Fakti/Në galeri punohet, mediat e Edvinit trumbetojnë fatalisht për shembje të tunelit
Është kthyer në modë tashmë që disa media të shkruara dhe elektronike në vend, të pozicionuara dukshëm majtas dhe nën diktatin e egër të kryesocialistit Edi Rama, spekulojnë rreth veprës madhore që është në përfundim e sipër, rruga Durrës-Kukës-Morinë. Kësisoj, për hir të interesave personale të kryesocialistit, të lidhura ngushtësisht me akumulimin e kapitalit të tij politik, mediat që i janë vëën në shërbim, sajojnë dhe trillojnë në mënyrë të paskrupullt, për shembje të tunelit të Kalimashit, pjesë e rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Sidoqoftë kjo nuk është hera e parë që këto media abuzojnë me një çështje tepër të rëndësishme, vepër mbarë kombëtare, si ajo që lidh dy vendet Shqipërinë dhe Kosovën, në më pak se dy orë.
Një ditë pas shembjes së supozuar në tunelin e Thirrës, në segmentin Rrëshen- Kalimash reagoi dje Partia Socialiste, me argumentet e botuar në një të përditshme pranë Edi Ramës. Zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj, e cila dje recitoi frazat e zakonshme të Edi Ramës kundër qeverisë dhe institucioneve qeveritare, teksa tha se ministri Olldashi dhe kompania që ka kryer punimet, duhet të informojnë qytetarët për çka ndodh.
Ajo që duket e çuditshme dhe njëherazi e turpshme për këtë klikë fatkeqe në Partinë Socialiste dhe mediat e kontrolluara prej saj, është nihilizmi i tejskajshëm ndaj një vepre madhore, e cila po shkon drejt finalizimit. Por pikërisht dorëzimi përfundimtar i rrugës Durrës-Kukës, që pritet të ndodhë muajt e parë të vitit 2010, rrit presionin ndaj hienave të së keqes që urojnë me çdo kusht, mos përfundimin e arteries së kombit dhe mos afrimin e shqiptarëve të Kosovës me trungun. Para së gjithash, të gjithë këto thuajse kanë marrë përgjigjen e merituar.
Më fatalja ishte ajo më 28 qershor, kur elektorati shqiptar i tha ‘Jo’ klikës mashtruese dhe uzurpuese të Edi Ramës. Realizimi i projekteve madhore po vazhdon dhe do të vazhdojë me ritme progresive, megjithë intensifikimin e sulmeve të kasandrave mediatike të Edvinit.