Faktet përkundrejt propagandës retorike - S.Tahiri në cajtnot
Tema përballë së cilës u ballafaquan F. Xhaferi i PD-së me S. Tahirin e Bashkisë, në emisionin e radhës të B. Fevziut, kishte të bënte me përfundimin e zgjedhjeve të 28 qershorit: kush do t’i fitonte?
Blendi u vu në vështirësi për të administruar kohën për secilin. Tahirit nuk i dilte koha. Pavarësisht kësaj, kërkonte edhe kohën e debatuesit përballë tij, i cili nuk kishte nevojë për kohë të tepërt, sepse iu shmang fjalëve propagandistike. Deputeti F. Xhaferi iu kundërvu kundërshtarit me fakte të njëpasnjëshme, të cilat i kishte të ngulitura në kujtesë. Po bashkiaku Tahiri? Ja, si e shpërdoronte kohën. Për varfërinë: kushte të mjerueshme, qëndrimi nihilist i qeverisë ndaj kësaj gjendjeje, kriza ka prekur përditshmërine e familjes shqiptare, për këtë nuk është marrë asnjë masë. Pozita nuk është shqetësuar për kambanat e alarmit. Ekonomia shqiptare është tkurrur për shkak të recesionit. Nuk janë zgjidhur problemet për të cilat shqiptarët kanë nevojë, pra po dështon me sukses se nuk i ul taksat e kontratave, nuk e jep falas kartën elektronike dhe pasaportën biometrike....
I kërkojmë ndjesë publikut që riprodhojmë fjalë të tilla, në të cilat hyjnë edhe gjëra si “dështoi me sukses”, të cilat asnjë ironi e trashë nuk mundet t’i përligjë! A nuk e kupton Tahiri se njerëzit janë lodhur me këtë propagandë bajate? Por atyre që nuk e dëgjuan këtë dialog, duhet t’u themi se kjo fjalomaní u përsërit dy apo tri herë të tjera! E njëjta mënyrë të foluri krijon një monotoni të padurueshme për korrupsionin, për programet qeverisëse, për rrugët dhe autostradat. Për këtë temë të fundit, tha: “Shqiptarët e duan fshatin e tyre, që të bëhet si Tirana!”. (Me sahatin kryeqytetas qorr, me sheshin përpara bashkisë dhe para monumentit të Skënderbeut, ibret dhe me rrugët në të cilat duhet të kalosh me varkë, kur bie shiu...).
Sa për ndotjen, e ka argumentuar me shifra të sakta, z. Guri i të Gjelbërve.
Kësaj i thonë të matesh me hijen e mëngjesit!
Sipas kësaj shkalle matjeje, njerëz si Tahiri kërkojnë që të na hipnotizojmë e të mos kujtojmë se “ç’bollëk” kemi trashëguar nga qeverisja e tij. Një fshatar i varfër ka shkruar një libër kujtese, me titullin “Ditari i një katundari” (Autori: Nezir D. Isufi). Ja çka shkruar më 11 janar 2003: “Shkova për të paguar tatimin e dyqanit për këtë vit që ka hyrë, por nuk mbarova punë. Më thanë të shkoja pas disa ditësh se tatimet janë ngritur përsëri dhe akoma nuk u kishte shkuar udhëzimi përkatës për këto ngritje!... Po, po, çdo gjë kjo qeveri po e ngre në stratosferë, vetëm e vetëm për ta rrjepur në maksimum këtë popull...(f.219).
Në mbrëmjen e Vitit të Ri ka shpërthyer duhmën e tij me një prozë tërë mllef e të rimuar: “Çmendurí!... Gjithandej çmenduri, se erdhi Viti i Ri, në të mjerën Shqipëri... Në këtë Shqipëri ku ka pllakosur e mallkuara varfëri nga e shtrenjta qeveri!... Dhe ne, mbrëmë, e kaluam për bukuri! E si ta përshkruaj ndryshe kur unë vetë jam një fakt i vërtetë? Kështu, pra, mbrëmë festuam Vitin e Ri, ndërrimin e vitit, me hyrjen në një shekull të ri, me vaj e me lemeri! Oiii...” (f.192).
