Dogana mbledh mbi gjysmë miliard euro

Dogana e Kosovës ka arritur të tejkalojë parashikimet buxhetore dhe të mbledhë mbi gjysmë miliard euro. Më saktësisht për herë të parë që nga themelimi para 12 viteve, Dogana ka arritur shifrën rekorde në mbledhje e të hyrave në fund të muajit gusht, respektivisht gjatë ditës së sotme e ka tejkaluar shifrën prej 500 milion euro.
Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci tha se krahasuar me vitin e kaluar, kjo paraqet një rritje të mirë në të hyra, sepse në periudhën e njëjtë të vitit 2010 ishin mbledhur 432.5 milionë euro.
“Pra ka rritje prej 67.7 milionë euro, pasi që deri tani kemi mbledhur saktësisht 500.2 milionë. Këto të hyra paraqesin mbi 60 për qind të planit buxhetor”, ka thënë ai, siç transmeton Kosovapress.
Sipas tij, trendet aktuale të mbledhjes së të hyrave tregojnë se gjatë këtij viti Dogana do të arrijë rekord ne mbledhjen e te hyrave.
Parashikimet janë që deri në fund të vitit Dogana e Kosovës do të mbledh 830 milionë euro për Buxhetin e Kosovës.
Thuhet se arsyet e kësaj rritje janë të ndryshme, duke filluar nga ngritja e kontrollës së qarkullimit të mallrave, luftimin e kontrabandës, aplikimit i metodave moderne te selektiviteti dhe analizës së riskut, bashkëpunimi ndërkombëtar, shkëmbimet elektronike në para me vendet e rajonit, etj.