E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-ja gjunjëzohet zyrtarisht, sot merr fund politika e saj kaçake

Kuvendi rikthen seancat plenare edhe të hënë, duke rikthyer në tryezat e ligjvënësve projektligjet që duan shumicë të cilësuar votash për të kaluar në parlament. Ligje këto, nga të cilat një pjesë e rëndësishme kanë të bëjnë me procesin e liberalizimit të vizave dhe MSA-në Shqipëri-BE

Deputetët e Partisë Socialiste do të marrin pjesë rregullisht në punimet e Kuvendit të Shqipërisë, duke nisur nga dita e sotme.
Pas qëndrimit hermetik disa mujor dhe marrëdhënieve të kushtëzuara me parlamentin, duke se Edvini s’ka duruar më presionin e ndërkombëtarëve dhe ka vendosur zyrtarisht të lejojë deputetët socialistë të ndjekin punimet e seancës plenare dhe të votojnë ligjet sipas rendit të ditës. Gjë e cila nuk kishte ndodhur më parë, edhe kur PS theu bojkotin, por nuk votoi asnjë ligj, duke marrë pjesë në Kuvend vetëm 15 minuta, sa për të marrë rrogën.
Vendimi për thyerjen përfundimtare të bojkotit të Kuvendit pritet të merret gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist, sot paradite.
Opozita pritet t’i bashkohet edhe komisioneve parlamentare, në të cilat pothuajse nuk ka marrë pjesë fare, çka nuk ka kontribuuar për miratimin e ligjeve.
S’ka asnjë mëdyshje se thyerja e bojkotit, është influencuar nga Strasburgu, pas takimit të zhvilluar atje me kryeministrin Berisha dhe përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian. Kryesocialistit i është kërkuar me ngulm dhe në shenjë presioni që të lejojë deputetët të zhvillojnë debatin në parlament dhe jo në rrugë të madhe, gjë e cila ishte evidente deri në ditët e fundit të javës së kaluar. Strasburgu i ka kërkuar gjithashtu që të ndërpriten përfundimisht edhe lëvizjet ekstreme siç është greva e urisë.
Darka e Strasburgut konfirmoi zyrtarisht qëndrimin e ndërkombëtarëve, të cilët janë shprehur për plot 10 muaj me radhë kundër bojkotit dhe protestave ekstreme të opozitës. Ajo që vlen të theksohet është se thyerja e bojkotit dhe heqja dorë nga qëndrimi hermetik me parlamentit, është një fakt i kryer dhe opozitës s’i mbetet gjë tjetër, veçse të pranojë një realitet, të cilin ajo s’mund ta kthejë dot në favor të kauzës së saj boshe.
Zhvillimet e fundit, kanë bërë që kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, të rivendos kalendarin e mbajtjes së seancave, kur përveç të enjtes që ishte gjer më tani, deputetët të mblidhen edhe gjatë së hënës.
Mbledhja e ditës së hënë u hoq në sesionin e vjeshtës, kur opozita kishte vendosur për bojkotin, gjë e cila e bënte të pamundur artikulimin në masë të projektligjeve, të cilët kërkonin shumicë të cilësuar për të kaluar në parlament.
Burime pranë selisë rozë, thonë se vendimi që pritet të merret sot, inkurajon pjesëmarrjen në parlament.
Sipas të njëjtave burime, bëhet e ditur që Edvini të ketë edhe një skenar shtesë, në rast të mos pajtimit me mazhorancën, për çështjen e transparencës së zgjedhjeve, por e sigurt është se çfarë do skenari të jetë, nuk mund të bëhet fjalë më për lëvizje ekstreme si protesta dhe greva urie.
Ky zhvillim i opozitës i jep fund kështu edhe bojkotimit 9 mujor të Kuvendit nga PS dhe firmos zyrtarisht kapitullimin e Edvinit dhe pretendimeve të tij mbi legjitimitetin e zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›