Fakti/Projektet e Bashës, Bulevardi dhe Lumi i Tiranës, sot në Këshillin Bashkiak

Projekti për zgjatimin e bulevardit të madh dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës do të jetë një ndër çështjet kryesore që do të diskutojë Këshilli Bashkiak sot, në mbledhjen e tij të radhës. Qeveria e Katarit ka ofruar një grant prej 7 milionë eurosh për financimin e këtij projekti që mban firmën e studios “Grimshaë Architects” LLP, e cila fitoi konkursin ndërkombëtar. Në projektvendimin e propozuar nga Bashkia e Tiranës, përcaktohen detyrimet financiare që rrjedhin nga ky grant. Bashkia do të ketë për detyrim lehtësimin e procedurave dhe praktikave që do të aplikohen gjatë zbatimit të projektit. Po kështu duhet të mbulojë të gjitha taksat direkte dhe indirekte, si dhe taksat doganore që aplikohen sipas legjislacionit shqiptar. Po kështu Bashkia do të përzgjedhë supervizorin për mbikëqyrjen e punimeve të këtij projekti deri në realizimin e tij. Në mbledhjen e sotme, Bashkia do të dërgojë për miratim edhe një tjetër projektvendim. Në të përcaktohen kriteret dhe procedurat për kriteret e përzgjedhjes së bankës së nivelit të dytë, e cila do të lëvrojë fondin prej 1 milion eurosh. Nga ky fond do të përfitojnë të gjithë të rinjtë deri në 35 vjeç që duan të hapin një biznes. Nesër këshilli do të diskutojë edhe katër projektvendime të tjera si: projektvendimi për “Miratimin e treguesve ekonomikë dhe financiarë të Bashkisë së Tiranës dhe tavaneve përgatitore të programit buxhetor afatmesëm për periudhën 2014-2016”; “Një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 8, datë 12.10.2011 për “Miratimin e Strukturës organizative të aparatit të Bashkisë së Tiranës (i ndryshuar)”; “Një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 17, datë 28. 02. 2013 mbi Politikën e decentralizimit të disa kompetencave ligjore pranë organeve të Njësive Bashkiake të Tiranës si dhe një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 20 datë 30. 04. 2007 ‘Për kalimin e disa kompetencave Njësive Bashkiake dhe një ndryshim në numrin e punonjësve të Njësive Bashkiake dhe Drejtorisë së Përgjithshme Nr. 1 të Punëtoreve te Qytetit (i ndryshuar)”; “Miratim dhënie ambienti në përdorim Shoqatës Kombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuar ‘Shpresa për Jetën, me destinacion për Qendër Sociale”.