E Diel, 1 Nëntor 2026

Fakti/Edhe 3 anëtarë të tjerë të Gjykatës Kushtetuese pa mandat

Gjykata Kushtetuese ka aktualisht në përbërje të saj vetëm 3 nga 9 anëtarë që duhet të ketë realisht. Ata janë Vladimir Kristo, Sokol Berberi dhe Vitore Tusha.
Kjo pasi tre ditë më parë mandati i mbaroi edhe Xhezair Zaganjorit, Petrit Plloçit dhe Admir Thanzës, të cilët janë në detyrë deri në zëvendësimin e tyre.
Ndaj Presidentit Topi do t’i duhet të nisë sërish konsultimet për të zëvendësuar këta 3 gjyqtarë, por edhe për të propozuar një emër të ri në vend të Vangjel Kostës, i cili u rrëzua nga deputetët e mazhorancës të enjten e kaluar në Kuvend.
Ndërkaq, dy anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj dhe Bashkim Dedej të votuar nga mazhoranca, nuk e kanë bërë ende betimin.
Për shkak të grevës së urisë së socialistëve dhe zhvillimeve në Strazburg opozita nuk ka komentuar kalimin e dekreteve të Presidentit për anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese.
Rikthimi i tyre në Kuvend do e aktualizojë këtë çështje, pasi një nga 6 pikat e grevistëve të urisë ishte edhe konsensusi mes pozitës dhe opozitës për emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë.
Kuvendi dha pëlqimin pak ditë më parë për dy nga tre kandidaturat e propozuara nga Presidenti Topi, për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Konkretisht ligjvënësit demokratë, votuan për Altina Xhoxhaj dhe Bashkim Dedja, ndërsa rrëzuan propozimin për Vangjel Kostën, duke e argumentuar këtë me të kaluarën e tij si i përfshirë në dhënien e disa dënimeve politike gjatë nomenklaturës komuniste.
Sipas përfaqësuesve të mazhorancës, në vëmendje të kreut të shtetit këtë radhë duhet të jetë dhe pastria e figurës së zyrtarëve që ai do të propozojë për anëtarë të rinj të Gjykatës kushtetuese.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›