E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veç në Ulpianë

Komuna e Prishtinës caktoi lokacionin për ndërtimin e xhamisë së madhe në kryeqytet– te Posta e Re. Por, këtë vendim nuk e pranon Bashkësia Islame. Ata duan që xhamia të ndërtohet përballë Institutit Albanologjik, e jo larg qendrës së qytetit. Isa Mustafa tha se nëse Bashkësia Islame nuk e pranon këtë lokacion, opsion tjetër mbetet lagjja Prishtina e Re. Nga Nexhmije Ahmeti më 27 gusht 2011 në ora 08:21

As te Rektorati, e as te çerdhja e fëmijëve në lagjen Ulpiana. Komuna e Prishtinës ka vendosur që lokacioni në të cilin do të ndërtohet xhamia e madhe në Prishtinë të jetë afër Postës të Re.

Këtë e ka bërë të ditur vetë kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, të premten. Hapësira e paraparë për ndërtimin e xhamisë ka një sipërfaqe prej 78 arësh dhe gjendet në mes Postës dhe Qendrës së Mjekësisë familjare në lagjen Dardania.

“Në Këshillin e Drejtorëve kemi përcaktuar lokacionin për ndërtimin e xhamisë, e cila ka qenë kërkesë e kahershme e Bashkësisë Islame dhe qytetarëve të Prishtinës.

Lokacioni është caktuar te Posta e Re, me një sipërfaqe rreth 78 arë. Është një vend qendror i Prishtinës, është një lokacion shumë i përshtatshëm dhe kemi bërë përpjeke që caktimi i këtij lokacionit të mos ndikojë te zhvendosja e shërbimeve të tjera”, tha Mustafa.

Por, Bashkësia Islame e Kosovës nuk pranon asnjë lokacion tjetër, përveç atij që kishin kërkuar më herët- vendi ku gjendet çerdhja e fëmijëve “Gëzimi Ynë” në lagjen Ulpiana.
Resul Rexhepi, sekretar në Bashkësinë Islame, tha për Express se qëndrojnë prapa kërkesës së mëhershme që xhamia të ndërtohet përballë Institutit Albanologjik, gjegjësisht në vendin ku gjendet çerdhja. “Ne jemi shumë këmbëngulës dhe vazhdojmë të qëndrojmë prapa kërkesës së mëhershme që xhamia të ndërtohet përballë Institutit Albanologjik”, tha Rexhepi.

Sipas tij, lokacioni që është propozuar nga Komuna nuk iu konvenon fare. Ai përmendi edhe dy elemente të tjera, të cilat, sipas tij, nuk i përmbushin kërkesat e besimtarëve myslimanë. “E para, hapësira është e vogël, e po ashtu, është larg qendrës. Kërkesa jonë ka qenë që xhamia të ndërtohet në qendër të kryeqytetit”, theksoi ai.

Rexhepi nuk harron të falënderojë kryetarin Isa Mustafa dhe drejtorët e departamenteve, por thotë se nuk mund ta pranojnë propozim-vendimin e tyre për lokacionin te Posta e Re. “Unë shumë besoj se Komuna do të gjejë mundësi që kërkesa jonë të plotësohet”.

Mirëpo, Rexhepi nuk dëshiron të prejudikojë se ç’do të ndodhë nëse Komuna nuk e pranon kërkesën e BIK-ut. Madje, ai tha se në lidhje me këtë temë në Bashkësinë Islame do të diskutohet tek pas festës së Fitër Bajramit, për shkak të aktiviteteve të ngjeshura. “Jemi shumë të zënë për shkak se jemi në muajin e madhërishëm, sidomos sot që është Nata e Kadrit. Pastaj, edhe jemi duke e pritur ministrin e Jashtëm turk, kështu që mbetet të diskutohet pas Bajramit”, tha Rexhepi.

Por, duket se Bashkësisë Islame nuk do t’i mbetet gjë tjetër, përveçse ta pranojë propozimin për xhaminë te Posta. Këtë e bëri të qartë kryetari i Prishtinës, i cili tha se në rast se Bashkësia Islame do të ketë kërkesa të tjera për lokacion të ndërtimit të xhamisë, atëherë do të heqin dorë nga ky lokacion dhe do t’ia caktojnë një lokacion në lagjen Prishtina e Re.

Gazeta Express një ditë më herët ka raportuar se kërkesa e Bashkësisë Islame për ndërtimin e xhamisë te çerdhja e fëmijëve as që do të realizohet. Sipas një zyrtari komunal, Komuna ka punuar vazhdimisht për caktimin e lokacionit të xhamisë së re.
“Kryetari Isa Mustafa ka pasur disa herë takime me kryetarin e BIK-ut për këtë”, ka thënë zyrtari.

Më herët, myftiu Naim Tërnava ka deklaruar se vendi ideal për ndërtimin e xhamisë është Ulpiana, gjegjësisht vendi ku gjendet çerdhja “Gëzimi Ynë”. “Për ndërtimin e xhamisë apo qendrës islame duhet hapësirë e madhe dhe ky vend do të ishte ideal, jo ndonjë tjetër”, është shprehur Tërnava.

Myftiu, po ashtu, ka pranuar se plani është që të ndërtohet vërtet një xhami e madhe, e cila do të kushtojë shumë. Sipas tij, duhen 10-15 milionë euro, të cilat do të sigurohen nga besimtarët myslimanë në Kosovë.

Ndarja e lokacionit për ndërtimin e xhamisë u bë pas kërkesave të vazhdueshme të BIK-ut në drejtim të organeve komunale, kurse kohëve të fundit presioni u shtua edhe nëpërmjet organizimit të protestave në rrugë nga ana e OJQ-ve me frymë islame.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›