Faktofobia, fytyra e re e sëmundjes së Edvinit
Pasi përdhosi të gjitha institucionet e drejtësisë si dhe Komisionin e Venecias, tmerrin nga vota e lira Edvini e ka shfaqur përmes refuzimit për t’i hetuar zgjedhjet sipas fakteve, provave dhe grup-fakteve. Të gjithë deputetët socialistët u tmerruan nga detyrimi për të hetuar në bazë të fakteve dhe preferuan ta refuzonin hetimin, si vendimi më i mirë që do të qetësonte disi fobinë e rëndë të Edi Ramës nga pensioni politik
Berisha: Opozita, skllave e kontratës së bunkerit
Sjellja politike e deputetëve të majtë orientohet prej makthit të humbjes së privilegjeve që u vjen nga Blloku dhe sjell në politikë veç errësirën që rrjedh prej kontratës së bunkerit, produkt i të cilit janë sot në parlament, si “zogj bunkeri”
Kryeministri Sali Berisha reagoi dje në Kuvend ndaj kërkesës së opozitës për zgjedhjet e 28 qershorit, duke e konsideruar propozimin si thjesht një maskë të Edi Ramës për të shpëtuar veten nga maskarada e gjatë 18 mujore. Nga foltorja e kuvendit, kreu i ekzekutivit Berisha, tha se misioni dhe qëllimi i opozitës së Edi Ramës nuk është zgjidhja e ngërçit politik dhe as ngritja e komisionit hetimor, por thellimi i prirjes ultra-destruktive për të shkatërruar dhe jo ndërtuar.
Sipas Berishës, Edi Rama vjen në skenën politike shqiptare si zëdhënësi ekstrem i nomenklaturës së bllokut komunist.
“Nuk jam aspak i habitur, as i çuditur për faktin se pse, ju po tërhiqeni tërësisht nga komisioni hetimor. Ju të nderuar deputetë, harroni se muret e këtij parlamenti kanë një memorie. Mediat e këtij vendi kanë një arkivë. Qytetarët e këtij vendi kanë një memorie. Dhe kjo memorie thotë se ju, prej një viti e gjysmë, u angazhuat në qëndrimin më absurd që Evropa ka njohur nga një opozitë e një vendi të lirë. Ju harruat se misionet e pamundshme i ndërmarrin vetëm ata të cilin fakultetet mendore i kanë të errësuar plotësisht nga faktorë fondamentalistë, faktorë ekstremë, sepse pasioni i tyre i parë nuk është ndërtimi, por shkatërrimi”, tha kryeministri.
Duke iu referuar propozimit të PS-së për ngritjen e komisionit hetimor, Berisha konstatoi se kërkesa e opozitës s’përmban në asnjë paragraf 9 pikësh të saj, fjalën ‘hetim’, por vetëm ‘kontroll’, si dhe nuk kërkohet hetim i fakteve dhe grup fakteve, por dyshimeve.
“Qëndrova këtu me ju deri në 5 të mëngjesit javën e kaluar, me vullnetin më të hekurt që të arrijmë një rezultat. Nga 9 nene të kërkesës tuaj, 8 prej tyre kërkonin hetimin e dyshimit, dhe s’përmendej në asnjë rast fjala fakt, grup fakt dhe prova. Kërkesave iu shtuam disa pika sipas Kushtetutës. Unë kërkova një pikë të 4-ët, t’i në atë pikë bëre katrat e tua. Si përfundim, seancën e kaluar, kërkuat të shtyhet seanca dhe diskutimi për komisionit. Dy ditë më parë më njohën me propozimet e Edvin Ramës, të cilat janë thjeshtë maska. Në kërkesën e PS-së s’përmendet fare fjala hetim. Pse tani është hequr fjala hetim, në vend të hetimit është vënë fjala ‘kontroll”, tha Berisha.
Sipas kryeministrit, kjo kushtetutë dhe kjo rregullore e parlamentit, kontrollin ia japin tërësisht komisioneve permanente parlamentare.
