Fakti/Shalsi vlen veç për akuza, Edvini e ka hedhur në rrugë

Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Eduard Shalësi, vazhdon të mbetet një prej figurave që njihet edhe si më aktive në PS, jo për faktin se i ka sjellë ndonjë të mirë kësaj force politike, por sepse vazhdon të jetë një ndër veglat më funksionale dhe shumë përdorimshe ndaj kreut të PS, Edi Ramës. Shalësi është prononcuar dje duke mos ndalur akuzat drejtuar opozitës dhe kryesisht duke sulmuar kreun e qeverisë kryeministrin Sali Berisha. Tashmë kreu i PS duket se i ka postuar akuzat e tij drejtuar kryeministrit drejt shërbëtorëve apo veglave shumë funksionale të tij dhe një prej tyre duket se është dhe Ed Shalësi. Sipas tij, kryeministri Sali Berisha vazhdon të manipulojë në mënyrë të trashë dhe të paturpshme procesin dhe kutitë ku gjenden fletët e votimit. Duke qenë se PS është mësuar tashmë të mos njohë rezultatet e zgjedhjeve edhe ketë herë pretendon të fajësojë qeverinë për humbjen e saj në për bashkinë e Tiranës dhe kryesisht të kreut të saj, të Partisë Socialiste, Edi Ramës. Duke akuzuar sërish qeverinë Shalësi e ka cilësuar një shfaqje të shëmtuar numërimin e votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duke shtuar se sipas tij janë parë urdhra të pambështetura në ligj. Mbi ç’baza i thotë Shalësi këto? Pse këto urdhra i paska dëgjuar vetëm opozita dhe jo partitë e tjera apo faktori ndërkombëtar që e ka ndjekur me shumë vëmendje të gjithë procesin e numërimit? Pse Ed Shalësi nuk guxon t’i bëjë këto deklarata në foltoren e parlamentit, por endet rrugëve të Tiranës për të artikuluar akuza të rreme e false ndaj qeverisë, akuza të cilat janë artikuluar fillimisht nga zoti Rama. Dhe kjo pikërisht se fobia e socialisteve ndaj institucioneve ligjore vazhdon ende duke qenë se këtë gjë e ka theksuar edhe më shumë bojkoti absurd i socialistëve. Pavarësisht kësaj “gjase” të ditur dhe të njohur tashmë nga mbarë opinioni publik shqiptar, madje edhe më gjërë, opinioni ndërkombëtar, arrin të bëjë dallimin mes ngjyrimit destruktiv që mbart opozita e Edi Ramës dhe formacionit potencial e integrues të mazhoranës dhe qeverisë “Berisha”. Megjithatë, ende s’është e qartë nëse opozita do dalë ndonjëherë nga politika e rrugës dhe akuzave të pabaza, thjesht e vetëm për të mbuluar skarcitetin irritues politik, programor dhe alternativ.