot apel kryeministrit të mos përsërisë gabimin historik të pragvitit ’96, kur nuk i dëgjoi kambanat e FMN e të Bankës Botërore dhe t’i dëgjojë thirrjet tona të përsëritura për të kthyer buxhetin në realitet, për të pranuar rënien ekonomike, për të mos rritur shkallën e rrezikut duke thelluar borxhin për shpenzime të papërgjegjshme elektorale, për të mos aplikuar paga reference e gjoba abuzive mbi biznesin dhe për të mos rrënuar themelet e shtetit të të gjithëve për interesat e pushtetit të disave”, - tha Rama.
Kryetari i PS deklaroi se investimet elektorale po kthehen në kërcënim për ekonominë e vendit.
“Duke i rënë më fort se asnjëherë tjetër kambanës së alarmit për qeverinë shqiptare, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se vendi shkon drejt rritjes ekonomike zero dhe përdorimi i mëtejshëm i të ardhurave për shpenzime e investime elektorale kërcënon drejtpërdrejt buxhetin e rrogave e të pensioneve.
Duke i rënë më fort se asnjëherë tjetër kambanës së alarmit për qeverinë shqiptare, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka lënë të kuptohet qartësisht se ecja kokëfortësisht më tej në rrugën e mohimit të krizës, me gërshërë që nga njëra anë presin shirita investimesh të zbuluara financiarisht, kurse nga ana tjetër shkurtojnë financimin e sigurimeve shoqërore, është një marshim drejt një hendeku tejet të rrezikshëm”, - tha Rama.
Drejtuesi i PS u shpreh se opozita nuk gëzohet me këtë realitet, por është e gatshme të ofrojë kontributin e saj.
“Duke i rënë më fort se asnjëherë tjetër kambanës së alarmit për qeverinë shqiptare, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë një apel kumbues për pranimin e krizës që po mbërthen vendin dhe për kthimin në realitet të atyre që na qeverisin, të cilët nuk mund ta mbysin edhe njëherë Shqipërinë në batakun e papërgjegjshmërisë duke mohuar efektet e një krize që ka prekur ekonominë reale shqiptare, që po godet sistematikisht të ardhurat e bizneseve dhe po ul përditë fuqinë blerëse të familjeve shqiptare.
Ne nuk duam të vëmë kujën që të alarmojmë shqiptarët e të nxisim konfuzionin e pasigurinë për përfitime elektorale, po duam të bashkëpunojmë e të kontribuojmë që kriza të mos i bëjë vendit e njerëzve dëme të tepërta për shkak të një keqmenaxhimi qeverisës që vjen nga etja për pushtet në prag zgjedhjesh.
Ne nuk duam të përfitojmë nga kriza, po duam që familjet shqiptare të mos humbin prej saj për shkak të verbërisë e të shurdhërisë së atyre që na keq-qeverisin”, - deklaroi Rama.
PD: Kemi fondet për të rritur pagat dhe pensionet, Ramës do ia vëmë kufirin te thana
Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, tha dje se qeveria do të rrisë rrogat dhe pensionet. Mëhilli komentoi deklaratat e kryetarit të opozitës, Edi Rama, se vendi po shkon drejt kolapsit ekonomik. Sipas Mëhillit, qeveria është e vendosur për t’i vënë kufij Ramës që po abuzon me mbledhjen e taksave të biznesit të ulët.
“Sot, z. Rama apo Mr. 15% u paraqit para medieve si një vajator i krizës ekonomike. Sot, ai i bëri thirrje qeverisë të mos rrisë rrogat e pensionet, pasi, sipas tij, kjo rrezikon themelet e shtetit.
Z. Rama, i cili ka 3-4 fishuar taksat vendore për biznesin e vogël, po bën çdo përpjekje për të nxitur krizën në Tiranë, ndaj edhe qeveria ka vendosur ta ndalojë dhe me një dekret të posaçëm do t’i vërë atij “kufirin te thana”, siç është shprehur edhe kryeministri dhe nuk do të lejojë asnjë rritje tjetër të tarifave e taksave ndaj biznesit të vogël më shumë se 10%.
Z. Rama, sa hidhet e përdridhet si vajator i krizës, bën mirë të dorëzojë planin urbanistik të Tiranës, në mënyrë që qytetarët e këtij kryeqyteti të mos i gjobisë më me 15% për lejet e ndërtimit dhe të mos organizojë me Eftimët e Shalsat e tij mbledhje në ditë festash për të ndarë me ta lejet e ndërtimit.
Për sa u përket rrogave e pensioneve i themi z. Rama se kjo qeveri disponon fondin e plotë për t’i rritur ato qindarkë për qindarkë, siç i ka premtuar dhe se zotëron të gjitha mjetet për plotësimin e të gjitha kërkesave të buxhetit të vitit 2009 të votuar në parlament”, - tha Mëhilli.
PS: Po kryhen punime të paparashikuara në buxhet
Socialistët kanë denoncuar abuzimet me punimet elektorale që po bën qeveria. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Erion Braçe, tha se ka disa raste kur punimet po bëhen në projekte që nuk janë parashikuar në buxhet, duke u abuzuar me to, e duke futur dhe firmat që bëjnë punime në borxh me shtetin.
“Kemi të faktuar tashmë mosmbulimin me pará publike të një numri shumë të madh projektesh publike të nisura për qëllime të qarta elektorale vetëm tani 3 muaj para skadimit të mandatit.
Po përmend vetëm punët në dy akse, Plepa-Rrogozhinë dhe Fushë Krujë-Milot, ku për 2008 ka 0 lekë në tabelat buxhetore depozituar në Kuvend, ndërsa për 2009 ka respektivisht nga 1 milion USD ose 100 milionë lekë të reja pasqyruar po në tabelat buxhetore të depozituara në Kuvend”, - tha Braçe.
“Gjendemi përballë një skeme të qartë e të paligjshme të kryerjes së tenderëve pa pasur në dispozicion fonde në buxhetin e shtetit të vitit 2009.
Për këtë shkak kemi copëtim të segmenteve në shumë lote që i korrespondojnë 1 deri në 2 km e shkojnë deri në 10-12 të tilla për çdo segment në ndërtim, të hyrjes në borxh të shtetit te kompanitë private, të cilat prej 3-4 muajsh i detyrojnë të punojnë me paratë e tyre duke i zhytur dhe ato në vështirësi financiare përtej vështirësive të krizës që po i godet.
Lidhur me këtë abuzim marramendës me çmimet, kostot dhe cilësinë në ndërtimin e akseve të rëndësishme rrugore (vetëm 4 km, nga Plepat në Golem, janë ndarë në 3 lote nga 1250 m, të cilët kushtojnë sipas tabelave 13 milionë USD ose mbi 3 milionë USD për km, kur gjithë rruga aktuale prej 28 km ka kushtuar vetëm 20.5 milionë euro)”, - vijoi më tej Braçe.
Sipas Braçes, projektet po devijohen sipas interesave të njerëzve të Berishës.
“Abuzimi shtohet dhe më, kur projektet po deformohen në mënyrë skandaloze për qëllime abuzive elektorale e klienteliste (rruga nga Plepat në Golem është tjetërsuar si projekt që parashikonte zgjerim në krahun e djathtë shoqëruar me një rrugë paralele duke izoluar thjesht për interesa të distributorëve të karburantit mbi 120 mijë banorë në ndërtesa me leje; po kështu rruga hyrëse në Kavajë është bërë me dredha për shkak të distributorit të karburantit të një prej ofiqarëve më të lartë të Sali Berishës në Kavajë”, - tha Braçe.