Krizë, apo ngërç?
Kriza dhe ngërçi kanë përcaktime të ndryshme leksikore. Ne, për shkak të botëkuptimit hileqar të të konvertuarve në “properëndimorë” të majtistëve tanë enveristë, edhe konceptet kuptimore të ndryshme të leksikut i hallakasim sipas interesave të marrjes së pushtetit me dhunë në demokraci, siç ndodhi në ’97-n. Sapo na doli në parlament edhe i biri i Xhelil Gjonit, për të na dhënë edhe ai leksione demokracie!
1997-a na përmendet 99 herë, sikur të mos ishte një prodhim i së majtës së skajshme. Ndërsa 22 prilli i vitit 1991 na mbahet si temë e mbyllur dhe përmendet vetëm 1 herë (dhe vetëm për justifikim), nga majtizmi ynë ekstrem, sikur të mos ishte ky autori i këtij krimi të përbindshëm. Prandaj e themi dhe do ta përsëritim, se kjo e majta jonë specifike është tërësisht e pangjashme me të majtën europiane e cila, kur është në opozitë, është oponente e vlefshme për ecurinë e popullit, por jo destruktive dhe nihiliste, që të pengojë zhvillimin kombëtar.
* * *
Kriza, si përkufizim, është një gjendje e rënduar ekonomike, që shfaqet me rënie prodhimi, me falimentim në masë të ndërmarrjeve ekonomike dhe të bankave, në varfërimin e njerëzve. Opozita jonë e uzurpuar nga Edi Rama, bën sikur nuk ka veshë të dëgjojë dhe sy të shohë se ç’thonë kompetentët, të huaj dhe të vendit, për gjendjen tonë përballë krizës botërore; dhe e paraqet edhe Shqipërinë si të përfshirë dhe si pjesë të kësaj krize. Bëjnë sikur nuk dëgjojnë as FMN-në, as Bankën Botërore, as ekspertë të ekonomisë, as titullarë me prestigj të Bashkimit Europian dhe të autoriteteve amerikane, që nuk e paraqesin vendin tonë asfare në këtë vështrim. Madje, përkundrazi, e vlerësojnë si ndër vendet nga më të mirat, në përballimin ekonomik. Natyrisht është tjetër gjë të pohojmë se Kriza Botërore ka pasur ndikimin e vet negativ edhe në Shqipëri. Por, ama, vendi ynë është përmendur gjithmonë e në vijim me nota pozitive. Ndërsa Rama dhe propagandistët e tij, édhe përmbytjet e pazakonta ndër shekujt, kërkojnë t’i shfrytëzojnë, me një hare mezi të mbuluar, duke vënë në dukurinë e fatkeqësive natyrore, shabllonet e tyre të keqqeverisjes.
Në këtë hulli të shformimit të së vërtetës, vënë shenjën e barazimit ndërmjet krizës dhe ngërçit, qoftë edhe ky një ngërç politik krejtësisht i sajuar. Fjala ngërç, po të përjashtojmë kuptimin mjekësor, do të thotë qorrsokak. Ose, në një fjalë që e kishin për zemër ish-deputetët socialistë në parlamentin e parë, për të treguar kulturën e tyre të madhe, pas zgjedhjeve më të mira gjatë të gjithë tranzicionit, që fjalën ngërç e zëvendësuan me impas. Por si ngërçi, ashtu edhe qorrsokaku, madje edhe impasi, që janë gati si sinonime, nuk kanë të bëjnë fare me krizën. Qorrsokaku politik ka karakter subjektiv. Në rastin konkret, nëse LMN-ja do të kishte fuqinë ta shfronësonte Edvin Ramën, atëherë nuk do të bëhej fjalë për fitore të paqenësishme të Edvinit. Dhe kjo do të thotë se bashkëpunimi me opozitën do të ishte në shina më të shëndosha. Doemos, që s’do të kishte vend për fjalën krizë, në atë kuptim sikur të ishim pështjelluar e të kishim rënë nën kthetrat e saj, siç bëhet fjalë për fqinjin tonë jugor në ditët tona. Shumëkush e mban