E Shtunë, 31 Tetor 2026

Keqkuptimet me imunitetin

Afrim Krasniqi 

Debati politik mbi imunitetin parlamentar dhe për rrjedhojë, për ndryshime të reja kushtetuese po qëndron në krye të prioriteteve politike të ditës. Parë në retrospektivë, debati mbi imunitetin është risjellë në agjendën politike thuajse çdo vit në këto 18 vitet e fundit. Gjithnjë ka pasur politikanë e parti partizane për kufizimin e imunitetit, madje edhe heqjen kolektive të tij, siç edhe ka pasur të tjerë të cilët për shkaqe procedurale kanë vendosur të kundërtën. Tradicionalisht qëndrimi ka qenë i njëjtë: parti opozitare kundër imunitetit të shumicës dhe shumicë që parimisht është pro, praktikisht është kundër. Ajo që vazhdimisht ka ndryshuar është kalimi dy herë i opozitës maxhorancë dhe i maxhorancës, opozitë. Në tërësi përvoja e debatit politik mbi imunitetin, si edhe debateve të tjera thelbësore në një republikë parlamentare, kanë përfunduar në debate folklorike, tipike për shoqëri me mungesa jo të vogla në kulturën dhe vlerat demokratike.Edhe këtë herë debati rreth imunitetit po bëhet folklorik. Ai po bëhet mbi bazën e keqkuptimeve të mëdha, i stisur, pa synime të qarta dhe nën presionin e debatit për debat. Ata që për vite me radhë e kanë refuzuar kufizimin e imunitetit, ashtu si edhe ata që e kanë përfshirë në Kushtetutë, janë bërë bashkë në vlerësimin se imuniteti është pengues për reformat, pra është ves i keq politik, një kostum i shëmtuar që askush nuk do ta veshë. Për ta mbrojtur këtë tezë palët sjellin ndërmend këshillat e dhëna ditë më parë nga ambasadori amerikan, ato të ndonjë eurodeputeti apo praktikat parlamentare të disa vendeve perëndimore, ku sistemi parlamentar funksionon të paktën gjysmë shekulli përpara se të krijohej shteti shqiptar.
Disa politikanë dhe analistë mendojnë se imuniteti parlamentar është pengesë kryesore për korrupsionin. Për ne që kemi 18 vjet që endemi në zyrat e shtetit, e njohim sesi funksionin ai, segmentet dhe mekanizmat e tij politikë e publikë, janë të panumërt argumentet se korrupsioni vjen si nga njerëzit me imunitet formal, ashtu edhe nga ata me imunitet informal. Unë njoh shumë deputetë të ndershëm, që nuk e keqpërdorin imunitetin për asnjë abuzim me funksionin, siç njoh shumë më tepër politikanë pa imunitet parlamentar, që abuzojnë me detyrën dhe besimin publik. Gjatë viteve të tranzicionit kemi pasur raste të shumta të akuzave për korrupsion ndaj zyrtarëve të lartë, ministra e deputetë, shumica që nuk janë provuar asnjëherë. Kemi parë sesi politikani kriminel, politikani që vjedh pasurinë e qytetarëve apo që shtyp dikë me makinë, ai që shtetin e ka trajtuar si pronë private apo si plaçkë tregu, për interesa politike të ditës befas është kthyer në partner politik, në aleat politik., në shpëtimtar të krizave politike, madje kontribuues të procesit të integrimit!. Deputetë me imunitet janë akuzuar për korrupsion, madje janë bërë simbol i korrupsionit, por sapo ata kanë kandiduar dhe humbur në zgjedhje, askush nuk është marrë më me ta dhe as me akuzat e bëra. Pra, kur kishin imunitet konsideroheshin të këqij, kur nuk kishin imunitet konsiderohen shoqëri civile, opozitë konstruktive dhe në ndonjë rast, edhe partnerë për reforma. Për një pjesë tjetër politikanësh të korruptuar shumë më me interes se imuniteti parlamentar, ka qenë e mbetet imuniteti partiak, i cili në Shqipëri vijon të jetë më i rëndësishëm, më thelbësor dhe më i paprekshëm.