“‘Kontrolli’ është atribut kushtetues i komisioneve të përhershme parlamentare. ‘Hetimi’ jo. ‘Hetimi’ është atribut i atij komisioni që ngrihet sipas nenit 77 të Kushtetutës. Pse talleni me këtë kushtetutë. Një ditë ia vini emrin Kushtetutë dhe një ditë tjetër i vini një emër tjetër. Kontrollin e bëjnë komisionet permanente, parlamenti. Ti Fatmir Xhafaj, je dhe ish ministër Drejtësie, i dije shumë mirë, pse nuk iu thua deputetëve që kjo është një maskë. Po lozni me maska. Çfarë paragjykimi bëj unë nëse i referohem Gjykatës Kushtetuese. Çfarë paragjykimi bëj unë nëse i referohem Kodit Zgjedhor. Ju nuk doni komision hetimor. Kjo është ballo me maska. Kanë hequr fjalën ‘hetim’ dhe kanë vendosur fjalën ‘kontroll’. Kontrollin e kryen edhe një komision normal në parlament dhe nuk ka nevojë për të ngritur komision hetimor. Në të gjitha pikat e kërkesës tuaj është vetëm fjala ‘kontroll’. Jo rastësisht e keni bërë këtë. E keni bërë për të shmangur ‘faktet’ dhe ‘grup faktet’ që kërkon ngritja e komisionit hetimor. Kjo është një maskë. Po luani me maska. Tregojini shqiptarëve se, pse tërhiqeni nga komisioni hetimor? Pse nuk doni komision?”, tha Berisha, duke iu drejtuar përfaqësuesve të opozitës në Kuvend.
Në përfundim kryeministri kërkoi nga opozita të pranojë ngritjen e komisionit hetimor të bazuar mbi fakte dhe të dhëna dhe jo dyshime.
“S’mund të shkruhet kurrë një hetim pa fakte. Më mirë i hidhni ato diploma, t’ua marrë lepurushi se s’i keni për gjë tjetër. Jam gati të firmos komisionin, të hetojmë çdo dokument, por nuk jam gati të shkel kushtetutën se një njeri udhëhiqet nga kompleksi i turpit dhe pendesës. Ai iu futi ju në grevë urie për kutitë dhe sot thotë s’dua kutitë. Por, i dua unë kutitë, për hir të socialistëve shqiptarë”, deklaroi Berisha, duke kritikuar kërkesën e PS-së dhe tërheqjen e saj nga objekti fillestar, hapja e kutive të votimit, për të cilën opozita u fut në grevë urie si dhe paralajmëroi për mosbindje civile në të gjithë vendin.
Në pikën 3 të kërkesës së PS-së, mazhoranca ka kërkuar një amendament shtesë, ku kërkohet të bëhet një referencë që “hetimi të jetë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën”. Opozita e cilëson këtë si të papranueshme, por nuk jep argumentet e duhura se pse nuk pranon një togfjalësh.
Sipas Fatmir Xhafajt, kjo i heq të drejtën e hetimit komisionit, duke e kthyer atë në komision vëzhgimi, pavarësisht se në të vërtetë kërkesa e PS-së s’është gjë tjetër veçse një nismë ‘kontrolli’ dhe jo ‘hetimi’. Indirekt negociatori socialist thotë se komisioni s’duhet të ketë asnjë bazë ligjore, madje përkundrazi të dalë mbi kushtetutën, ligjin e Gjykatës Kushtetuese për veprimtaritë e Komisioneve Hetimore të Kuvendit dhe vetë Kodin Zgjedhor, edhe pse ky i fundit është produkt i një konsensusi bipartizan të dy viteve më parë.
Edi Rama, produkt total i bunkerit bllok
“Kryetari juaj, i cili zbret nga një familje e vjetër pushteti, parashuton në skenën politike si zëdhënës kryesor, i bllokmenëve, si produkt total i bunkerit bllok, si një njeri që kjo psikologji, ky mentalitet nuk e lejon, tu ofrojë qytetarëve shqiptarë gjatë 12 viteve në politike përveçse truke, shpifje, trillime dhe mashtrime”.
Kështu u shpreh kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së tij në Kuvend. Kreu i qeverisë iu kujtoi të gjithë shqiptarëve se lideri i opozitës dhe Partisë Socialiste s’ka bërë asgjë në jetën e tij, veç ngjyrosjes së pallateve.
