Papandreu: Emri, kusht për Maqedoninë
Kryeministri i Greqisë, Jorgo Papandreu, ka paralajmëruar përsëri Maqedoninë, se nëse nuk zgjidh brenda dhjetorit çështjen e diskutueshme të emrit me Greqinë, atëherë duhet të harrojë favoret e premtuara nga Bashkimi Evropian, pasi Greqia mund ta shfrytëzojë sërish të drejtën e vetos. Sipas Papandreut, zgjidhja e çështjes së emrit është parakusht për rrugën e Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Papandreu gjatë një takimi jo formal me Sekretaren amerikane të Shtetit, Hilari Klinton, në Berlin ka thënë se ky është një “mesazh i qartë”. Bisedimet e Greqisë dhe Maqedonisë rreth çështjes së emrit po zhvillohen nën negocimin e Kombeve të Bashkuara dhe së shpejti duhet të mbahet një raund i ri i negociatave. Në muajin dhjetor Bashkimi Evropian duhet të vendosë nëse negociatat me Maqedoninë për kandidimin në BE duhet të vazhdojnë, por kjo do të ndodhë vetëm nëse edhe Greqia do të jetë dakord.