Edhe në sallën aktuale të Parlamentit ne vijojmë të shohim deputetë që gëzojnë forma të tjera imuniteti, veç atij parlamentar. Kështu, kemi deputetë të pavotuar, që humbin në zona dhe fitojnë mandate nga partia e tyre, deputetë që ndërrojnë parti apo paguajnë shuma të mëdha financiare për të siguruar mandat parlamentar, deputetë që nuk kanë profesion tjetër në jetë dhe politikën e kanë burim mbijetese, ashtu siç shohim deputetë që abuzojnë me besimin e qytetarëve, nuk mbajnë premtimet, mbajnë fjalime spekulative, nuk kanë sensin e përgjegjësisë, nuk njohin rregullat e edukatës, nuk pranojnë kurrë përgjegjësi etj, etj. Heqja e imunitetit formal parlamentar mund të ndihmojë, por nuk do t’i japë zgjidhje asnjë prej këtyre formave të tjera të imunitetit politik, të cilat mund të jenë forma shumë më korruptive sesa imuniteti aktual.
Në debatin rreth imunitetit parlamentar injorohet edhe përvoja e tradita shqiptare. Cila është historia jonë me imunitetin parlamentar? Në vitet 1920-‘24 dy politikanët më të njohur Ahmet Zogu e Fan Noli sulmuan, përjashtuan, dëbuan dhe dënuan njëri- tjetrin. Më 1943-1944 komunistët dhe nacionalistët përsëritën të njëjtin rit: sulmuan, akuzuan, përjashtuan, dëbuan dhe dënuan njeri-tjetrin. Në vitet 1946-‘47 komunistët nuk pyetën për imunitetin parlamentar për të arrestuar dhe ekzekutuar 19 deputetë të Parlamentit, kritikë të sistemit të ri.
Me vendosjen e sistemit demokratik në vitet ‘90, tradita e injorimit të imunitetit parlamentar u ruajt dhe u zhvillua në forma më të sofistikuara. Më 1993 iu hoq imuniteti deputetit Ilir Meta (nxitje protestash), dhe Fatos Nano (abuzim e korrupsion), të dy eksponentë të opozitës. Meta i shpall i pafajshëm, Nano fitoi më vonë pafajësinë. Më 1995 iu hoq imuniteti deputetit Azem Hajdari sepse qëlloi një person me shuplakë, një akuzë që mund t’ia bësh gjysmës së sallës së parlamentit aktual. Por Hajdari duhej bërë shembull dhe atij, vetëm atij iu hoq imuniteti për një vepër të tillë, por më vonë u shpall i pafajshëm. Më 1995 dy ish- ministrave të djathtë, Uka e Ruli iu kërkua heqja e imunitetit për korrupsion pasiv, ata shpëtuan, sot janë politikanë aktivë. Më 1995 deputeti Arben Lika u arrestua për korrupsion, më 1997 fitoi pafajësinë. Më 1997 Gafur Mazreku qëlloi me armë në Parlament ndaj deputetit Hajdari, natyrisht nuk e mbrojti imuniteti dhe as partia dhe përfundoi në burg. Më 1998 iu hoq imuniteti Berishës, Arbnorit, Demit, Minarollit etj., me akuzën për kryengritje të armatosur, të gjithë dolën të pafajshëm dhe sot drejtojnë shtetin. Më 2002 u tentua t’i hiqej imuniteti deputetit Prifti dhe më 2005 deputetit Lesi, por në dy rastet ata përfituan nga mburoja politike, sot janë deputetë në Parlament. Kohët e fundit një ministër humbi imunitetin dhe një tjetër është në shqyrtim parlamentar.
Të dhënat e mësipërme tregojnë se imuniteti nuk iu është hequr deputetëve të korruptuar, por kryesisht atyre që kanë qenë shqetësim për maxhorancat dhe liderit - udhëheqës, qofshin ata eksponentë të opozitës, qofshin kritikë brenda partisë së shumicës. Të vetmet raste të konsensusit për heqje imuniteti janë rastet e veprave penale publike, të njëjta me atentatin e B. Valterit kundër Ahmet Zogut më 1923. Kjo traditë kaq problematike dhe e brishtë, nuk mund të jetë provë për të bindur se sot politika shqiptare ka ndryshuar, ka fituar maturinë e nevojshme, se nuk do të ketë më vend për nisma politike kundër deputetëve opozitarë apo kritikë të qeverisjes, pra që imuniteti nuk do të përdoret për atë që njihet, si gjueti shtrigash dhe hakmarrje politike në të gjithë historinë e parlamentarizmit shqiptar.
