E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, kushtet e reja për të marrë diplomën

 

Zirina Llambro
Në mbështetje të ligjit “Për arsimin e lartë” orët mësimorë që një student ndjek e angazhohet ekuivalentohen në kredite.
 Pikërisht për të saktësuar këtë raport udhëzimi i ri i MASH-it që mban firmën e ministrit, Genc Pollo, ka përcaktuar qartë numrin e krediteve për të fituar të gjitha tipat e diplomave të studimit. Ndërkaq në të sanksionohen edhe kushtet që duhet të plotësojnë kandidatët për t’u pranuar në programet e ndryshme të studimit. Do të jenë jo vetëm universitetet publike, por edhe ato private që për vitin e ri akademik 2008-2009 do të zbatojnë rregullat e reja. “Ngarkohen për zbatimin e këtij udhëzimi të gjitha institucionet e arsimit të lartë, si dhe subjektet juridike private, të cilat do të aplikojnë për hapjen e institucioneve të arsimit të lartë për të ofruar programe të studimeve”, thuhet në udhëzim. Sipas tij, institucionet publike të arsimit të lartë organizojnë programet e tyre të studimit, duke filluar nga viti akademik 2008-2009.
Kështu sipas udhëzimit nr.15 të MASH-it “Për organizimin e studimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, i cili tashmë ka hyrë në fuqi, një krediti të formimeve universitare i korrespondojnë 25 orë mësimore punë të studentit. Sasia mesatare e punës së kryer gjatë një viti studimesh universitare nga një student me kohë të plotë është 60 kredite, apo 1500 orë mësimore punë të tij, që përfshijnë orë në auditor dhe orë për punë të pavarur të tij. “Orët për punë të pavarur të studentit zënë jo më pak se gjysmën e fondit të përgjithshëm të 1500 orëve mësimore”, citohet në udhëzim, ku përcaktohet se ngarkesa javore në auditor për leksione, seminare, ushtrime dhe laboratorë është në intervalin e 20-25 orëve mësimore 60-minutëshe. Me udhëzimin e ri hiqet  numri i viteve fikse të përcaktuara për përfundimin e cikleve të studimit. “Për çdo program studimi me kohë të plotë është përcaktuar si normë një kohëzgjatje në vite, proporcionale me numrin total të krediteve, duke pasur parasysh që një viti i korrespondojnë 60 kredite”, thuhet në udhëzim. Ç’ka do të thotë që nuk kemi më ndarje standarde 4 vjet apo më pak, por gjithçka është në vartësi të krediteve që grumbullon secili student.
Kreditet për diplomat
Për secilën nga tipat e diplomave që fiton studenti duhet të grumbullojë numrin e krediteve të përcaktuara në udhëzimin e ministrisë. Programet e studimit të ciklit të parë, programet e studimit të ciklit të dytë, programet e integruara të studimit të ciklit të dytë dhe programet e studimit të doktoratës organizohen në cikle të njëpasnjëshme studimi dhe sipas cikleve, lëshohen llojet e diplomave. Kemi 4 të tilla. Respektivisht janë: “Diplomë e nivelit të parë” (DNP), “Diplomë e nivelit të dytë” (DND), “Diplomë e integruar e nivelit të dytë” (DIND), “Diplomë për gradën shkencore “Doktor” (Dr)”. Për secilën prej cikleve të studimit të nivelit të parë dhe të dytë kemi edhe masterat (MNP) dhe (MND). Kështu për të fituar një diplomë të nivelit të parë (DNP), studenti duhet të ketë grumbulluar 180 kredite. Për të fituar një diplomë të nivelit të dytë (DND), studenti duhet të ketë grumbulluar 120 kredite. Për të fituar një diplomë të integruar të nivelit të dytë (DIND), studenti duhet të ketë grumbulluar së paku 300 kredite. Për të fituar një diplomë të masterit të nivelit të parë (MNP), studenti duhet të ketë grumbulluar 60 kredite. Për të fituar një diplomë të masterit të nivelit të dytë (MND), studenti duhet të ketë grumbulluar të paktën 60 kredite. Udhëzimi përcakton se për të fituar një diplomë të një programi studimi jouniversitar, studenti duhet të ketë grumbulluar 120 kredite. “Për të fituar një certifikatë në përfundim të një programi studimi të formimit të vazhduar, studenti duhet të ketë grumbulluar numrin e nevojshëm të krediteve, të përcaktuar nga institucioni respektiv i arsimit të lartë për atë program studimi”, sanksionin udhëzimi. 
Kushtet e pranimit
“Për t’u pranuar në një program studimi të ciklit të parë apo program të integruar të studimit të ciklit të dytë, kandidati duhet të ketë përfunduar me sukses Maturën Shtetërore, të zotërojë një diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar ekuivalente me të, ose të zotërojë një diplomë të lëshuar nga një institucion i arsimit të lartë”, citon udhëzimi i MASH. Ndërkaq për t’u pranuar në një program studimi të ciklit të dytë, kandidati duhet të zotërojë diplomë të nivelit të parë ose diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar ekuivalente me të. “Për t’u pranuar në një program studimi të doktoratës kandidati duhet të zotërojë diplomë të nivelit të dytë, diplomë të integruar të nivelit të dytë apo diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, ekuivalente me to”.

