E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfida kushtetuese e LSI

Pas deklaratave të ashpra të Ilir Metës kundër PD e PS lidhur me ndryshimet kushtetuese, pas akuzave deri edhe për “tradhti” dhe “tradhtarë”, në adresë të PS dhe Ramës me të tijtë, me rastin e 5 Majit të sivjetshëm, sfida referendare nën egjidën “Demokracia në rrezik” është akti më i guximshëm politik i një partie dhe e një protagonisti politik, gjatë këtyre 18 vjetëve.
Natyrisht që është e drejta e Metës dhe LSI, ndërmarrja e hapave të vlerësuara prej tyre si më të volitshmet dhe më të arsyeshmet, për të fituar një betejë politike apo për të testuar mbështetjen popullore, sa kohë që nisma të këtij lloji janë plotësisht ligjore dhe kuptimplota në një shoqëri që ka luftuar për demokraci dhe të drejta deri edhe në nivel individual të çdo qytetari, e jo më të një grupimi shoqëror të organizuar politikisht, apo në mbështetje të nismave të shoqërisë civile... Sikurse është e drejta e mëditësve të mediave, të mbajnë apo bëjnë qëndrimet dhe komentet e tyre lidhur me këto nisma, sa kohë që Meta dhe LSI bëjnë sfidantin institucional dhe guxojnë të kërkojnë e përballin sfida politike të guximshme, duke bërë llogari që, jo vetëm të sigurojnë 50 dhe 500 mijë firma nga shqiptarët, por edhe të marrin gjysmën e votave të nevojshme të votuesve, në rast miratimi të nismës referendare për ndryshimin apo mosndryshimin e Kushtetutës.
Por në këtë betejë Meta, para së gjithash, duhet të merrte në sy dhe parasysh faktin se shqiptarët ende nuk janë ndërgjegjësuar deri në atë masë, sa jo vetëm të dëshmojnë ndjeshmëri të lartë politike ndaj ndryshimeve, apo jo, të Kushtetutës, por njëkohësisht edhe të kapërcejnë mbi simpatitë personale ndaj, minimalisht, dy partive të mëdha PD e PS, mbështetëse në shumicë të të cilave janë, sa kohë që pikërisht këto dy parti i kanë ndërmarrë politikisht dhe i kanë realizuar me përfaqësuesit e tyre në parlament këto ndryshime kushtetuese. Dhe për të përforcuar këtë të vërtetë, do të mjaftonte pohimi se, këto dy “partitë e mëdha” kanë arritur të na dëshmojnë se kanë mbështetje elektorale në kuota numerike më të larta se gjysma e votave të vlefshme, në votimet e zhvilluara gjatë periudhës paspluraliste në Shqipëri.
Lidhur me shkallën e ndërgjegjësimit të sipërcituar të shqiptarëve referuar rëndësisë së kushtetutës si ligji themeltar i vendit, Metës do t’i duhet të ndërmendë faktin se, duke hequr PS-në e sotme të rrudhur, ishte bash ai vetë dhe partitë e tjera aleate opozitare të sotme që qëndrojnë në krah të LSI, që jo më shumë se 17 muaj pas fitores “referendare” të 29 qershorit të vitit 1997, kur edhe u miratua kushtetuta aktuale e nëntorit të vitit 1998, bashkë me PS-në e atëkohshme, mezi arritën të marrin vetëm 50.04 të votave të vlefshme për ta shpallur atë legjitime e të miratuar nga populli.
Dhe kjo do të thotë se përballja referendare donkishoteske, pa kundërshtarë, e LSI dhe partive të tjera, thjesht do të kuotojë mbështetjen elektorale të LSI ndër shqiptarët, sesa fuqinë për t’i rrëzuar ndryshimet që realizuan PD dhe PS.
Padyshim që Ilir Meta nuk është kaq naiv sa të besojë përrallën se, “Që sot, LSI mund të quhet parti e parë?!”.
Padyshim që Meta nuk e beson gjithashtu se shqiptarët do ta kuptojnë se duhet të mblidhen në Sheshin “Skënderbej” nën thirrjen e LSI për “Mbrojtjen e Republikës”, apo “Mbrojtjen e demokracisë së deformuar”.
Që Ilir Meta është shndërruar në një “pop star” të politikës, me afro 100 mijë fansa, këtë e kanë dëshmuar edhe dy zgjedhjet e fundit, parlamentare e vendore, por kjo nuk mjafton për të mbrojtur “Republikën e LSI, PDS dhe PS” me “qytetarët e Kushtetutës”.
Ndofta integrimsit europian Meta do t’i duhej të rithërriste “Juropsat” në Sheshin “Skënderbej” për të rikënduar “Kaunt daun”-in e famshëm, tashmë edhe me Erion Velinë dhe mbeturinat e tubuara në Amfiteatër, që me paruke të verdha e ngjyrë kafe të imitonin në kor, në skenë, këngëtarët e mrekullueshëm të viteve ’80.
Por për fatkeqësinë e Ilirit, kjo nuk mund të ndodhë përveç ndonjë kënge të kënduar në anglisht nga Koçi, në gjermanisht nga Ceka nga repertori i “Scorpions”-ave, apo të kënduar në greqisht nga Milo, marrë nga repertori i Sava Siatras.
Shkurt, Metës dhe përkrahësve të tij u duhet të marrin qemanenë dhe më mirë të këndojnë ndonjë perlë të Demir Zykos, sesa të lodhen për t’u mbushur mendjen shqiptarëve se duhet të tubohen rreth tij dhe LSI-së për të mbrojtur “Republikën” dhe “Kushtetutën e qytetarëve” nga “tradhtarët” e PS apo “Berisha...”.
Dhe fatkeqësia e Metës qëndron në faktin se, përveç vetes dhe partisë që kryeson, ka besuar më tepër sesa duhet në fuqinë dhe vlerën e shtuar të një “agon”-isti që përrallis broçkulla kundër Ramës e pro Nanos, ndajshtuar këtij qyqari edhe votat e Paskalit apo “Lëvizjen për Politikë Institucionale” të Petros, në “mbrojtje” të Instutucionit të Kushtetutës, të cilin të parët e kanë braktisur ata që e shkruan dhe e miratuan me aq zell.
Ndërsa porsa i përket Berishës, atij nuk ka përse t’i dhimbset fare Karta të cilën jo vetëm që e luftoi asokohe, por edhe e bojkotoi dhe injoroi..., dhe mirë bëri, asokohe dhe tani...
Kaq duhet të mjaftonte që Meta të mos ngutej për ta marrë këtë nismë..., këtë sfidë, sa kohë që Berisha është shumë i fuqishëm për t’u përballur, qoftë edhe vetëm, e jo më kur merr mbështetje nga të fuqishmit e tjerë.
Ndryshimet kushtetuese ishin sfida e të mëdhenjve, e cila nuk mund të përballet me sfidë që ka kahje të kundërt..., gjithmonë nëse nuk është thjesht test i pashpallur i përllogaritjes së mbështetjes popullore afro një vit para zgjedhjeve të përgjithshme, por tashmë me një shifër të kalkuluar që do të përdoret si kartë në pokerin e tryezës majtiste, vitin e ardhshëm.
 Nga Astrit Kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›