mend para pak muajsh zonjën Merkel që tha se “nuk i japim asnjë cent Greqisë e cila le të shesë disa nga ishujt e pabanuar të Korfuzit, për të zgjidhur krizën e saj”. Ndërsa për ne thuhet se i kemi dyert e hapura në FMN, në BB dhe në të gjitha institucionet ndërkombëtare, që kanë besim në përparimin tonë ekonomik. Që ngërçi i pjellë nga Rama dhe kriza e sajuar nga truri i tij ndjellakeq nuk kanë asnjë mbështetje njësimi, mjafton të marrim rastin hipotetik, të hamendësuar, pra, sikur me këto rebuse të bëhej e mundur marrja e pushtetit në tavolinë nga Rama dhe nga ekstremistët e tij (ngulmojmë në pamundësinë e këtij supozimi), a do të zhdukej ajo që ai e quan krizë të qeverisjes PD-LSI ? Përkundrazi. Do të binim në një katastrofë, siç ramë pas vitit ogurzí 1997, për tetë vjet rresht. Pra, nuk ekziston pohimi i anasjellë i ngërçit me krizën. Kjo e fundit është objektive, ndërsa i pari është subjektiv: Shpresojmë se nuk do të vonojë që t’i dalë boja ngërçit ose qorrsokakut ku kërkon të na rovolisë Rama. Atëherë do të dallohet qartësisht se “kriza” është një trillim në të cilin gjen pikëmbështetje dhuna, të cilën Rama e fsheh, por ajo është e tejdukshme.
Prandaj ai s’ka për t’i fituar kurrë zgjedhjet, sado që të manovrojë me fjalën transparencë që ai e përdor në mënyrë hipokrite. Ai është hipokrit kur, nga njëra anë, vë G. Ruçin që të thotë se s’i do të huajt nëpër këmbë dhe shfaqet ashiqare kundër tyre dhe, nga ana tjetër, bën tani sikur i përcëllon shpirti për perëndimorët! Ai është i pabesueshëm kur flet për demokraci dhe për transparencë. Nga ana tjetër i bën mbledhjet kundër LMN-së, me dyert hermetikisht të mbyllura, pa asnjë gazetar, pa kamera, si në lozhat malonike. Ai është i pabesueshëm edhe në marrëdhënie me gazetarët, të cilët i keqtrajton, qoftë edhe për një pyetje që atij nuk i vjen mirë në vesh dhe nuk e njeh kohën e tij të të folurit përkundrejt drejtuesit të një programi, i cili nuk arrin dot të jetësojë as çerekun e pyetjeve që ka në program. Kjo është demokracia e tij? Ai ua mbyll gojën me harbutësi atyre që e kritikojnë për gjendjen ku është katandisur Tirana, me plehrat nëpër këmbë, me ekologji katastrofike, me betonimin gjithandej, me zhdukjen e parqeve dhe të lulishteve, me abuzimin selektiv në firmat e ndërtimit, me përmbytjet e rrugëve e të bulevardeve, sapo të bjerë shiu i parë. Ende, për turp e për faqe të zezë, terreni në hapësirën e ministrive është gropa-gropa, gjë që ka shkaktuar dëmtimin e amortizatorëve të makinave. E, megjithatë, ai që bashkinë e sheh me dylbi, (por rrogën e merr, amá), flet me krenari boshe për Tiranën sikur të ishte Sokholmi! Me gojën shpatë, thotë se s’është e vërtetë që Kristaq Rama ka vënë firmën për ekzekutimin e Havzi Nelës. Pastaj i del në fac símile edhe firma tjetër, për ekzekutimin e Enver Osmanit!
Ai ka dhënë shembullin më të keq sesi fjala transparencë, në gojën e tij, të marrë domethënien më të kobshme!
Ai kërkon të na lërë pa viza dhe pa u bashkuar me komunitetin demokratik. Dhe tani, që e sheh të afërt dashamirësinë perëndimore ndaj qeverisjes sonë të suksesshme, lëshon një thirrje të thatë për vizat Shengen, që të jetë ai, tinëzisht, promotori i përparimit!