E vërteta e ligjit dhe e vërteta e moralit komunist
Që në krye të këtij shkrimi, pa i ardhur argumentit rreth e qark, po vë pyetjen: Në cilën anë qëndron e vërteta e zgjedhjeve të 28 qershorit, në anën e ligjit, që pretendon Sali Berisha, apo në anën e hapjes së kutive, për çka Edi Rama, ndër më të mbramit trashëgimtarë të moralit komunist, po bën nëntë muaj tollovi politike të paprecedent?
Po t’u drejtohesh fjalorëve të ndryshëm, do të vëresh se ata e shpjegojnë pak a shumë njësoj emrin abstrakt “e vërteta”. Që të jem sa më i kuptueshëm për lexuesin, po citoj nga Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe (Tiranë, 1980): “Diçka që është e vërtetë, ajo që përputhet me realitetin, fakt a diçka tjetër që nuk mund të hidhet poshtë, që nuk mund të mohohet, që është vërtet e tillë; diçka që është e sigurt dhe e saktë; e kundërta: gënjeshtër”.
Përveç sa më sipër, gjithë fjalorët që kam konsultuar, bashkohen në faktin se “e vërteta” provohet në praktikën jetësore të fakteve. Nga ky këndvështrim, le t’i rikthehemi argumentit tonë, pa e përsëritur pyetjen dhe pa bërë analiza të mërzitshme për fakte tashmë të njohura botërisht,duke filluar që nga procesverbalet e komisioneve zgjedhore, vendore a qendrore, te raportet e organizmave kombëtare e ndërkombëtare që vëzhguan zgjedhjet, te vendimet e gjykatave e deri te trysnia në rritje që ndërkombëtarët po ushtrojnë mbi opozitën e udhëhequr prej Edi Ramës, e cila assesi do ta pranojë humbjen. Atëherë? Përgjigjja vjen e menjëhershme dhe e thjeshtë: Morali komunist.
Fjalori i Gjuhës Shqipe që citova më lart, është ndoshta i vetmi ndër fjalorët e Planetit që bën përjashtim në shpjegimin e fjalës “e vërteta”, duke e lidhur atë me moralin komunist. Në pikën 5 të rubrikës, njeriu mund të lexojë: “Diçka që është e drejtë, e mirë dhe në përputhje me moralin komunist, ajo nga e cila njeriu duhet të udhëhiqet në punën dhe veprën e tij...”
Ja ç’na qenka, përpos të tjerave, “e vërteta”, vështruar me lentën e ideologjisë komuniste. Ja ku qenka mbështetur Edi Rama në gjithë këtë tollovi politike me përmasa kombëtare. Ja sepse po i mundon shqiptarët me bojkote të pakuptimta, me hyrje-dalje qesharake në Kuvend a në komisionet e Kuvendit, me paraqitje kinse nismash, që sot i shpall e nesër i tërheq, me protesta rrugësh, me thirrje luftënxitëse e me kërcënime banditësh. Nuk ka si shpjegohet ndryshe mohimi që i bëri së fundit edhe Komisionit Hetimor Parlamentar, e vetmja mënyrë e ligjshme për të dalë nga “kriza” që ai vetë po e ushqen artificialisht.
Por më kot. Morali komunist sot nuk vlen as si leckë për të pastruar këpucët e baltosura. Opozita gabon rëndë nëse pranon të nxjerrë prej gardërobës së kalbur të Bllokut kostume çudibërëse që mund të sjellin në pushtet një njeri tashmë të falimentuar politikisht.
Nëse Rama shpreson t’ia hedhë Berishës politikisht, është për t’i qarë hallin si më shpresëhumburi ndër gjithë ata politikanë socialistë që mban përdhunisht nën vete. Tashmë, ai njihet botërisht si politikan minor, edhe ashtu, i konsumuar tej mase në perversitetet e veta politike. Berisha, në të kundërtën, është ngjitur në apogje, falë intuitës së lavdërueshme politike që e karakterizon.
