Përplasje me policinë në grevën e Kamzës, 3 në spital
zirina llambro
Tre studentë në gjendje të rëndë dhe përplasje me policinë, e cila ka tentuar t’i nxjerrë nga fakulteti. Në ditën e 7 të grevës tensioni ka qenë maksimal në Universitetin e Kamzës. Rreth orës 21:00, forcat blu kanë ndërhyrë për të mos lejuar mbështetësit e protestuesve të qëndronin brenda ambienteve mësimore. Studentët kanë kundërshtuar dhe nuk kanë pranuar të largohen. Kjo ka bërë që të ketë përplasje verbale mes palëve. “Polica tentoi të nxirrte jashtë të gjithë studentët që nuk ishin në grevë, por që kishin ardhur të mbështesnin, madje na bënë edhe presion, por ne jemi të vendosur të mos lëvizim që këtu deri sa të merret një vendim i përshtatshëm. Kemi katër orë pa energji elektrike, është hequr qëllimisht vetëm në dhomën ku janë grevistët” pohuan studentë të pranishëm në fakultet, dje në mbrëmje. Ndërkaq gjendja shëndetësore e tre prej grevistëve u përkeqësua ndjeshëm dhe pasdite ata u dërguan në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Sipas bluzave të bardha, ata po trajtohen me serume e injeksione. Sakaq në ambientet ku ndodhen grevistët, dy mjekë vizitojnë dhe mbajnë nën kontroll situatën shëndetësore të 12 personave të tjerë. Studentët e Universitetit të Kamzës hynë në grevë pasi Rektorati dhe Ministria e Arsimit nuk mori parasysh kërkesën e tyre për të vazhduar studimet edhe në nivelin e dytë DND, pa mesatare. Ata kërkojnë përfshirjen e të gjithë kandidatëve në nivelin e dytë DND, pasi nuk janë informuar më herët për këtë vendim, por vetëm në përfundim të tre viteve të para të studimit. Fillimisht ata protestuan përpara Ministrisë së Arsimit. Më tej kërkuan përgjigje nga institucionet për rreth tre javë, por pa asnjë rezultat. Pas këtyre përpjekjeve, 15 prej tyre kanë hyrë me forcë në ambientet e Universitetit Bujqësor të Kamzës. Dy ditë më parë, një peticion u dërgua në zyrat e Kryeministrisë. Me anë të tij studentët kanë kërkuar largimin e Rektorit të UBT-së, Fatos Harizaj. Kjo me motivacionin se është pikërisht Rektorati ai që është bërë pengesë e vazhdimit të studimeve në Masterat e Nivelit të Dytë. Sipas tyre, Fakulteti i Ekonomi-Agrobiznesit në veçanti dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës në tërësi, e kanë treguar me indiferencë se sa vlejnë studentët për këto institucione. “Kemi dërguar letër te Presidenti Topi, te Kryeministri Berisha, te Ministri Tafaj për këtë çështje dhe ata duhet të reagojnë”, thonë studentët. Sipas tyre, institucionet e sipërpërmendura kanë detyrimin t’i japin një përgjigje studentëve të cilëve ju kanë premtuar arsimim në programet e tyre. “Nuk na ka thënë askush, që mesatarja duhej si kriter për pranimin e Masterit të Nivelit të Dytë deri në vit të tretë, kur për ne ishte shumë vonë, kjo nuk është normale, shprehen të indinjuar përfaqësuesit e tyre. Në një deklaratë më mediat bëhet me dije se vitin e kaluar në fakultet janë pranuar të gjithë ata që janë regjistruar dhe është jo normale që rregullat pa asnjë lajmërim të ndryshohen këtë vit.