Zbatimi i vonuar
Pesë muaj pas marrjes nën menaxhim të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, koncesionari Limak De Lion ka vendosur të respektojë njërën nga pikat e marrëveshjes. Më saktësisht, të gjitha makinat që do të hyjnë në parkingun e ANP’së, 15 minutat e parë do t’i kenë pa pagesë.
E deri tash, menaxheri i ri i aeroportit ua kishte marrë nga 2 euro për hyrje në parkingun e aeroportit edhe udhëtarëve që nuk qëndrojnë më shumë se 15 minuta brenda në parking.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar mes Qeverisë dhe koncesionarit turk, të gjithë udhëtarët që hyjnë në aeroport dhe nuk qëndrojnë më gjatë se 15 minuta me automjetet e tyre, nuk do të paguajnë fare. Vetëm ata që qëndrojnë në parking nga 15 deri në 120 minuta do të paguajnë nga 2 euro për automjet. Mosrespektimi i kësaj pike të marrëveshjes, si duket, i ka shkuar për shtati koncesinarit, pasi ka arritur të fitojë mija euro nga të hyrat në parkingun e udhëtarëve.
Burime brenda aeroportit bëjnë të ditur se ka dy ditë që sistemi për mospagesën e 15 minutave të parë në parking është futur në sistem. Sipas këtij burimi, pajisjet që mundësojnë monitorimin e kohëzgjatjes së qëndrimit në parking, tashmë janë duke funksionuar.
“Tash kjo pikë e marrëveshjes është duke funksionuar”, thotë ky burim për gazetën.
Udhëheqësit e njësisë për Partneritet Publiko Privat thonë se tashmë kjo pjesë e kontratës për parkingun është duke funksionuar.
Madje, po në ditën kur gazeta i ka dërguar pyetjet se pse nuk po respektohet marrëveshja për parking, koncesionari e ka futur në sistem parkingun pa pagesë.
Këshilltari për Marrëdhënie me Publikun dhe Investitor, Ilir Rama, nuk është përgjigjur në pyetjen se pse deri tash nuk ka funksionuar pika e marrëveshjes për parkingun.
Rama vetëm tregon se tashmë ata që qëndrojnë në parking vetëm 15 minuta, do ta kenë pa pagesë. “Para dy ditësh, e kemi testuar personalisht dhe kjo pjesë e kontratës është duke funksionuar. Ju lutem, vizitoni ANP-në para se të merrni konkluzione të tilla”, thotë këshilltari Rama.
Ai tregon për Express se marrëveshja e koncesionimit të aeroportit është duke u monitoruar edhe pas marrjes nën menaxhim të koncesionarit turk. “Marrëveshja për PPP të ANP-së është duke u monitoruar nga Njësia e Partneritetit Publiko Privat si përfaqësues i Qeverisë së Kosovës si dhe nga inxhinieri i pavarur Ineco Aviation Group”, thotë Rama.
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, më 4 prill ka kaluar zyrtarisht nën menaxhimin e koncesionarëve Limak De Lion.