Fakti/Dialogu në parlament, kushti kryesor i Brukselit për zgjidhjen e ngërçit politik
Tentativa e bllokmenëve për të përdhosur zgjedhjet të 2009-ës, procesin më të mirë që është njohur ndonjëherë në historinë politike të Shqipërisë, ka marrë fund me ndërhyrjen e Brukselit zyrtar. Pas 10 muajsh politike blofi dhe artikulimi të mijëra akuzave të pabaza për zgjedhjet parlamentare, ultimatumi i BE-së ka zënë vend tashmë, duke i kërkuar opozitës për të fundit herë, të heqë dorë nga pretendimet antikushtetuese dhe njëherazi të ndalojë lëvizjet ekstreme që po injektonte te opinioni publik. Bashkimi Evropian dhe institucionet politikbërëse të tij, konsideruan si jetike për zgjidhjen e situatës politike, pjesëmarrjen në Kuvend dhe shtrimin e linjave të debatit aty. Politika e rrugës dhe ecejakjet jashtë çdo standardi demokratik, aq më tepër kur Shqipëria ka të tjera synime dhe objektiva për të ardhmen e vet euro-atlantike, sipas Brukselit nuk do të sillte asnjë rezultat, veç bllokimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve nga bota perëndimore. Zbritja e protestuesve dhe insistimi me qëndrime që nuk favorizoheshin nga asnjë nen kushtetues dhe ligj në fuqi, bëri që Brukseli të shohë me mëdyshje lëvizjet e opozitës shqiptare. Për më tepër, Edi Rama hoqi dorë nga çdo tendencë e debatit konstruktiv, duke u fokusuar më tepër drejt ekstremeve të flijimit të deputetëve të tij dhe disa simpatizantëve socialistë, gjë e cila po ashtu nuk u mirëprit nga kancelaritë perëndimore.
Në kushtet kur opozita shqiptare mund ta konsideronte fare mirë dialogun në parlament si zgjidhje të pretendimeve të shfaqura 10 muaj më parë, Edvini shpenzoi ditë dhe javë të tëra duke u zvarritur rrugëve të Shqipërisë me idenë se do ia dalë të rrëmbejë pushtetin me dhunë dhe të verë nën vete vullnetin e lirë të shqiptarëve. Pikërisht nëpërkëmbja e vullnetit për të zgjedhur të lirë, ishte motoja e Edi Rama, si e vetmja mundësi për të ardhur në pushtet. Qëllimi i Ramës, për të deligjitimuar votën e shqiptarëve dhe nga kjo të nxinte raportet e ndërkombëtarëve për zgjedhjet në Shqipëri, do të sillte një proces zinxhir dhe sigurisht një gjobë të rëndë për vendin që s’do kapërdihej lehtë, për sa kohë thirrjet e kryesocialistit ishin për anarshi apo mos bindje civile siç e dëgjuam rëndom për javë të tëra.