Meta: Ngërçi, një situatë artificiale e krijuar nga politika destruktive e Edi Ramës

Intervistë për “Zërin e Amerikës” e zv/kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Ilir Meta
Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme ka folur nga SHBA-ja për situatën politike në Shqipëri, duke e etiketuar atë si një artificë fatale të kryesocialistit në detyrë, Edvin Rama. Gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës” kryediplomati shqiptar hedh akuza të rënda ndaj kauzës së opozitës, madje e artikulon atë si një strategji kundër interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve, për të penalizuar aspiratën e kombit, siç është integrimi në institucionet evropiane. Zv/kryeministri theksoi nuk mund të vijë asnjë zgjidhje për ngërçin politik me metoda antikushtetuese dhe që cenojnë rendin demokratik. Ai i sugjeron opozitës të marrë një interpretim nga Gjykata Kushtetuese dhe nëj vendim këshillues nga Komisioni i Venecias, pavarësisht se PS ka mungesë vullneti si për njërën ashtu edhe për tjetrën. Meta ndalet edhe tek vizita e zhvilluar në SHBA, për të cilën shtoi se bëhet në kuadër të zhvillimit të marrëdhënieve bashkëpunuese mes dy vendeve.
Përpara se të ndalemi në zhvillimet në Shqipëri, mund të na thoni se cili ishte qëllimi i vizitës tuaj në Uashington? Kjo ishte një vizitë pune, e cila konsistonte në takime të ndryshme, në departamente të ndryshme të Qeverisë amerikane. Në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, natyrisht në Kongres, po kështu edhe një fjalë që unë mbajta në Universitetin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare John Hopkins, në Forumin Transatlantik, lidhur me politikën e jashtme të Shqipërisë. Ishte një vizitë e cila synonte të rikonfirmonte dhe një herë marrëdhëniet tepër të ngushta midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe njëkohësisht për të shkëmbyer mendime dhe pikëpamje për çështje të ndryshme, sidomos për ato që kanë të bëjnë me situatën në rajonin tonë dhe perspektivën e tij integruese, por edhe për çështje të tjera të rëndësishme ndërkombëtare, sikurse është ajo e Afganistanit, ku Shqipëria vazhdon të jetë e angazhuar të rrisë kontributet e saj, tashmë si anëtare e NATO-s, Aleancës më të rëndësishme të sigurisë ku ne jemi, natyrisht edhe falë përkrahjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Do të ndalemi në zhvillimet rajonale. Sot në Slloveni është mbajtur takimi i vendeve të Ballkanit të cilat aspirojnë të hyjnë në BE. Bie në sy mungesa e Serbisë. Ju sapo vini nga një vizitë në Serbi. Cili është reagimi juaj? Unë jam shumë i trishtuar për këtë mungesë, sepse mendoj se suksesi i parë i kësaj konference duhet të ishte gjithëpërfshirja. Ne realizuam para pak javësh, një konferencë shumë të suksesshme të Ministrave të Brendshëm të Evropës Juglindore në Shqipëri, ku u ulën, për herë të parë, Ministri i Brendshëm i Serbisë me Ministrin e Brendshëm të Kosovës. Mendoj se duhet të ishin gjetur të gjitha format dhe mënyrat praktike që të mos ndodhte një mungesë e tillë. Megjithatë, shpresojmë që të jetë mungesa e fundit.
Duke u kthyer në vizitën tuaj në SHBA. Ju patët dje takime në Kongresin Amerikan. Cili është impakti që patët nga takimi me Kongresmenët? Absolutisht, në të gjitha takimet shprehet vendosmëria për të nxitur më tej marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat vlerësohen si të shkëlqyera në disa drejtime; në drejtimin politik, në bashkëpunimin për çështje të sigurisë të politikës rajonale, por që, natyrisht, ne mendojmë se ka nevojë për t’i përmirësuar ato edhe në fushën e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik, pasi mbetet ende shumë për t’u bërë në këtë drejtim.
Le të flasim tani për situatën në Shqipëri e cila mbetet e tensionuar. Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Stefan Fule, tha se ngërçi politik pengon integrimin, procesin e vizave dhe integrimin e vendit. Cili është mendimi juaj? Sigurisht që kjo situatë artificiale nuk kontribuon në përshpejtimin e integrimit evropian të vendit, por absolutisht që çdo lloj zgjidhje e cila do të vinte në pikëpyetje funksionimin dhe kredibilitetin e sistemit tonë Kushtetues dhe të shtetit ligjor, do t’u jepte një goditje shumë të fortë gjithë proceseve në një të ardhme afatgjatë. Kuptohet që tashmë kjo është një politikë destruktive, për fat të keq, e Kryetarit të Partisë Socialiste, për interesa të ngushta, pasi gjërat janë shumë të qarta. Gjithçka është pranuar nga mazhoranca, ka pasur dy mendime të ndryshme që kanë të bëjnë me hapjen apo mos hapjen e kutive. Në thelb kjo do të thotë, me respektimin apo jo të Kushtetutës. Përderisa z. Rama mendon se kjo kërkesë nuk shkon kundër pavarësisë së gjykatave dhe të Kushtetutës, të gjithë i kanë kërkuar, që nga Presidenti i Republikës dhe nga faktori ndërkombëtar që të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese, një qëndrim apo verifikim që kjo bie apo jo ndesh. Duket se këtu nuk ka vullnet për të marrë pjesë në institucione për ato arsye të cilat janë bërë të ditura më parë edhe nga ana ime.
