Fajet i ka Iliri
Kam kërkuar përgjegjësi për zhagitjen e zgjedhjes së drejtorit të QKU-së dhe kryeinspektorit shëndetësor. Për këtë fajet i ka Ilir Tolaj, sekretar permanent në MSH. Njerëzit mendojnë t’i realizojnë qëllimet e tyre, duke emëruar persona në pozita të larta në sektorin shëndetësor. Grupet e interesit dhe të ndikimit politik në shëndetësi janë mjaft aktive. Po punoj në reformimin e sistemit shëndetësor. Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani flet për Express.
Express: Raportet tuaja me sekretarin permanent në MSH nuk janë aq të mira. Pse?
Agani: Nuk mund të them që raportet nuk janë të mira, por që janë raporte që në një masë reflektojnë pakënaqësinë time me një situatë që administrata shtetërore e shëndetësisë nuk po është në gjendje të kryejë disa detyra të cilat janë kompetencë e saj. Konkretisht bëhet fjalë për emërimin e disa personave në pozita të larta drejtuese, siç është ajo me drejtorin ekzekutiv të QKU-së, pastaj kryeinspektorin shëndetësor në MSH, po ashtu edhe AKPM, po në këtë rast kjo nuk është e lidhur drejtpërdrejt me zyrën e sekretarit.
Express: Pse vendos sekretari, për shembull, se kush mund të jetë drejtori i QKU-së, ose kryeinspektor, ose në ndonjë pozitë tjetër?
Agani: Kompetencat ligjore qëndrojnë tërësisht me zyrën e sekretarit të përhershëm, emërimi i zyrtarëve në pozita të larta menaxhuese në sektorin e shëndetësisë, prandaj çdo interferim i ministrit në këtë proces do të interpretohet si ndërhyrje politike. Hapësira për manovrime është shumë e ngushtë, natyrisht unë i shfrytëzoj të gjitha kompetencat e mia ligjore që gjërat t`i mbaj nën kontroll, mirëpo megjithatë ka vështirësi mjaft të mëdha në këtë aspekt. Kjo ministri, ju e dini se ka një histori të gjatë, e ka një histori shumë të ngarkuar të marrëdhënieve ministër- sekretar, madje edhe ministri i parë është shkarkuar për shkak të një procesi të tillë të konfliktit. Këtu kemi ngarkesat nga e kaluara, që unë në një masë jam duke i trashëguar dhe merrem me to, në një masë të madhe janë duke më penguar në punën time.
Express: Keni kërkuar shkarkimin e Ilir Tolajt?
Agani: Ajo që unë kam kërkuar duke pasur parasysh kërkesën e kryeministrit që të bëhet ripërtëritja e të gjithë sekretarëve permanentë në të gjitha ministritë, kam kërkuar nga KELP-i që të deklarohet lidhur me validitetin e kontratës së punës të sekretarit të MSH-së, në mënyrë që unë të procedoj ose jo me hapjen e konkursit.
Express: Keni marrë përgjigje nga KELP-i?
Agani: Jam në pritje, jo ende nuk kam përgjigje.
Express: Në QKU nuk ka drejtor, klinikat janë pa drejtor vetëm me U.D., AKPM-ja pa kryeshef ekzekutiv, nuk ka kryeinspektor shëndetësor në MSH. Kush është përgjegjës për këtë situatë?
Agani: Natyrisht se përgjegjësia qëndron mbi ata që udhëheqin procesin për zgjedhjen e tyre dhe prej kësaj askush nuk mund të lirohet dhe se dështimet në përzgjedhjen e drejtorit të QKU-së e kanë emrin dhe mbiemrin, e kanë adresën ...
Express: Zyra e sekretarit të përhershëm?