Ja fizionomia e fshatit tuaj, z. Tahiri, me pensione tepër të ulëta dhe me rrugët tërë baltë! Tani që fshatarit i janë dyfishuar pensionet dhe që vetura kalon atje në rrugë të asfaltuar, ju i qani hallin kalorësit, se i varen këmbët!
Faktet, vetëm faktet, ishin përgjigjja e z. Xhaferri. Ai mori në shqyrtim harkun kohor 2005- 2009. Përmendi si e kanë vlerësuar këtë kohë Kris Pateni, Xhejms Xhefri, Salcmani, autoritete të KE-së dhe të Bashkimit Europian, me fraza të tëra të cilat i kishte në kujtesë. Vuri në dukje vlerësimet e fundit të Doris Pakut, Angela Merkelit, të Berluskonit, dhe të personaliteteve amerikane. Por citoi edhe mjaft personalitete me peshë, që bënin fjalë për korrupsionin e lemerishëm të tetëvjeçarit, për bandat që i tmerruan qytetarët në një rend të rënë përtokë, për monopolet që kishin kapur shtetin dhe për pasigurinë që kishte ngërthyer njerëzinë, të mos dilte dot në orët e vona të natës.
I trallisur nga thëniet e njerëzve të përgjegjshëm dhe të paanshëm (dhe jo si frazat bombastike e propagandistike të Ramës, të cilin Tahiri e imitonte), i quajti këto, “shkrime gazetash”! Deputeti demokrat i vuri në dukje se po përdorte gjuhen e tij të zakonshme denigruese edhe përkundrejt miqve të nderuar të vendit tonë! Atëherë Tahiri ndërroi temë, gjithmonë në përsëritje se korrupsioni i tanishëm na paskësh qenë më i rëndë se ai i tetëvjeçarit të tij, por i shpëtoi goja dhe shtoi se nuk ishte i përgatitur të shprehej me shifra, si z. Xhaferri. (Por për çfarë ishte përgatitur? Për retorikë boshe?). Meqë u hap sërish tema e korrupsionit, F. Xhaferri tha: - “U quajt Nano, gabimisht, si kreu i korrupsionit gjatë tetëvjeçarit ( qoftë edhe nga vetë E. Rama, që tha se e humbën pushtetin veçanërisht për këtë shkak – nëse më lejohet të bëj një shtesë sqaruese). Por ajo që Rama bëri me Alban Eftimin e kaloi shumë e shumë herë korrupsionin e Nanos. Sepse A. Eftimi ishte shefi i urbanistikës së Bashkisë. Dhe, ndonëse në konflikt të hapur interesi, Alban Eftimit iu dhanë 8 nga të 12 lejet e ndërtimit dhe 5 nga të 12 prokurimet private. Pra, rreth 80 % të ndërtimeve, i monopolizonte arbitrarisht njeriu i drejtpërdrejtë i Ramës. Kështu ai e tejkalonte Nanon dhe kjo hyn në korrupsionin mafioz që as Kamorra nuk e ka pasë arritur në mënyra të tilla. Përpara këtyre fakteve dhe të pazareve që shtoi për takimet e Delijorgjit në Kretë, duket se Tahiri e humbi pusullen dhe filloi ta ndërpriste hap pas hapi dhe të ngulmonte se lejet e Delijorgjit ishin vetëm katër! Sa për Eftimin bëri sikur harroi. Por, megjithatë, u zgjat aq shumë me përsëritjet e ripërsëritjet propagandistike, sa Blendi Fevziu vuri në funksionim regjistrimin me orë elektronike. Këtu spikati llafazanëria: Sahati e ndërpriste Tahirin në gjysmë të fjalëve të tij (të thëna më parë), ndërsa Xhaferri e përfundonte mendimin e tij të ngjeshur në fakte, pa skaduar dyminutëshi! Tahiri kishte rënë në cajtnot! E kishte humbur lojën e shahut për mosrespektim të kohës!