Ajo që e bën edhe më folklorik këtë debat është shprehja e “vullnetit politik” për heqjen e një privilegji të panevojshëm për politikanët dhe zyrtarët e lartë, ndërkohë që të njëjtit aktorë, me ndërgjegje dhe me fuqi parlamentare, i kanë dhënë vetes atribute politike shumë më të mëdha e më të gjera sesa imuniteti parlamentar. Konkretisht, partitë e mëdha kanë rënë dakord të balancojnë (të ndajnë midis tyre) një sërë institucionesh kushtetuese, të ndryshojnë sistemin zgjedhor (të imponojnë sistemin dypartiak), të kryejnë reformën në drejtësi (të zgjedhin bashkërisht, mbi kritere politike, anëtarët e KLD-së, Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, etj), të ndajnë kompetencat e pushteteve (ekzekutivi të mund ta shpërndajë parlamentin në çdo kohë që e dëshiron), të zgjidhë krizën politike të presidentit (ta zgjedhë atë nga partia e parë që fiton zgjedhjet, me numër minimal votash).
Pra, partitë kryesore politike i kanë dhënë vetes imunitet të bashkëdrejtojnë shtetin dhe shoqërinë politike, të kontrollojnë periodikisht ekzekutivin, legjislativin, drejtësinë dhe institucione të tjera të rëndësishme, siç janë institucionet e medias, të sistemit financiar, të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të Forcave të Armatosura etj. Për më tepër janë të njëjtit politikanë që ndonëse flasin kundër imunitetit, promovojnë pa pushim zyrtarë e deputetë që janë objekt i drejtësisë për vepra të rënda penale, që kanë dosje të denoncuara publike dhe që bëjnë pjesë në raportet kritike ndërkombëtare për Shqipërinë.
Në këto rrethana debati mbi imunitetin parlamentar ngjan qesharak në raport me debatin themelor mbi imunitetin e partive politike në sistemin politik dhe në hierarkinë e shtetit shqiptar. Kritika kryesore që vijon t’i bëhet tranzicionit shqiptar është mbipushteti i partive politike. Ato bëjnë luftën, krijojnë konflikte, bojkotojnë, vjedhin zgjedhjet, delegojnë zyrtarët në institucionet shtetërore, përzgjedhin gjyqtarët, menaxhojnë taksat qytetare, kontrollojnë median etj. Njëherësh, ato bëjnë paqen, zhvillojnë bisedime, nënshkruajnë marrëveshje, bëjnë pakte të fshehta e të hapura, përmes të cilave mund të ndryshojë gjithçka, përfshirë edhe Kushtetuta dhe sistemi qeverisës. Pra, dy partitë e mëdha politike kanë monopolin e luftës dhe paqes, një imunitet ekstra kushtetuese, shumë më i rëndësishëm sesa imuniteti formal parlamentar.
Imuniteti nuk është fjalë turpi prej të cilës të gjithë politikanët e mediat duhet të kenë frikë. Ai ekziston si privilegj, por ndërkohë ekziston edhe si garanci demokratike, për të mposhtur frikën, për t’i dhënë liri deputetëve të flasin lirisht, pa frikën e sanksioneve penale, civile e politike. Në fund të fundit çfarë pritet të ndodhë nëse hiqet imuniteti për të gjithë deputetët: do të kemi më shumë kërcënime parlamentare me burgim, më shumë akuza për korrupsion, më shumë retorikë elektorale kundër individëve që kandidojnë dhe më shumë procese fiktive nga policia e Prokuroria kundër atyre që thyejnë kodin e bashkëpunimit me pushtetin, pavarësisht nga partia që është në pushtet.
Në këto rrethana debati për imunitetin mbetet në thelb i panevojshëm dhe anakronik. Asgjë nuk e pengon as sot Prokurorinë të kërkojë hetime për zyrtarët që kanë abuzuar, për deputetët që bëjnë shantazh apo korruptohen, për deputetët që rrahin qytetarë apo njëri-tjetrin, për ministra e ish-ministra që kanë kryer vepra penale. Nëse vërtet kërkohet një ndarje me imunitetin politik si privilegj e mburojë korrupsioni, atëherë zgjidhja nuk vjen nga show mediatik në Parlament, por nga reformimi i thellë i sistemit kushtetues në vend, nga ndarja e qartë e shtetit me partitë politike, nga fuqizimi profesional dhe pavarësia e Prokurorisë dhe gjykatave, nga reformimi demokratik i partive për ta shndërruar karrierën nga produkt i besnikërisë dhe shërbimit në institucion të meritës. Këtu është edhe thelbi i reformës kundër imunitetit politik për të cilën flet ambasadori amerikan, raportet e KE-së dhe mbi të gjithë, flasin e presin të gjithë qytetarët në rrugë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›