Agani: Po, normalisht zyra e zekretarit permanent, e cila duhet të sqarojë se për çka bëhet fjalë. Unë kam kërkuar sqarime, arsyetimet janë prej më të ndryshmeve. Është shumë e qartë se MSh-ja ka qenë, e në përgjithësi sektori i shëndetësisë, ka qenë i politizuar në masë të skajshme, ka interesa të mëdha politike, të grupeve të caktuara dhe individëve, të cilët tentojnë që duke pozicionuar njerëz në pozita, në institucione me rëndësi, t’i realizojnë interesat e ndryshme të tyre. Jam i vendosur që këtë praktikë ta ndërpres. Është një proces i ballafaqimit tani në këta muaj, unë e kam bërë shumë të qartë se në procesin dhe emërimin e përzgjedhjes së zyrtarëve të lartë nëpër institucione shëndetësore do të respektohet deri në fund fjala e ligjit, duke mos pasur kurrfarë konsiderate tjetër, përveç profesionalizmit dhe integritetit etiko-moral të kandidatëve. Në këtë aspekt ku kam parë se ka pasur luhatje në procesin ligjor, kam reaguar në disa raste, në disa raste KPM`ja, e në disa raste sekretari i përgjithshëm. Jam i vendosur që gjërat të vihen në binarin ligjor, por shumë qartë po shihet se ka vështirësi të mëdha në këtë proces. Nuk është lehtë që të humben territoret që dikush i ka konsideruar të fituara dhe në zotërim.
Express: Nuk jeni vetëm që ju që keni telashe me sekretarin, edhe ministrat para jush kanë pasur probleme të tilla. Keni fuqi të luftoni deri në fund?
Agani: Raportet e mia më sekretarin janë udhëhequr gjithmonë me logjikën dhe parimin e tentimit për të vendosur një bashkëpunim maksimal, sepse MSH-ja është cilësuar gjithmonë me mungesë të lartë stabiliteti. Në këtë ministri, në vitin e fundit janë ndërruar dy ministra dhe tre sekretarë të përgjithshme. Një jostabilitet i tillë në pozita të larta reflekton shumë keq në komunitetin e donatorëve. I vetëdijshëm plotësisht për vështirësitë me të cilat do të ballafaqohem. Vështirësitë në këtë ministri nuk vijnë nga raportet ministër-sekretar, por nga interesat e ndryshme që janë të interferuara e që shkojnë nëpër këtë ministri nëpër të gjitha poret e administratë së kësaj ministrie, në njëfarë mënyre kemi infiltrim të politikës në çdo segment dhe mandej kjo reflekton në një mospajtim të ministrit dhe sekretarit që janë dy figurat më eksponente. Unë isha i vetëdijshëm se në çfarë procesi po hyj dhe sikur mos ta kisha pasur alternativën time politike e reformuese, unë nuk do të vija në krye të kësaj ministri asnjëherë, po jua them të drejtën.
Express: A e keni përkrahjen e kryeministrit për të gjitha këto që thoni?
Agani: Kemi konsulta, kam përkrahjen, por përkrahjen më të madhe e kam gjetur në reformimin e sistemit shëndetësor. Në këtë drejtim jam i kënaqur dhe pres mbështetjen e grupeve parlamentare, Komisionit parlamentar për shëndetësisë, punëtorëve shëndetësorë etj. Arritja e imja në këta gjashtë muaj, është nënshkrimi i kontratës sektoriale me Federatën e Sindikatave Shëndetësore të Kosovës, e cila në masë të madhe i ka ulur tensionet në sektor dhe ka krijuar një klimë pozitive të një angazhimi më të fuqishëm në përmirësimin e kualiteteve të shërbimeve shëndetësore.
Express: Furnizimi me barna në QKU dhe spitalet regjionale mbetet jo i kënaqshëm. Si është gjendja me furnizim. Barnat esenciale, materiali shpenzues e të tjera.
Agani: Situata është mjaft komplekse dhe e cilësuar me vështirësi të llojeve të ndryshme. E para ka të bëjë me financimin mjaft të ulët të sistemit farmaceutik, pra blerja e barnave nga lista esenciale është e financuar mjaft dobët nga Qeveria. Kjo shumë e parave prej 18 milionë eurosh është e vogël për të plotësuar nevojat e banorëve të Kosovës. Lloji i dytë i problemeve ka të bëjë me keqmenaxhimi i këtyre barnave që i kemi në dispozicion, ku ka pasur keqpërdorime të llojeve të ndryshme. Unë për këtë gjashtëmujor i kam aktivizuar të gjitha inspektoratet, në mënyrë që këto dukuri negative në sistemin e menaxhimit të branave të eliminohen. Zbulimet nga raportet e inspektorëve flasin për ato që një numër i madh i barnave dhe materialit harxhues nga sektori publik, nga lista esenciale, po dalin në sektorin privat.