Nëse Rama synon ta mposhtë kundërshtarin e vet me tubime militantësh, kur dihet se nuk kontrollon dot as ata që transporton poshtë e lart me autobusë, Berisha është i pamposhtshëm si mjeshtër i tubimeve qindra-mijëshe, militantësh ose jo. Kurbat e protestave që kanë organizuar deri dje ose që do të organizojnë në të ardhmen njëri dhe tjetri, nuk mund të kenë asnjë pikë takimi. Ndërsa në protestën e opozitës, aq shumë të përfolur nëntorin e kaluar, Rama dhe ata që e mbështesin, nuk mblodhën dot as njëzet mijë vetë me gjithë manipulimin e shifrave prej mediave të së majtës, Berisha, i vetëm si lider politik, mblodhi dy javë më vonë në Sheshin Skënderbe më shumë se njëqind mijë, nëmos dyqind.
Nëse Ramën e gënjen mendja ta mundë kundërshtarin falë fuqisë intelektuale që beson se ka, tregon se është i mangët nga ana mendore. Berisha ka njohur universitetet dhe bibliotekat më në zë të Parisit. Rama, kubetë e urave të Senës. Berisha grumbulloi shkencë në Paris për ta vënë mjekësinë shqiptare përkrah simotrave të veta Perëndimore. Rama, përkundrazi, mblodhi lecka për të përbaltur artin shqiptar, për të njollosur vendlindjen me artin e vet të çakërdisur.
Nëse Ramën nuk e zë gjumi i natës, i djegur nga dëshira që ta rrëzojë me dhunë qeverinë e dalë prej zgjedhjeve të ligjshme, të certifikuara prej faktorit të brendshëm dhe të jashtëm, Berisha, ku ngryset, nuk gdhihet, i nxitur nga dëshira që ta afrojë Shqipërinë me botën demokratike. Rama mëton t’ia arrijë qëllimit për t’u bërë kryeministër i Shqipërisë me forcën e imagjinuar të kutive, të bojkoteve, të politikës së rrugës, duke grumbulluar rreth vetes mbeturinat e mbijetuara prej kohës së diktaturës. Qeverinë e Berishës, përkundrazi, e mban në këmbë forca e ligjit, besimi i shqiptarëve për liri, demokraci e prosperitet.
Kur merr Rama poza atdhetarie që të barabitet me Berishën, ngjan më tepër si kloun cirku, se sa si një kundërshtar i denjë për t’u matur në atdhetari. Berisha është mëkuar qysh në fëmijëri me atdhetarinë e pastër të Alpeve prej nga fryn era Kosovë, lartësi të cilat nuk i shkelën dot pushtuesit e të gjitha kohërave, as komunizmi i Enver Hoxhës. Rama, përkundrazi, u mëkua në moçalin e Bllokut me morali komunist, me ide konfuze të “atdhedashurisë” të helmatisura me kozmopolitizëm shterp, atdhemohues, sepse komunistët nuk kanë atdhe.
Vetëm në një pikë Rama ia kalon Berishës, në atë të aferave të pista. Rama është mjeshtër i pashoq për të ndotur mjedisin me intriga, me korrupsion, me pazarllëqe politike e plot e plot të tjera kësisoj. Mes syresh, e ndjen veten si peshku në ujë. Berisha, jo, u largohet ndotjeve siç i largohet i shëndoshi të zgjebosurit. U shkulën e u ndukën gazetarë të paguar ta njollosin emrin e tij të panjollosur. Nuk ia dolën dot mbanë. Madje ndonjë gazetë, ndër më të zellshmet, e cila tashmë i ka kaluar historisë, sajoi skenarë abuzimesh të denja për romane policore, rrëmoi e ku nuk rrëmoi për emra abuzuesish, derisa gjithçka përfundoi në blof. Megjithatë, Berisha ia doli ta udhëhiqte partinë tij në fitore, Përkundrazi, Rama, i bindur se i kishte të humbura zgjedhjet e 28 qershorit, nuk pati guximin as të kandidonte për në Kuvendin e Shqipërisë, nga frika se, bashkë me zgjedhjet, do të humbiste Bashkinë e Tiranë, furrikun e korrupsionit.
Në cilën anë, pra, qëndron e vërteta, në anën e ligjit apo të moralit komunist?