Parlamenti ka miratuar Komisionin hetimor për zgjedhjet vetëm me votat e mazhorancës. Partia Socialiste kundërshton duke thënë se ajo e tërhoqi nismën, gjë që e fut në një qorrsokak. Të mos hyjmë në detaje teknike. Por ky votim e tensionon situatën sipas jush? Nuk ka përse ta tensionojë. Komisioni duhet të krijohej dhe shumë mirë është bërë që është krijuar.
Vetëm me votat e shumicës.... S’ka asnjë gjë të keqe. E rëndësishme është që ia jep shumicën e Komisionit pakicës me vullnetin e shumicës.
Por nuk hapen kutitë? Po kutitë nuk mund t’i hapë as Parlamenti dhe askush tjetër. Kutitë mund t’i hapë Prokuroria, në rast se Partia Socialiste ka të dhëna, apo ngre pretendime për çështje të caktuara. Ajo e ka këtë të drejtë për të hetuar, dhe në rast se ata duan që t’i hapë Parlamenti, përderisa ka ekzistuar dhe ekziston një bindje që kjo është anti-kushtetuese, Partia Socialiste duhet të marrë një konfirmim nga Gjykata Kushtetuese. Kemi qenë të hapur dhe për Komisionin e Venecias që është ndërkombëtar, dhe kjo nuk bie në kundërshtim me Kushtetutën. Për aq kohë sa ata nuk e bëjnë një përpjekje të tillë, kjo tregon se ata nuk kanë interes për ta zgjidhur këtë situatë dhe nuk kanë interes as për hapjen e kutive, por dështimin e imazhit të vendit për hir të një axhende personale të kryetarit të tyre.
Qeveria juaj ka premtuar se brenda mandatit të parë të saj, bazuar dhe në përmbushjen e kushteve që do të bëni Shqipëria do të marrë liberalizimin e vizave. Sa optimist jeni që do të mbahet ky pretim elektoral? Unë vazhdoj të jem shumë optimist, pasi qeveria i ka plotësuar të gjitha kërkesat dhe kushtet teknike të këtij procesi dhe është bërë e qartë se ky është një proces i ndërtuar mbi parimin strikt dhe i ndershëm (Strict & Fair). Në këtë drejtim ne besojmë se brenda këtij viti, Shqipëria e meriton dhe do ta fitojë këtë të drejtë, e cila është në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Si e shihni zgjidhjen e këtij tensioni në Shqipëri? është një tension krejtësisht artificial.
A mund të vazhdoni deri në fund të mandatit kështu. Zoti Rama ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme, ka folur dhe për protesta? Zoti Rama mund të bëjë thirrje sa të dojë. Z. Rama ka bërë thirrje dhe për të marrë pushtetin me dhunë, bashkë me aleatët e tij. Asnjë nga këto nuk ka për të ndodhur. Të jeni të sigurt se kjo Qeveri ka legjitimitet të plotë. Të jeni të sigurt se kjo Qeveri do e çojë deri në fund mandatin e saj. Kjo Qeveri do të mbetet gjithmonë e hapur për të bashkëpunuar me opozitën, por kurrë nuk mund të merret kredibiliteti i sistemit kushtetues të vendit peng nga një politikë krejtësisht destruktive dhe pa të ardhme, që për fat të keq po ndjek Kryetari i Partisë Socialiste.
Si e shikoni këtë bashkërendim të situatës me një Parlament gjysmë të boshatisur për vendime të caktuara. Parlamenti nuk është gjysmë i boshatisur? Parlamenti nuk është gjysmë i boshatisur. është më pak se gjysma i boshatisur, që do të thotë se ...
Thuajse.... Nuk është fare thuajse, demokracia ka rregullat e saj dhe Parlamenti do të funksionojë. Natyrisht, kjo nuk është ajo ç’ka do të dëshironim dhe aq më tepër ata që kanë votuar për Partinë Socialiste, e cila t’i mbrojë interesat e tyre, pikërisht atje në Parlament. Megjithatë, kjo gjë do të funksionojë, askush nuk mund të kërkojë, në emër të një zgjidhje afat shkurtër dhe të paprinciptë politike, që i gjithë sistemi Kushtetues i vendit, që është ngritur me kaq vështirësi, me kaq mundime prej më shumë se 10 vitesh, të kalojë në një kolaps për hir të një teke të dikujt.
...