Express: A keni ndëshkuar ndokënd?
Agani: Kemi ndëshkime, ka pasur mbyllje të klinikave, marrje të licencave dhe do të ketë edhe në të ardhmen. E, problemi i tretë që lidhet me barnat është korrupsioni që lidhet me të dytin, si pjesë e krimit të organizuar në shëndetësi. Jemi duke punuar me Agjencinë Kundër Korrupsionit, me Njësinë e Krimeve Ekonomike, me të gjitha organet kompetente dhe mundësitë që këto dukuri të eliminohen. Ndërhyrja e Qeverisë për masat e reciprocitetet dukshëm e ka përmirësuar sektorin farmaceutik, sepse nga pjesa veriore kanë hyrë në vazhdimësi barna të kontrabanduara që kanë shkaktuar probleme të mëdha sa i përket sigurisë së barnave në vend.
Express: Kur mund të këtë QKU-ja drejtorin ekzekutiv dhe AKMP-ja kryeshefin?
Agani: Konkursi për drejtor tashmë ka një javë që ka dalë. Mendoj kah mesi i shtatorit, QKU-ja të bëhet me drejtor, ndërsa AKPM-ja pres hapjen e re të konkursit, meqenëse në rrethanat e krijuara unë nuk kam qenë në gjendje që të jap një propozim për ndonjë kandidatët të preferuar timin që më mundëson ligji. Kam kërkuar përsëritjen e konkursit.
Express: Çfarë po ndodh me Projektligjin për shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore. Keni pasur disa vizita, ku jeni takuar me zyrtarë të Bankës Botërore, Komisionin Evropian etj.
Agani: Ky është segmenti i punëve për të cilin flas me kënaqësi. Dimensioni i punëve që është varur nga ana ime, që do të thotë hapja e perspektivave për ndryshimin e gjendjes në sektorin e shëndetësisë. Kam qenë i bindur e tash jam edhe më shumë se me të vërtetë rrugëdalje tjetër nuk ka, pos me ndryshimin e sistemit shëndetësor dhe ky ndryshim realizohet me një kornizë ligjore, reformuese, e cila është gjithëpërfshirëse, e koordinuar dhe është pjesë e një koncepti politik për daljen nga kjo situatë. Ne kemi përpiluar dy projektligje, tash jemi në fazën e konsultimeve përfundimtare me BB-në, Bashkësinë Evropiane, OBSH-në, sepse është me rëndësi që këto projektligje të gëzojnë një konsensus të gjerë. Ato e kanë pronësinë e qartë kosovare, ato janë të shkruara në ministri, por janë duke u pasuruar me konsultimet e partnerëve ndërkombëtarë. Kur kam ardhur këtu, ka qenë rikthimi i besimit te komuniteti ndërkombëtar në MSh, e cila ka qenë plotësisht e humbur. BB-ja na ka fshirë komplet nga fondi i tyre, shumë donatorë nuk janë prezentë fare në Kosovë, prandaj kam pasur shumë takime në Shqipëri, Maqedoni, Gjermani, e së fundi në SHBA një vizitë të gjatë, ku u takova me përfaqësues të BB-së, me të cilët biseduam rreth këtyre dy projektligjeve. BB-ja i ka dërguar komentet e tyre para një muaji, ne i kemi inkorporuar ato në projektligj, tash e kemi dërguar versionin tjetër dhe po i presim komentet përfundimtare të BB-së. Kam marrë po ashtu komente nga Komisioni Evropian, zyra në Prishtinë, me komente konkrete për projektligjet, në këtë aspekt kemi avancim shumë pozitiv të gjendjes dhe pres rezultate pozitive në periudhën e ardhshme.