Fajon: Në asnjë vend të botës demokratike opozita nuk proteston në rrugë. Në prill jepet propozimi për vizat

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, dënon politikën e rrugës të paralajmëruar nga opozita, duke deklaruar se vendi ndodhet në prag të një momenti historik, siç është liberalizimi i vizave. Europarlamentarja sllovene, e cila po viziton Shqipërinë në kuadër të një vizite private të delegacionit të PE-së, me në krye Eduart Kukan, shefi i Delegacionit për Ballkanin, për të parë nga afër progresin e shënuar, përsa i takon kritereve për heqjen e vizave, u shpreh se ngërçi politik nuk e ndihmon kurrsesi procesin e liberalizimit të vizave, madje, shton ajo, dëmton rëndë imazhin dhe prosperitetin e vendit. Sipas Fajon, në asnjë vend demokratik, protestat në rrugë nuk janë konsideruar të dobishme, duke theksuar me këtë rast, se politika e rrugës, e paralajmëruar nga Rama, penalizon Shqipërinë dhe aspiratën e shqiptarëve. “Nuk ka vend në botë ku protestat në rrugë janë të dobishme. Ajo që është e rëndësishme është gjetja e gjuhës së përbashkët mes partive të përfshira. Politikanët duhet të jenë të kujdesshëm duhet të shikojnë përfitimet e qytetarëve. BE beson se Shqipëria është një vend i besueshëm. Po përpiqem të bind edhe palët kundërshtare në PE ndaj na duhet më shumë qetësi”, u shpreh Fajon. Ajo vuri në dukje se Shqipëria duhet të ecë drejt BE-së dhe për këtë nevojitet bashkëpunimi i të gjitha forcave politike. Rruga e dialogut, tha ajo, është rruga e duhur dhe më fitimprurëse për shqiptarët. “Mendoj që është e rëndësishme që të kemi dialog mes qeverisë dhe opozitës, kjo situatë nuk e ndihmon vendin, nuk është mirë për imazhin e vendit. Shqipëria duhet të ecë drejt BE-së dhe të gjitha palët duhet ta kenë të qartë se është në përfitim të qytetarëve dialogu mes tyre. Duhet të sigurohet një situatë e stabilizuar. Nuk është e drejtë që palët të akuzojnë njëra-tjetrën për liberalizimin e vizave”, deklaroi në prononcimin e saj për shtyp, Tanja Fajon. Përsa i takon liberalizimit të vizave Shqipëri-BE, Tanja Fajon deklaroi se në mes të muajit prill pritet një raportim para PE-së mbi procesin e liberalizimit të vizave. “Në mes të prillit pritet një raport në parlamentin europian. Kemi bërë thirrje për propozimin e pranimit të kërkesës së liberalizimit të vizave sa me shpejt. Gjithë procesi është kërkues. Kriteret e sigurisë e kufijve dhe dokumentet. Vizitova qendrën e pasaportave biometrike dhe vura re se procesi është i mirë. është e rëndësishme që qeveria të bëjë një fushatë për të informuar njerëzit për liberalizimin e vizave”, u shpreh ndër të tjera, Fajon.
Liberalizimi i vizave, mbërrin në Tiranë delegacioni i parlamentarëve evropianë/Një delegacion i Parlamentit Evropian mbërriti sot në Tiranë, për të vëzhguar nga afër përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave. Delegacioni kryesohet nga shefi i Delegacionit për Ballkanin, Eduard Kukan. Në përbërje të delegacionit do të jenë deputetët Jelko Kaçin, Simon Busuttil nga Malta, hollandezja Marije Cornalissen si dhe raportuesja e Parlamentit për liberalizimin e vizave Tanja Fajon. Vizita konsiderohet private për Parlamentin Evropian edhe pse me ftesë zyrtare të autoriteteve shqiptare. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, eurodeputetët do të zhvillojnë takime me presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Berisha, Ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, ministrin e Punëve të Brendshme Lulzim Basha si dhe do të vizitojnë zyrat kryesore përgjegjëse për përmbushjen e kritereve të kërkuara nga BE-së.
...