E Diel, 1 Nëntor 2026

Fake news i Saliut për taksat/ Reagon kryeministri: Nesër flasim ne! Miratojmë buxhetin historik

Rritje taksash për biznesin? Lufta hibride prek edhe ekonominë shqiptare.

Një dokument Word i përhapur në qarqet e biznesit, i pakonfirmuar nga qeveria, zbulonte një Paketë të re Fiskale me rritje taksash në thuajse të gjitha nivelet e biznesit dhe jo vetëm.

Këtij dokumenti të pakonfirmuar, iu referua edhe vetë kryetari i PD, Sali Berisha, i cili e përdori për të nxitur revolucionin e radhës për protestën e së shtunës.

“Kjo rritje taksash shënon një falimentim të mëtejshëm, por dhe rritje të mëtejshme të çmimeve për shqiptarët. Dhe kur mendon se të gjitha këto përfundojnë në xhepat dhe llogaritë bankare të një organizate kriminale, krimi bëhet monstruoz.”

Por, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar biznesin dhe liderin e opozitës të mos nxitohen, pasi nesër do të përgënjeshtrohen.

“Flisni, flisni për masat e reja fiskale, grijeni sallatën tuaj të urrejtjes dhe padijes me dokumente pune të dalë gjysma-gjysma, se nesër e ka radhën qeveria të thotë fjalën e saj me miratimin e buxhetit të parë në histori që kalon pragun e 10 miliardë eurove dhe paketës më ambicioze të rishpërndarjes së rritjes ekonomike.”

Të mërkurën, në mbledhje qeverie, do të miratohet buxheti i ri për vitin 2027 bashkë me paketën fiskale, ku do të zbardhen plotësisht me transparencë masat ekonomike dhe sociale të ndërmarra nga qeveria si për biznesin dhe qytetarët shqiptarë./abcnews.al

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›