Leskaj: PS, e gatshme të bashkëpunojë për integrimin
Opozita është e gatshme të bëjë ç`është e mundur për të përmbushur detyrimet e saj në mënyrë që vendi të integrohet në Bashkimin Europian. Kështu është shprehur deputetja e PS-së Valentina Leskaj në takimin e katërt ndërkombëtar për stabilizim-asocimin mes Shqipërisë dhe BE-së.
“Ne kemi qënë të gatshëm të mbështesim procesin e integrimit të vendit. Raporti i Komisionit Europian dhe 12 kriteret e kërkuar mbeten dokumente të rëndësishme. Nisur nga kjo ne propozuam paktin me 10 pika. E rëndësishme është që nga 12 prioritet e KE, 4 që lidhen me opozitën janë adresuar” ka theksuar Leksaj.
Sipas saj opozita ka luajtur një rol nxitës dhe inkurajues si për reformën zgjedhore, ashtu dhe për Avokatin e Popullit dhe reformën parlamentare.
Ndërsa e ka cilësuar reformën zgjedhore si mjaft të rëndësishme, Leksaj theksoi se kjo reformë duhet të miratohet deri në zgjedhjet e ardhshme.
“Zgjedhjet janë procesi më i rëndësishëm i Shqipërisë. Opozita ka dhënë votat e saj për miratimin e 4 ligjeve që kërkonin 3/5 e votave. Kemi kërkuar një proces serioz për përfshirjen e të gjitha grupeve parlamentare në reformën zgjedhore. Problemi me këtë reformë është me kohën, sepse ajo duhet të jetë në kohë për zgjedhjet e ardhshme”, ka theksuar Leskaj.
Ajo ka shtuar gjithashtu se opozita kërkon një qasje më të gjerë në procesin e integrimit duke përfshirë të gjitha komisionet parlamentare ndërsa ka shtuar se ajo mbështet edhe letrën e delegacionit të PE-së dhe të zotit Kukan për krijimin e një platformë parlamentare për Europën.
Ajo gjithashtu theksoi se problem i madh në Shqipëri mbetet edhe moszbatimi i ligjit dhe korrupsioni, për të cilin vendi ynë zbriti 8 vende në raportin e Transparency International ndërsa shtoi se për këto probleme duhet punuar fort.