E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi Zgjedhor Godo: Partitë ti rikthehen sistemi proporcional kombëtar

Autori i Lajmit: S. Topi
Politika shqiptare duhet të rinisë diskutimin për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Këtë ide e mbështet dhe republikani Sabri Godo. Duke folur për “Ballkan” ai madje ka dhënë dhe alternativat e mundshme për sistemin e ri zgjedhor. Sipas njërit prej hartuesve të Kushtetutës partitë politike duhet të vendosin përsëri të ndryshojnë sistemin zgjedhor në vend për faktin se ai që u zbatua në zgjedhjet e 28 qershorit, pra sistem proporcional rajonal nuk është i duhuri për vend tonë. Sipas Godos alternativa më e mirë do të ishte një sistem proporcional kombëtar edhe pse ai nuk përjashton as sistemin e kaluar mazhoritar. Sipas tij sistemi vjetër zgjedhor ishte mjaft i mirë por u deformua nga politika. Në kuadër të këtij diskutimi ai sugjeron që opozita të kthehet në Kuvend ndërsa pohon se kjo parti po bie në kontradikta me veten ndërsa kërkon zgjedhje të reja por braktis Parlamentin. Godo mendon që të zhvillohen zgjedhje të reja fillimisht duhet të opozita të kthehet në Parlament për të krijuar shumicën e nevojshme dhe për të bërë ndryshimet e duhura në Kod. Ai e konsideron si jo të drejtë dhe veprimin e fundit të selisë rozë e cila u paraqit në Kuvend për të dorëzuar dy nismat e saj dhe më pas u largua në pritej të një përgjigje nga mazhoranca.
Deklarata
“Sistemi proporcional rajonal që u zbatua në zgjedhjet e 28 qershorit është një sistem që e kemi huazuar nga Spanja por ne kemi një gjeografi politike tërësisht tjetër që nuk na përshtatet”, - pohon Godo duke kundërshtuar në këtë mënyrë zgjedhjen e demokratëve dhe socialistëve të bërë 6 muaj para zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Sipas tij politika duhet të diskutojë këtë çështje ndërsa sugjeron se alternativa më e mirë do të ishte sistemi proporcional i pastër. “Duhet të diskutohet nëse do të kalojmë në sistemin e pastër proporcional në shkallë kombëtare, çka sipas meje është dhe alternativa më e mirë apo të rikthehemi në sistemin e parë mazhoriatar të pastër, që nuk ishte i keq por që u keqpërdorua. Duhet të përcaktohet më parë sistemi dhe më pas të hartohet kodi i cili duhet të parashikojë dënime të rrepta penale për njerëzit që krijojnë çrregullime ose vënë dorë në procesin zgjedhor”, - pohon Godo. Ai shton se opozita duhet të kthehet në Kuvend për të diskutuar këto ndryshime. “Duhet që opozita të vijë në Parlament në radhë të parë për të diskutuar sistemin zgjedhor dhe kodin e ri zgjedhor. Nëse opozita kërkon zgjedhje të reja duhet të dijë se nuk mund të bëhen zgjedhjet e reja pa pjesëmarrjen e tyre që të krijohet shumica parlamentare. Kështu që në këtë pikë ata bien disi në kundërshtim me veten e tyre me qëndrimin jashtë Parlamentit”, - pohon ai. Godo ironizon dhe veprimet e fundit të Partisë Socialiste dhe deklaratat e Gramoz Ruçit se “topi është në fushën e mazhorancës”, duke thënë se Parlamenti nuk është fushë futbolli. “Shkuan atje për të thënë që tani ia lëmë topin Berishës. Këtu nuk luhet futboll, kemi të bëjmë me fatet e këtij vendi dhe kjo nuk më duket aspak serioze”, - shprehet ai. Sipas tij, tashmë është e qartë se presidenti nuk mund të bëjë më asgjë për të zgjidhur krizën. Godo thekson se një zgjidhje e tillë tashmë mund të realizohet vetëm nga Komisioni i Venecias. “Unë nuk besoj se Presidenti do të mund të çojë më tej këtë çështje. Presidenti bëri ata që i thanë të bënte. Nuk e di pse socialistët refuzojnë ti referohet kjo çështje Komisionit të Venecias, meqenëse tashmë është e qartë që ky konflikt mes PD dhe PS këtu brenda nuk do të zgjidhet. Atëherë doemos duhet të kërkojmë një arbitër dhe kjo nuk më duket ndonjë gjë anormale", - pohon republikani Sabri Godo.

Reagimi
LSI: Gati paketa e propozimeve për Kodin

Lëvizja Socialiste për Integrim e konsideron të mbyllur përfundimisht procesin zgjedhor të 28 qershorit dhe nis përgatitjet për ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor i cili u luftua gjatë prej saj para miratimit në Kuvend me konsensusin e dy partive të mëdha. Zëvendëskryetari i LSI-së, Edmond Haxhianasto pohoi dje se tashmë ekspertët e kësaj partie kanë nisur punën për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe të gjitha këto propozime do të bazohen te rekomandimet e bëra nga OSBE?ODIHR.
“Debati politik i muajve të fundit për problematikën e zgjedhjeve të 2009-tës, duhet të marrë një drejtim të ri: fillimin sa më parë të reformës zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme”, - u shpreh dje Haxhinasto. Sipas tij zgjedhje të lira e të ndershme, konkurrimi i ndershëm dhe i barabartë për të gjithë, proces i pakontestuar nga partitë pjesëmarrëse dhe gjithëpërfshirja e tyre, garantohet vetëm me një kuadër ligjor sipas standardeve ndërkombëtare, pra me një Kod Zgjedhor sipas këtyre standardeve. Haxhinasto pohoi se LSI ka filluar punën për përgatitjen e një platforme për përmirësimin e Kodit Zgjedhor duke riparuar defektet e vëna re gjate zgjedhjeve te 2009-tës. “Si dhe duke zbatuar rekomandimet e OSCE/ODIHR në raportin e saj përfundimtar. Këto propozime do të paraqiten në mënyrë institucionale në Parlament”, - u shpreh zëvendëskryetari i LSI-së. Gjithashtu ai theksoi se ligji elektoral nuk duhet të përsërisë kontestimet nga partitë pjesëmarrëse. “Duke njohur gjithsecili përgjegjësitë përkatëse në hartimin e Kodit Zgjedhor të kaluar, është momenti të tregohet maturi politike dhe angazhim institucional për të filluar një proces gjithëpërfshirës në përmirësimin e Kodit dhe standardeve për zgjedhjet e ardhshme. Ligjet nuk përmirësohen duke bërtitur nga rruga dhe as duke hedhur “shashka” politike!”,- u shpreh Haxhinasto. Sipas tij, angazhimi apo tërheqja para një përgjegjësie të tillë do të tregojnë më së miri, nëse motivet e opozitës janë përsosja e standardeve të zgjedhjeve apo provokimi i krizës politike.

Ky lajm është publikuar: 01/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›