Letra/Anëtarësimi në NATO, një aritmi shqiptare e dëshiruar
S’kam kohë! Sa herë na përplaset në fytyrë kjo shprehje e shqiptuar ashtu nxitimthi, gjatë udhëve tona të përditshme. Ështe disi i dhimbshëm pushteti që koha ka mbi ne, qeniet njerëzore. Sartri thotë: “hiçgjëja qëndron e spiraluar në zemrën e qenies si një krimb”. Mbarimi i kohës është dhimbja më e madhe, që fshihet tek hiçgjëja njerëzore. Frika nga mbarimi i kohës na shfaqet para syve si përfundim i procesit të rënies së rërës në kohëmatësin e hershëm. Pasiguria kundërshtohet nga siguria e (dhimbshme) e frikshme se askush nuk do ta përmbysë kohëmatësin e rërës, për të të falur ty një fillim të ri. E pra në këto ditë, fillimi i ri është ulur këmbëkryq në çdo familje shqiptare. Të gjithë e përjetuan fuqishëm hyrjen e Shqipërisë tonë të vogël në NATO. Pas kaq shumë kohësh shqiptarët e ndjenë veten të rëndësishëm në sytë e gjithë botës… Shqiptarët s’kanë kohë për të humbur, s’kanë kohë për të pranuar dikë tjetër, ndërkohë që Berisha fitoi sfidën e besimit
Një dritë jeshile në udhëtimin drejt “tokës së premtuar” - Ndërkohë që orët, minutat sekondat ndjekin bindshëm ritmin e “orëbërësit universal”, tek ne duket sikur ritmi këtë kohë po pëson një aritmi të cuditshme! Elementët e përjetshëm kohëmatës të krijojnë përshtypjen sikur janë vënë në një garë përshpjetuese, duke thyer përfundimisht atë lloj të të ecurit “mbarpsht”, ku gjatë një gjysëm shekulli një popull i tërë u bë pre e një haluçinacioni të dhimshëm. Ndërkohë që vendet e tjera europiane vendosnin gurët në kështjellat e demokracisë, në pyllin e errët të realitetit komunist, zhvillohej gjuetia më e paimagjinueshme në historinë e njerëzimit, ajo e qënjes intelektuale, të pagëzuar me emrin “armiku i popullit’. Ai gjysëmshekull ishte një ëndërr e keqe, që si çdo ëndërr tjetër e pati një fund, kur zbardhi agimi dhe zgjimi pashmangshëm e shtyu larg…
Askujt nuk i pëlqen të rikujtojë një ëndërr të frikshme. Askujt nuk i pëlqen të dëgjojë një ëndërr të dhimbshme, por ëndrra jonë e përbashkët i kapërcente kufijtë e kohës, i sfidonte kufijtë e dhimbjes. Pasi kaluan gati dy dekada nga zgjimi i ’90-s, një ëndërr e re, një ëndërr e kaltër ngrihet fluturim për të shpalosur me flatrat e saj flamurin shqiptar në qiellin e NATO-s. Bashkë me të u valëvit për herë të parë edhe flamuri kroat. Une nuk e di se ç’ndodhi në ato momente në zemrën e një kroati por, unë e ndjeva aritminë e fuqishme në çdo zemër shqiptari, sepse ne shqiptarët, historikisht Zoti, krenarinë na e ka injektuar në sasi përtej morales. Pas hyrjes në NATO, Shqipëria e Skenderbeut, që u bë mborjtëse e qyteteërimit europian gjatë një periudhe të lavdishme, ndihet e sigurt nën mbrojtjen euroatlantikase. Për herë të parë në historinë e saj, Shqipëria jonë e vogël pushon së qeni “objekt i dëshiruar” në fantazinë e guximshme të ndonje shteti, pasi një neni rëndësishëm e përcakton agresionin kundër një shtetëi aleat si agresion kundër gjithë NATO-s. Futja e Shqipërisë në NATO, shënon triumfin e lirisë, përmbushjen e amanetit të të parëve tanë që u nisen në udhëtimin e përjetshëm duke mbajtur mbi supe peshën e një pengu: Shqipërinë e Lirë.
U bë kohë që një nga kombet më të vjetër të Ballkanit endet në rrugëtimin e tij drejt “tokës së premtuar”, Bashkisë Evropiane. Historia e peripecive të tij është kaq e dhimshme, saqë Zoti vendosi një ditë, një ditë nga ato me të pazakontat ku përcaktohet fati i popujve. 1 Prill është një dritë jeshile që do ta udhëheqë në përfundimin e udhëtimit drejt destinacionit historik, BE.