E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faksi në FSHF: Nini është grek

Nga Fatjon Kodra
Tani në lojë për Sotir Ninin ka hyrë edhe Federata Greke e Futbollit që ka bërë një lëvizje të papritur dje për të siguruar përfundimisht shërbimet e talentit shqiptar. Në Federatën Shqiptare të Futbollit dje ka mbërritur një faks i homologëve grekë që i kërkojnë shqiptarëve që të heqin përfundimisht dorë nga talenti 16-vjecar i Panathinaikosit. Ka qenë zëdhënësi i FSHF-së, Lysjen Nurishmi ai që ka konfirmuar mbërritjen e faksit dhe ka shpjeguar të gjitha detajet e kërkesës së palës greke. "Fedetata Greke e Futbollit (EPO) ka sjellë një faks në FSHF, ku kërkohet që Shqipëria të heqë dorë nga Sotir Nini", - ka deklaruar Nurishmi, i cili sqaron se kërkesa e palës greke mbështete në një deklaratë të bërë pikërisht nga futbollisti himarjot. Sipas palë greke, futbollisti ka bërë një kërkesë me shkrim ku shpreh dëshirën e tij për të luajtur me Greqinë dhe nuk do që të luajë për Shqipërinë në të ardhmen. "Federata Greke pretendon se ka një kërkesë me shkrim të Sotir Ninit dhe të firmosur prej tij, - vijon Nurishmi. – Në këtë shkresë, Nini kërkon që Shqipëria të tërhiqet nga kërkesat e saj, pasi dëshiron të luajë me Greqinë në të ardhmen. Më tej shkruhet se i ati i Sotir Ninit është pajisur pak ditë më parë me një pasaportë greke dhe se shumë shpejt edhe futbollisti do të jetë zyrtarisht një grek dhe do të luajë për ngjyrat e Greqisë", - tha zëdhënësi për shtyp i FSHF-së. Reklamimi Sic dihet pak ditë më parë Federata Shqiptare e Futbollit paraqiti një reklamim në FIFA, ku kërkohej që Sotir Nini të ndëshkohej sipas rregullave në fuqi pasi ka refuzuar ftesën për t'u bashkuar me kombëtaren shqiptare U-21 në një datë zyrtare. Duke pasur parasysh rregullat, lojtari mund të pezullohet deri në 15 ndeshje me klubin e tij të Panathinaikosit, duke qenë se ai është një shtetas shqiptar dhe rregullorja e detyron ta bëjë një të tillë. Për këtë arsye Federata Greke ka hyrë në lojë për shmangur dënimin e paevitueshëm të lojtarit. Mirëpo, Federata Shqiptare e Futbollit as që ka ndërmend të tërhiqet dhe do t'i shkojë der në fund kësaj cështjeje. "Pavarësisht kërkesës së Federatës Greke ne nuk do të tërhiqemi nga kjo cështje dhe do t'i shkojmë deri në fund, deri aty ku na lejojnë rregullat e FIFA-s. Nëse lojtari ka shkelur rregullat ai do të marrë ndëshkimin e duhur dhe ne si FSHF do të kërkojmë të drejtën që na japin rregullat e FIFA-s", - ka përfunduar zëdhënësi i FSHF-së, Lysnjen Nurishmi në lidhje me këtë cështje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›