udhezimi i mash

Kreditet

1. Një krediti të formimeve universitare i korrespondojnë 25 orë mësimore punë të studentit. 

 2. Sasia mesatare e punës së kryer gjatë një viti studimesh universitare nga një student me kohë të plotë është 60 kredite apo 1500 orë mësimore punë të studentit, që përfshijnë orë në auditor dhe orë për punë të pavarur të tij.

3. Orët për punë të pavarur të studentit zënë jo më pak se gjysmën e fondit të përgjithshëm të 1500 orëve mësimore. 

4. Ngarkesa javore në auditor për leksione, seminare, ushtrime dhe laboratorë është në intervalin e 20 - 25 orëve mësimore 60-minutëshe.

5. Kreditet korresponduese për çdo veprimtari formuese fitohen nga studentët vetëm për vlerësim pozitiv në verifikimin përfundimtar të dijeve të fituara prej tyre. Për verifikimin e dijeve përdoren forma të ndryshme që kombinojnë verifikimin e vazhdueshëm me atë përfundimtar (provimin). 

 6. Në rregulloret mësimore të institucioneve parashikohen kontrolle për verifikimin dhe vlerësimin periodik të krediteve të fituara nga studentët që kanë ndërprerë përkohësisht studimet, kontrolle këto për të garantuar mosvjetrimin e dijeve dhe azhurnimin e tyre për kreditet e fituara nga studentët. Edhe studentëve që i kanë zgjatur studimet për më shumë se tre vjet, përtej kohës normale të fitimit të diplomës për një program të caktuar studimi, para dhënies së tezës së diplomës iu kontrollohen gjithashtu kreditet e fituara. 

Fitimi i diplomave të studimit

1. Për të fituar një diplomë të nivelit të parë (DNP), studenti duhet të ketë grumbulluar 180 kredite.

2. Për të fituar një diplomë të nivelit të dytë (DND), studenti duhet të ketë grumbulluar 120 kredite.

3. Për të fituar një diplomë të integruar të nivelit të dytë (DIND), studenti duhet të ketë grumbulluar së paku 300 kredite.

4. Për të fituar një diplomë të masterit të nivelit të parë (MNP), studenti duhet të ketë grumbulluar 60 kredite. 

5. Për të fituar një diplomë të masterit të nivelit të dytë (MND), studenti duhet të ketë grumbulluar të paktën 60 kredite.

6. Për të fituar një diplomë të një programi studimi jouniversitar, studenti duhet të ketë grumbulluar 120 kredite. 

7. Për të fituar një certifikatë në përfundim të një programi studimi të formimit të vazhduar, studenti duhet të ketë grumbulluar numrin e nevojshëm të krediteve, të përcaktuar nga institucioni respektiv i arsimit të lartë për atë program studimi. 

V. Kohëzgjatja e programeve të studimit me kohë të plotë

1. Për çdo program studimi me kohë të plotë është përcaktuar si normë një kohëzgjatje në vite, proporcionale me numrin total të krediteve, përcaktuar në kreun IV të këtij udhëzimi, duke pasur parasysh që një viti i korrespondojnë 60 kredite.

Masterat
Për t’u pranuar në një program studimi “Master i Nivelit të Parë” (MNP) kandidati duhet të ketë përfunduar së paku një program studimi të ciklit të parë, si dhe të plotësojë standardet akademike të kritereve të pranimit të institucionit respektiv për këto programe studimi, të cilat bëhen publike para fillimit të pranimeve në institucion. Për t’u pranuar në një program studimi “Master i Nivelit të Dytë” (MND), kandidati duhet të ketë përfunduar së paku një program studimi të ciklit të dytë apo program të integruar të studimit të ciklit të dytë, “Ekuivalentimi i titujve të studimit të fituar jashtë vendit, me qëllim pranimin në programet e ndryshme të studimit të ciklit të dytë dhe të tretë, bëhet nga institucionet e arsimit të lartë, duke respektuar aktet ligjore e nënligjore në fuqi, si dhe marrëveshjet ndërkombëtare”, vijohet në udhëzim.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›