Fakti/Rama ndryshon emrin e PS në Gjykatë, me 8 mijë lekë
Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama pasi i ndryshoi ngjyrën selisë ka ndryshuar edhe emrin e partisë. Edi Rama, me cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, i është drejtuar gjykatës së Shkallës së Parë me një padi civile, ku ka kërkuar që të depozitojë vendimin e marrë në Kongresin e Partisë Socialiste, i mbajtur ky kongres në datë 05.11.2011, për të ndryshuar germat nistore të Partisë Socialiste të Shqipërisë (PSSH) në “PS”. Sipas vendimit të gjykatës së Shkallës së Parë të datës 20 shkurt 2013, “Edi Rama, i biri i Kristaqit dhe Anetës, datl. 04.07.1964, lindur dhe banues në Tiranë, me adresë Sheshi ”Austria”, ka depozituar si çështje civile ndryshimin e regjistrit të partive politike, më saktë ka kërkuar ndryshimin e siglës së PS. “Partia Socialiste e Shqipërisë, është parti e regjistruar në regjistrin e partive politike të mbajtur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në datë 05.11.2011 është mbajtur Kongresi i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe ky kongres me vendimin e tij me Nr.4 ka vendosur: Gërmat nistore të Partisë Socialiste të Shqipërisë janë “PS”. Në statutin e Partisë Socialiste të Shqipërisë është pasqyruar në Kreun II, “Dokumentet bazë, simboli”, neni 6 “Simboli, stema, flamuri i Partisë “, pika 7. Në nenin 24, pika 1 të statutit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, është parashikuar se: Kongresi i Partisë është organi më i lartë vendimmarrës i Partisë. Në nenin 26, pika 1 të statutit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, është parashikuar se : Kongresi miraton Programin dhe Statutin e Partisë dhe bën ndryshime dhe përmirësime në to”, thuhet në vendimin e Gjykatës. Sigurisht Gjykata e Shkallës së Parë, bazuar në provat shkresore të administruara në dosje, ka çmuar se kërkesa e Edi Ramës është e drejtë. Për këtë arsye gjykatësja Rezarta Balliu (Vigani) bazuar në në nenet 126, 306 e vijues të K.Pr.Civile, vendosi të pranojë kërkesë dhe të miratojë Depozitimin e vendimit Nr.4 datë 05.11.2011 të Kongresit të Partisë Socialiste, në regjistrin e partive politike: Gërmat nistore të Partisë Socialiste, janë “PS” . Po ashtu ka vendosur se Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen kërkuesit, pra, Edi Ramës, i cili me 8 mijë lekë ndryshoi emrin e Partisë Socialiste. Kësisoj Edi Rama, i cili ndryshoi ngjyrën mureve të partisë ia arriti të ndryshojë dhe siglën, duke instaluar një diktaturës të shijeve personale në parti.
L. Lita