“Teatër politik!”- Bardhi refuzon ftesën e Begajt për konsultimet për zgjedhjet vendore: Ministër pa portofol në shërbim të Ramës
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka refuzuar ftesën e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, drejtuar partive parlamentare për konsultime mbi datën e zgjedhjeve vendore të vitit 2027.

Përmes një reagimi, Bardhi e cilëson procesin një “teatër politik”, duke akuzuar Presidentin se nuk po përmbush rolin e tij kushtetues dhe se është në shërbim të kryeministrit Edi Rama.
“Sapo jam njohur me shkresën e Institucionit të Presidentit për thirrjen e konsultimeve lidhur me datën që Edi Rama ka paracaktuar për zgjedhjet e ardhshme vendore. E përbuz me neveri këtë teatër politik”, shprehet Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së e konsideron ftesën të pavlerë, ndërsa shprehet se Shqipëria nuk ka një President që përmbush rolin e tij kushtetues.
“Për fat të keq, Shqipëria nuk ka një President të Republikës që përmbush rolin e tij kushtetues, por një ministër pa portofol në shërbim të Edi Ramës”, deklaron ai.
Bardhi e lidh reagimin e tij edhe me protestat e qytetarëve, të cilët kërkojnë ndër të tjera garanci për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Në vend që të heshtë përballë këtyre shqetësimeve, Presidenti duhet të ishte zëri i Kushtetutës, i demokracisë dhe i qytetarëve”, shprehet Bardhi.
Reagimi i Bardhit:
Sapo jam njohur me shkresën e Institucionit të Presidentit për thirrjen e konsultimeve lidhur me datën që Edi Rama ka paracaktuar për zgjedhjet e ardhshme vendore. E përbuz me neveri këtë teatër politik.
Ftesa e Bajram Begajt është tërësisht e shpërfillshme dhe nuk meriton as koment. Për fat të keq, Shqipëria nuk ka një President të Republikës që përmbush rolin e tij kushtetues, por një ministër pa portofol në shërbim të Edi Ramës.
Shqiptarët janë në shesh për të kërkuar, ndër të tjera, garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nëse Shqipëria do të kishte një President që e ushtron realisht funksionin e tij kushtetues, ai do ta trajtonte këtë çështje si një emergjencë demokratike dhe do t’u përgjigjej me seriozitet shqetësimeve që prej muajsh po i nxjerrin qytetarët në shesh.
Në vend që të heshtë përballë këtyre shqetësimeve, Presidenti duhet të ishte zëri i Kushtetutës, i demokracisë dhe i qytetarëve. Por, në vend që të përmbushë këtë detyrim, ai zgjedh të mbetet në rolin e një spektatori, duke i shërbyer pushtetit në vend që të mbrojë institucionin që përfaqëson.