E Shtunë, 31 Tetor 2026

Yrysh n’Kosovë

Sivjet pritet që në tregun kosovar të hyjë edhe një bankë e fuqishme turke. Banka Qendrore e Kosovës konfirmon se janë në bisedime me disa banka turke, që duan të vijnë këtu me kapitalin e tyre. TEB’i dhe BKT’ja tashmë operojnë në Kosovë si banka turke. Nga Ismail Gashi më 27 gusht 2011 në ora 08:22

Pas Aeroportit dhe tentativave për ta marrë KEK-un, turqit e kanë vënë në shënjestër edhe sektorin bankar të Kosovës.

Expressi përmes burimeve ka mësuar se sivjet së paku një bankë me kapital turk, do t’i shtohet tregut bankar të Kosovës.

Edhe zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës konfirmojnë se janë në bisedime me disa banka, në mesin e të cilave kryesisht ka nga Turqia.

Zëdhënësi i BQK-së, Besnik Kada ka thënë për Express se të interesuar për të hyrë në tregun bankar në Kosovë ka mjaft, por interesimi i tyre nuk është materializuar ende me ndonjë aplikacion për t’u licencuar.

“Të interesuarit për momentin janë kryesisht nga Turqia”, ka thënë ai.

Prania ekonomike e Turqisë në Kosovë po bëhet çdo ditë më e madhe. Turqit aktualisht janë prezentë në tregun bankar me dy banka komerciale BKT-ja dhe TEB-i të cilat janë konsoliduar mjaft mirë në Kosovë.

Përveç sektorit bankar, turqit janë mjaft të pranishëm edhe me investimet e tjera. Përveç Aeroportit, janë tri kompani turke të parakualifikuara për privatizimin e distribucionit të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, turqit kanë investuar mbi tetë milionë euro në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Pavarësisht tregut aktual, ekspertët e ekonomisë thonë se në Kosovë ka ende vend për banka të reja, por janë skeptikë se do të ketë ndryshime pozitive në uljen e normave të interesit.

“Ajo çfarë i duhet Kosovës, është një bankë konkurrente, e cila sjell jo vetëm risi në shërbime, por edhe ka aftësi të luajë me normat e interesit, duke thyer komforin e bankave aktuale që operojnë në Kosovë", thotë Rudina Heroi-Puka, analiste në Institutin GAP. Ajo vlerëson se përkundër faktit që Kosova nuk ka numër të lartë të banorëve, ka ende kapacitet për konkurrentë të rinj në treg.

Megjithatë, ajo dyshon se futja e një banke të re do të bëjë ndryshime sa i përket konkurrencës. “Më duhet të them se jam skeptike nëse futja e një banke të re në treg do të sjellë konkurrencë të mirëfilltë, meqenëse rreziku për kthimin e kredive po vazhdon të jetë i lartë, gjë që po i mban të larta edhe normat e interesit dhe si rezultat në këtë rast do të kishim një numër më shumë të bankave në Kosovë, por jo edhe konkurrues”, ka thënë Heroi-Puka.

Sipas saj, konkurrenca mes bankave ka mbetur shumë e ulët edhe pas hyrjes në treg të bankave të reja. “Edhe pse ka pasur disa lëvizje në normat e interesit, këto ishin aq të ulëta. sa pothuajse janë të padallueshme. Mirëpo, risia që sollën bankat janë shërbimet e reja dhe viti 2010 u karakterizua me ofertat e ndryshme të shërbimeve, respektivisht paketave të ndryshme bankare”, shpjegon Heroi-Puka.

Në anën tjetër, eksperti nga Riinvesti, Fisnik Bajrami thotë se konkurrenca aktuale e tregut bankar nuk është e shëndoshë. Sipas tij, ofrimi i shërbimeve të reja bankare apo edhe inkuadrimi i bankave të reja në Kosovë do të duhej të ndikonte pozitivisht në uljen e normës së interesit.

“Duke pasur parasysh fitimet e larta të bankave komerciale në Kosovë, si dhe normat e larta të interesit – që mund të përkthehet në këtë rast si çmim i lartë për huamarrje, në parim tregon se në tregun bankar të Kosovës ekziston një konkurrencë jo e shëndoshë. Në kushte të konkurrencës së lirë, bankat do të duhej të konkurrojnë në mes vete nëpërmjet uljes së normës së interesit dhe ofrimin e shërbimeve sa më të mira dhe inovative për tërheqjen e klientëve”, ka thënë Bajrami.

Ndryshe, në Kosovë aktualisht funksionojnë tetë banka komerciale dhe dyzet institucione mikrofinanciare.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›