Kryetari i “Vatrës”, z. Agim Karagjozi jep dorëheqjen për arsye shëndetsore
Në një mbledhje e Këshillit të Federatës Panshqiptare “Vatra”, që u mbajt në Shtëpinë e Vatrës në Bronx- NY, të enjten në mbrëmje, me 18 mars 2010, u deklarua se kryetari i saj Agim Karagjozi dha dorëheqjen, për motive të forta shëndetësore. Këshilli u mblodh me qëllim që të diskutonte intensifikimin e përpjekjeve për gjallërimin e aktivitetit të Federatës më të vjetër të shqiptarëve, përpara zhvillimit të Kuvendit të ardhshëm. Pjesmarrja e anëtarëve të Këshillit ishte e plotë. Duke hapur mbledhjen, kryetari Karagjozi falenderoi pjesmarrësit për punën që kanë bërë me përkushtim e sakrifica dhe për mbështetjen që i kanë dhënë në këto 18 vite që ai udhëhoqi Vatrën. Ai vazhdoi duke thënë se "në rrethanat e reja, ku kërkohet një ritëm i ri pune për ta gjallëruar Federatën Panshqiptare “Vatra”, për të shtuar anëtarë të rinj dhe për të ngritur degë nëpër shtete të Amerikës e Kanada, arsyet shëndetësore më detyrojnë që të japë dorëheqjen si kryetar i Vatrës". Ai propozoi që në vend të tij, deri në Kuvendin e ardhshëm të Vatrës, nënkryetari Gjon Buçaj, të votëbesohej si kryetar i përkohshëm. Anëtarët e Këshillit vlerësuan kontributin e jashtzakonshëm të kryetarit Agim Karagjozi në drejtimin e Vatrës, bashkëpunimin dhe mirëkuptimin me Këshillin dhe pranuan dorëheqjen e tij, duke i kërkuar që të ishte aktiv, sa të jetë mundur, edhe këtej e tutje. Vullnetarisht, z. Karagjozi mbajti për tani detyrën e arkëtarit të Vatrës dhe do të vazhdojë të jetë Managing Editor i gazetës”Dielli”. Duke vlerësuar përkushtimin e z. Karagjozi në krye të Vatrës, Këshilli vendosi, që ai të shpallet kryetar nderi i përjetshëm i Vatrës, titull, që deri tani i është dhënë vetëm të ndjerit Anthony Athanas.
Këshilli vlerësoi kontributin e dr. Gjon Buçaj, i cili realisht ka qenë një ndihmës i afërt i kryetarit Karagjozi, ka kryer disa nga detyrat e kryetarit dhe është treguar i palodhur. Këshilli votoi unanimisht dr. Gjon Buçajn si kryetar të përkohshëm të Vatrës.
Në fund, kryetari i ri i përkohshëm, z. Gjon Bucaj, i cili është kryetari i parë në historinë e Vatrës, i besimit katolik, vuri në dukje "vlerën e lartë të urtësisë dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm të zotit Agim Karagjozi në udhëheqjen e Vatrës", dhe falënderoi atë dhe Këshillin për besimin që i dhanë, duke e ngarkuar me drejtimin e Vatrës deri në Kuvendin e ardhshëm. "I vetëdijshëm për përgjegjësinë e rëndë të kësaj detyre" shtoi ai, " e pranoj duke u mbështetur në besimin se zoti Karagjozi do të qëndrojë afër, sidomos me këshillime, dhe në premtimin e të gjithë Këshillit, për përkrahje dhe ndihmë të pakursyer".
Historia e Vatrës është drejtësisht histori e Lëvizjes Nacionale Shqiptare në Amerikë. Motivi që e ushqej Vatrën dhe kryetarët e saj dhe vatranët, mbështetsit dhe përkrahsit e Vatrës, ka qënë gjithmonë :" Luftojmë për një Shqipëri, të lirë dhe demokratike - jo kumniste, një Kosovë të lirë, të çliruar dhe të pavarur, për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc, Medvegje, Mal të Zi, Maqedoni dhe së fundi zgjidhjen e çështjes çame. Për një Shqipëri të rregulleme ekonomikisht dhe shoqërisht, në mënyrë që armiqët tanë shekullor(fqinjët) të mos mbjellin supersticione shfrytëzuese dhe përçajnë popullin shqiptar, në baza fetare, krahinore, dhe bindjet e tyre". Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë i dha Vatrës në hov të ri, sepse, krahas teknikës, ekonmisë, biznesit, artit, arsimit e kulturës që po fitonte ajo në SHBA-së, do të kishte edhe mbështetjen e fuqishme të shtetit të atëherëshëm shqiptarë. Por, kjo mbështetje zgjati vetëm sa në pushtet erdhën forcat anti-demokratike në vend, komunistët morën pushtetin dhe investuan për shkatërrimin e Vatrës. Aktiviteti dhe veprimtaria e Vatrës, pas vitit 1946 ra në sytë e sigurimit të Shtetit dhe agjentëve komunistë të dërguar në SHBA-së.
Edhe, vazhdoi deri në ditët e sotme, saqë kryetari aktual i Partisë Socialiste, Edi Rama gjatë vizitës së fundit në Uashington, në tryezën e Institutit Amerikan për Paqe, pohoi se: "Ju jeni ata që keni qënë, prej se kur jeni krijuar - nuk keni ndryshuar fare në bindjet tuaja megjithse keni më shumë se 50 vjet në Amerikë". Edi Rama, duke lidhur Vatrën ngushtë me Partinë Demokratike, dhe kryetarin e saj e kryeministrin Berisha, foli me gjuhën e urrejtjes në mes të Uashingtonit, kundra Vatrës, patriotëve, dhe atdhetarve shqiptarë në SHBA-së. Duke mos treguar as edhe respektin më të vogël ndaj veprës kolosale të shqiptarëve të Amerikës, për atë që bënë për njiqindë vjetë, për mëkëmbjen dhe forcimin e shtetit të sapoformuar shqiptarë, pas shpalljes së pavarësisë. 50 vjet luftë e sakrifica për demokratizimin e Shqipërisë, dhe për rrëzimin e komunizmit. Për lirinë, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc, Medvegje, Mal të Zi, Maqedoni dhe së fundi në çamëri.