Logjistika e mafies së kuqe
Mafia në Shqipëri ekziston. Dhe mbi të gjitha ekzistojnë mafiozë të kuq, ose beretat e kuqe me filiale të deklaruara në Europë, që janë të lidhura me Ndragheta-n kalabreze, “Cosa Nostra”-n siçiliane dhe Kamorra-n napolitane, qysh në kohën e kontrabandës së cigareve nga qeveria komuniste e Enver Hoxhës dhe pinjollëve të tij mbas vitit 1985. Hapësirat që ka lënë mos-pasja e shtetit ligjor në Shqipëri, si dhe riciklimi i nomenklaturës, ka bërë që mafia “puniste” të hapë tentakulat e veta dhe të mbërthejë si një pjesë të politikës, ashtu edhe të bizneseve vendase.
Mafia u krijoi mundësinë e përfitimit mjaft socialistëve, mjeshtra të spekulimit në tregjet publike, në të cilat bashkëpunojnë masivisht, sidomos në sektorin e ndërtimit. Kapja e hapur e Partisë Socialiste nga bota e krimit, legjitimimi i sjelljes kriminale, pranimi nga ana e shoqërisë e kësaj sjelljeje kriminale si normale, dhe kriminalizimi fund e krye dhe i padiskutueshëm i parisë soc-komuniste janë prova të pakundërshtueshme.
Qarku i shkurtër, PS - “mafie, banda, banditë, komunistë sade sigurimsa, xhelatë, killera të tipit Dajti, të tipit Kadriovski, kriminelë të çdo lloj tipi” është një nga të vërtetat e këtij vendi që më shumë se çdo gjë na bëjnë me turp. Njerëzit që janë rekrutuar nga mafia “puniste” qysh në fillimet e para të karrierës kriminale shumë shpejt u rritën si zdapa, dhe me t’u rritur, si ekonomikisht, ashtu edhe gjeografikisht duke u bërë kështu autonomë në veprimtarinë e tyre derisa arritën nga skllevër të bëhen skllavopronarë të politikës së socialistëve shqiptarë. Është rasti i Aldo Bares, që nga pazaret e drogës së të vëllait Ramadan Shkurti del e bëhet një nga kapobandat më të egra në Shqipëri, aq sa dega e Partisë Socialiste e Lushnjes t’i kërkojë me forcë e kërcënime Ministrit të rendit (të atëhershëm) Spartak Poçi lirimin e disa individëve që ishin “ushtarë” të bandës.
Historia e Bandës së Lushnjes kalon nëpër atentate, vrasje dhe përdhosje kufomash, trafikim ndërkombëtar droge etj. Përgjimet kilometrike të skllavopronarit të sojit Aldo Bare e krahut të tij djathtë Enver Dondollaku, janë të mbushur plot e përplot me implikime të disa figurave kryesore socialiste, si Edi Rama, Erjon Braçe, Arta Dade, etj. Veç tenderi 1.2 milionë euro për pastrimin e qytetit ka qenë lajtmotivi që banda e Aldo Bares e ka parë të arsyeshme të konfrontohet me një tjetër organizatë terroriste kriminale të kuqe, si Hakmarrja për Drejtësi, të drejtuar nga i biri i Haredin Shytit, njërit prej personazheve më të errët të Sigurimit të Shtetit. Orik Shyti, i komanduar nga burgu i Bënçës bëri kërdinë në të gjithë Shqipërinë me vrasje, me bomba, me atentate, me vjedhje të pasurisë, etj. Personazh në politikën e së majtës (një prej tyre Edi Rama), ai ka qenë një prej shumë lidhjeve në Partinë Socialiste.
Mirëpo, kush mendon se dy organizatave, ajo e Aldo Bares në Lushnje dhe “Hakmarrja për Drejtësi” në Durrës-Tiranë ishin gjithmonë nw luftë gabohet rëndë. Deri vonë ata ishin instrumentale të segmenteve të “sigurimit të shtetit”, që thirreshin “agjentë të konservuar”, një praktikë e njohur në të gjitha vendet komuniste. Celulat ishin përgatitur të qëndronin në letargji, e më pas të dilnin në sipërfaqe duke krijuar frikë, që të dobësonin shtetin ligjor. Edhe pse dy bandat funksiononin në të vërtetë në një autonomi veprimi në terren, në ideologji dhe urdhra ishin të komanduara nga politika punisto- mafioze. Organizata "Hakmarrja për drejtësi" siç dihet nga dokumentet e shumtë ishte krijuar në vitin 1994 në qytetin e Durrësit me qëllim destabilitetin e vendit. Mafia puniste doli në skenë me ekstremizmin e saj të dhunshëm ideologjik, anti/kapitaliste me autobombën tek VEFA në Tiranë 26.02.1996. Me Bankën e Tiranës; Vjedhja e Shkumbin Petrol; Vjedhja e Bankës se Vlorës, etj. Lajmi mori dhenë pasditen e datës 12 tetor të vitit 1996, kur Televizioni Shqiptar (TVSH) transmetoi lajmin se "në një apartament në qendër të Tiranës ishte zbuluar një arsenal i madh armësh luftarake". Prokuroria torineze që ka marrë fashikujt e ndjekjes (operacioni i koduar me emrin “Bijoux 2) ”(Bizhu 2), nga Seksioni i Shtatë i Antidrogës se Kuesturës se Torinos. Materiali voluminoz prej 430 faqesh, i është sekretuar Interpolit shqiptar me fakte që kanë qindra përgjime të telefonatave te bëra mes kreut te organizatës dhe pjesëtareve te saj. Në të përfshihen telefonata që u janë bërë drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit për të mos guxuar të godasin njerëzit e organizatës, apo dhe afera të dyshimta të kryera ku përmenden emra politikanësh të PS-së e funksionarësh të lartë shtetërorë të viteve 1998-2005.
Ne fakt, qyteti i Lushnjes ka qenë një nga vendet më aktive nga ‘97-a e këtej, dhe fakti që bandat në këtë qytet qëndruan deri në ditët e fundit të socialistëve në pushtet (kujtojmë se me 3 Korrik 2005 ekzekutuan 2 persona poshtë selisë së PD-së në qendër të qytetit, afër Muzeu Historik, kur qytetarët po festonin fitoren e PD-së në zgjedhjet e përgjithshme), tregon se lidhjet e tyre ishin me sferat e larta të politikës së asaj kohe, përderisa jo vetëm nuk kapeshin, por mbroheshin nga pushtetarët e kohës. Drejtësia vonon, por nuk harron, nuk harrojnë dot as qindra biznesmenë lushnjarë, që u janë vënë “gjoba” nga kjo organizatë, as te tjerët që janë vrarë nga njerëzit e tyre për bindje politike, apo për “biznes-droge”.
Fakti tjetër që paratë e punisto-mafias riciklohen në ndërtimet e kryeqytetit nuk është një risi si metodë, pasi në Itali dhe Spanjë janë procedura gati të zakonshme që ndjek mafia. Më e keqja në Tiranë është se kontrollojnë politikën, bashkinë e Tiranës, të Durrësit, të Vlorës (nuk është çudi që qeverisen nga socialistët për shumë vite me radhë?!) i tërheqin për hunde, duke u marrë hapësirat e gjelbra. Në Tiranë është bërë gati barcaletë implikimi i njerëzve më të afërt të kryebashkiakut Edi Rama.