Fajon Shqiperia shume kritere per tu permbushur
Afrimi i Shqipërisë me Bashkimin Europian kërkon më shumë angazhim në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe aftësimin e administratës publike. Europarlamentarja Tanja Fajon, në një intervistë televizive, bën thirrje për plotësimin e kritereve me qëllim marrjen e një mendimi pozitiv nga Komisioni Europian në vjeshtën e 2011-s për statusin e vendit kandidat.
“Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së, kur ajo të ketë plotësuar të gjitha kriteret. Ju e dini më mirë se unë sa larg është vendi juaj nga vendet e BE-së. Liberalizimi i vizave ishte një hap i rëndësishëm, që u bë mirë. Por nga ana tjetër, në raportin e progresit të nëntorit të Komisionit Europian, Shqipëria nuk ishte më e mira. Kështu që duhet bërë më shumë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në aftësimin e administratës publike. Janë shumë e shumë kritere që Shqipëria duhet t'i përmbushë”, tha Fajon. Ndërsa palët në vend nuk kanë arritur ende konsensus për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e qershorit 2009, deputetja sllovene e Parlamentit Europian këshillon forcat politike në Shqipëri të zgjidhin krizën. “Është me rëndësi që të dyja palët në vend, qeveria dhe opozita po provojnë të gjejnë dialogun, që institucionet të jenë funksionale, sepse kjo është në interes të vendit. Dhe, natyrisht, ne në institucionet europiane dëshirojmë të shohim se institucionet funksionojnë dhe në vend ka dialog”, tha Fajon.
Ndërsa prej 15 dhjetorit, shqiptarët e boshnjakët po udhëtojnë pa viza drejt vendeve “Shengen”, europarlamentarja premtoi se do të bëhet gjithçka që së shpejti edhe qytetarët kosovarë të mund të udhëtojnë sikurse qytetarët e tjerë të Europës Juglindore.