E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Zgjidhja e ngërçit, vetëm sipas Kushtetutës”

Enkelejd Alibeaj

Xhiroja 9-mujore i shërbeu Edi Ramës për t’u ulur në një darkë miqësore me ndërkombëtarët dhe për t’u rikthyer më pas aty ku duhet të ishte që në shtator të vitit të kaluar

Partia Demokratike shprehet edhe njëherë se situata aktuale politike mund të kapërcehet duke respektuar kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Deklarata është bërë dje nga deputeti demokrat dhe ish ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, gjatë një komunikimi me mediat. Alibeaj tha se shumica parlamentare i ofroi opozitës që në krye të herës verifikimin e materialeve zgjedhore, gjë për të cilën Rama ka shprehur pëlqimin vetëm ditët e fundit, ose më konkretisht, pas darkës së Strasburgut. Xhiroja 9-mujore, i shërbeu atij, thjesht për të snobuar ligjin dhe përshkallëzimin e qëndrimit radikal kundër qeverisë. Deputeti Alibeaj tha se mazhoranca kurrsesi s’ka ndërmend të plotësojë kërkesa antiligjore të opozitës.
“Në qoftë se PS ka një peng me të shkuarën, kryetari i saj ka një peng me të shkuarën, duke i treguar të vetëve vërtetë ai një kauzë e çon deri në fund, sepse kjo është çështje që deri në këtë farë mase ka degraduar. Unë besoj që teka të tilla nuk duhet të plotësohen, do të respektohet Kushtetuta, ligji, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, kodi zgjedhor dhe ai nen, dhe brenda kësaj hapësire ligjore zoti Rama të gjej mundësitë e veta për të kamufluar humbjen e vet në këtë proces negocimi”, tha Enkelejd Alibeaj.
Deputeti demokrat deklaroi në vijim se transparenca e kërkuar nga opozita e Edi Ramës, mund të realizohet fare mirë dhe brenda kuadrit të lejueshëm ligjor, nga komisioni hetimor, i cili është ngritur posaçërisht për këtë punë.
“Nëse PS tashmë mendon se me anë të komisionit hetimor mund të bëhet transparencë, kjo është e sigurt, të ngrihet komisioni hetimor. Ligji aktual, jo ai që donin të ndryshonin ata, ua jep të drejtën dhe një deputeti të vetëm, ai ka të gjitha mundësitë të bëj transparencë të gjerë, të gjatë, të thellë dhe çfarë do lloj dimensioni. Por, asnjëherë duke dalë mbi ligjin”, tha Alibeaj.
Për sa i përket një rikthimi të mundshëm dhe aktiv të socialistëve Parlament, komenti i deputetit demokrat është se përfundimisht një sjellje politike prej kaçaku e zotit Rama më në fund u thye dhe ajo.
Lidhur me ndryshimin e kodit elektoral, për zgjedhjet e ardhshme, deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, tha se mazhoranca është e gatshme të bashkëpunojë me opozitën, për t’i hapur rrugë kështu, përgatitjes për zgjedhjet e ardhshme.
Maxhoranca është e gatshme të negociojë për kërkesat e socialistëve për amendimin e Kodit Zgjedhor, por jo të plotësojë dhe kërkesat antiligjore të Ramës”, deklaroi më tej, deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›