E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faji i Mourinhos

Ish trajneri i Real Madridit, Bernd Schuster, ka fajësuar Jose Mourinhon për eliminimin nga Copa del Rey kundër Barcelonës. Strategu gjerman thotë se Mourinho gaboi me inkuadrimin e Ricardo Carvalhos si titullar në ndeshjen e parë dhe aktivizimin e Pepes në mesfushë. Ai mendon se Reali mund ta rrëzonte Barcelonën.

Ish trajneri i Real Madridit, Bernd Schuster, ka fajësuar drejtpërdrejt Jose Mourinhon për eliminimin e gjigantit madrilen nga Copa del Rey kundër Barcelonës, javën e kaluar.

Ish strategu i skuadrës nga Santiago Bernabeu ka kritikuar trajnerin aktual të Realit për formacionin e tij në ndeshjen e parë çerekfinale në Santiago Bernabeu, ku ata ishin mposhtur 2-1 nga rivali i përhershëm Barcelona.

Schuster i cili, përveç Realit, gjatë karrierës së tij si trajner ka udhëhequr edhe skuadrat tjera spanjolle si Levante e Getafe, thotë se Mourinho ka bërë gabime të rënda me aktivizimin e Ricardo Carvalhos si titullar dhe inkuadrimin e Pepes në mesfushë.

“Mezi besoja kur e pashë formacionin bazë të Realit kundër Barcelonës në Santiago Bernabeu. Askush nuk e di se çka ndodhi aty. Vërtet do të dëshiroja të dija se çka deshi të bënte Mourinho. Të aktivizoni si titullar një futbollist i cili nuk ka luajtur për një kohë të gjatë dhe inkuadrimi i Pepes në mesfushë ishte i çuditshëm”, tha Schuster për Onda Cero.

“Mendoj se të gjithë pajtohem se ai ishte një gabim i rëndë i tij. Pa dashur të tregoj mungesë respekti ndaj askujt, por vërtet ishte e tmerrshme, ose si do që dëshironi ta quani”, shtoi strategu gjerman. Schuster beson se Reali mund të eliminonte Barcelonën, pavarësisht humbjes 2-1 në ndeshjen e parë.

“Është vërtet mëkat çka ndodhi sepse Reali mund të eliminonte Barcelonën. Është shumë lehtë që gjithmonë të ankoheni rreth gjyqtarit”, përfundoi ai. Reali u mposht 2-1 në shtëpi para se të barazonte 2-2 në Nou Camp në ndeshjen e kthimit dhe u eliminua nga Copa del Rey, duke pësuar disfatë me rezultat të përgjithshëm 4-3.

Schuster udhëhoqi Realin gjatë sezonit 2007-08 duke fituar La Ligan dhe Superkupën e Spanjës. Pavarësisht suksesit, ai u largua nga detyra pasi skuadra nuk luante në mënyrë atraktive, siç kërkojnë tifozët madrilenë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›