Apel serbëve:Dilni në zgjedhje
Një grup prej 96 intelektualësh nga Serbia, kanë ftuar komunitetin serb në Kosovë, që më 15 nëntor të dalin në zgjedhjet lokale dhe kështu të tregojnë përgjegjësi për të ardhmen e tyre. “Vetëm me pjesëmarrje aktive në jetën politike të Kosovës, komuniteti serb do të mund që me efikasitet të zgjidhë problemet më të rëndësishme të përditshme statusor, pronësore, të sigurisë, ekonomike dhe sociale”, thuhet në kumtesën e grupit të intelektualëve. Nënshkruesit e apelit thonë se këmbëngulja për të injoruar zgjedhjet e ardhshme lokale në Kosovë është e pa kuptimtë dhe jo produktive për komunitetin serb. Grupi prej 96 intelektualëve kujton serbët e Kosovës për situatën e dikurshme të serbëve të Kroacisë, bojkotimin që ata u bënin zgjedhjeve dhe organeve të pushtetit, me çka “duke rrezikuar interesat vetjake në bashkësitë lokale, kishin vënë në pyetje ekzistencën e tyre”.