“Një njeri i cili nuk ka qenë i zoti deri më sot, veç disa bojëra në pallatet e Tiranës. Përveç këtyre, të nxjerra nga një koleksion i tij i dështuar. Asnjë gjë tjetër nuk ka bërë për jetën e tyre, të ardhmen e tyre dhe të sotmen e tyre. Ky njeri, është i mbrujtur dhe i edukuar, i formuar si armik i vullnetit të lirë të qytetarëve shqiptarë. Ky njeri çuditi botën në vitin 2007, kur për certifikatat i lëshonte vetë, i kontrollonte në 90 për qind, i thoshte diplomatit të huaj se unë jam shtrirë këtu dhe do vdes. Sindromi i vdekjes është në kokën e tij. Unë tani po shtrihem përdhe dhe po vdes. Nuk ngrihem më i gjallë. Ishte një atak histerik tipik i tij. Kjo ishte një histeri e mirëfilltë e tij. Dhe ky zotëri mendoi se tërhoqi zvarrë jetën politike të vendit, pa çka se vendimin e mora me Fatos Nanon dhe jo me të dhe u detyrua të ulet dhe të pranojë, atëherë kur e pa se ishte tërësisht jashtë loje. Ky u zotua me të gjithë potencialin e tij për të prishur zgjedhjet, por edhe unë u zotova me të gjitha potencialet e mia për të bërë zgjedhjet më të mira në histori. Unë bëra lëshime, sepse nëse ai nuk hynte në zgjedhje, i plagoste zgjedhjet. Pak ditë para zgjedhjeve tentoi t’i bllokojë, por i futën dy këmbët në një këpucë dhe mori pjesë. Ky zotëri i humbi zgjedhjet. Bëri gjithçka për të hyrë në koalicion me Sali Berishën. Por vendi kishte nevojë për opozitë. Dhe u arrit ndërtimi i koalicionit të Integrimit. Por, ju, kryetari juaj iu tha se jo, nuk kemi humbur, nuk njohim institucionet nuk njohim rezultatin. Ai është tallur me ju”, iu drejtua Berisha deputetëve të PS-së.
Edvini, përpjekje titanike për të sabotuar vizat
Kryeministri tha se në takimin me zyrtarët e Brukselit, Edi Rama u shpreh se, njoh rezultatin, por nuk njoh institucionet. Ndaj dhe përmes këtij qëndrimi tentoi të orientojë aksionin e tij destabilizues përmes dy drejtimeve. Atë të nisjes së protestave dhe grevës së urisë dhe bllokimin e procesit të heqjes së vizave. “Më vonë ky zotëri kërkoi Komisionin Hetimor. Pranova pikë për pikë, ato që rezoluta e PE kërkon një ditë më vonë. Por ai kishte një patologji të tmerrshme. Vizat! Vizat ishin tmerri dhe ferri i tij. Vizat i prishnin atij gjumin e natës. Lideri i opozitës ka qenë gjatë gjithë kohës ‘armiku i betuar’ i vullnetit të lirë të shqiptarëve. Edvin Rama dështoi dhe bëri përpjekjet titanike për të penguar procesin e liberalizimit të vizave. Rama u bë pjesë e grevës së urisë, në kohën kur Komisioni Europian kishte caktuar datën 14 maj për të marrë vendimin për vizat. Harruat ju se orkestruat gjithçka për të bllokuar procesin e vizave. Harruat ju se kryetari juaj dilte lakuriq nëpër plazhet e Evropës”, deklaroi kreu i qeverisë.
Kryeministri tha se rezultati i Shkodrës, njohu psikotipin obsesiv të zotërisë së tij, numëroi me mijëra vota me një precizon të jashtëzakonshëm.
“Tani thotë nuk do numërojmë se vizat i morëm. Me gjithë qëndrimet e tij ultra-destruktive, asgjë s’ma zbeh respektin për opozitën”, tha kryeministri duke shtuar se mazhoranca është e gatshme për çdo marrëveshje politike me opozitën, mjafton që ajo të jetë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.